Botë

23-vjeçari amerikan do ta pranojë fajësinë për vrasjen e 17 personave në një shkollë

Djaloshi amerikan që kishte vrarë 14 studentë dhe tre anëtarë të stafit në një shkollë të mesme në Parkland të Floridas, do të pranojë fajësinë për vrasjen e tyre, kanë bërë të ditur avokatët e tij të premten.

Ky lajm është një risi për rastin që pati tronditur Floridën dhe gjithë SHBA-në tri vjet më parë, dhe që pati nxitur një reagim nacional për kontrollin e armëve.

Pranimi i fajësisë do të krijojë një fazë ku Nikolas Cruz, 23 vjeç, do të luftonte kundër dënimit me vdekje dhe do të shpresonte për jetën pa lirim.

Avokatet e Cruzit kanë thënë për Circuit Judge Elizabeth Scherer, se ai do ta pranojë fajësinë të mërkurën e ardhshme, për 17 akuzat për vrasje të shkallës së parë, nga të shtënat në shkurt të vitit 2018, në Shkollën e Mesme “Marjory Stoneman Douglas”.

Pranimi i fajësisë do të vijë pa kushte, ndërkohë që prokurorët ende po mendojnë të kërkojnë dënimin me vdekje për të. Mirëpo, kjo do të vendoset nga nja juri, me gjykatësit që shpresojnë ta nisin gjykimin në janar të vitit 2022.

Gjykimi ndaj Cruzit ishte shtyrë për shkak të pandemisë dhe argumentet mes prokurorisë dhe mbrojtjes mund t’i prezantohen tashmë jurisë.

Disa familjarë të viktimave kanë shprehur ndërkohë frustrimet lidhur me vonesat e gjykimit të Cruzit.

Vendimi i Cruzit për të pranuar fajësinë ka ardhur në mënyrë të papritur, pasi ai dhe avokatët e tij ka kohë që kanë kërkuar ta pranojnë fajësinë, në këmbim të një dënimi me burgim të përjetshëm, mirëpo prokurorët e kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme këtë kushtëzim, duke thënë se ai meritonte dënim me vdekje.

Vrajsa e 17 personave nga Cruzi pati ndodhur në Ditën e Shën Valentinit të vitit 2018, pak minuta para se të përfundonte orari mësimor i asaj dite.

Studentët e shkollës tashmë kishin shkëmbyer shumë dhurata dhe ishin të veshur pothuajse shumica me të kuqe, kur Cruzi, atëherë 19 vjeç, kishte arritur në kampus, e kishte vendosur armën e tij në banjo dhe kishte nisur të gjuante në drejtim të studentëve dhe punonjësve të shkollës.

Siç ishte raportuar, tymi që kishte dalë nga arma e tij, kishte ndezur sistemin e alarmit të zjarrit në të gjithë shkollën.