1 perditesime
21:49

Dhunë në Bejrut, përleshjet e armatosura rezultojnë me 6 të vrarë

Përleshje të armatosura kanë shpërthyer të enjten në Bejrut, gjatë një proteste të organizuar nga grupi militant i Libanit “Hezbollah” dhe aleatët e tij kundër gjykatësit kryesor që po e heton rastin e shpërthimit masiv të vitit të kaluar në portin e qytetit. Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe me dhjetëra të tjerë janë lënduar në dhunën më të rëndë rrugore në qytet përgjatë vjetësh, kanë bërë të ditur autoritetet.

Në shkëmbimin e zjarrit janë përdorur pistoleta, pushkë automatike dhe minahedhës, ndërsa zhvillimet janë cilësuar si rikujtues të luftës civile të viteve 1975-1990.

Nuk është bërë e ditur ndërkaq se çfarë e ka shkaktuar dhunën e së enjtes.

Tensionet kanë qenë të larta në vend qëkur Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe aleatët e tij shiitë nga lëvizja “Amal” kanë kërkuar heqjen e Tarek Bitarit, gjykatësi kryesor në hetimet e eksplodimit masiv të vitit të shkuar në port. Të dyja palët kanë thirrur një protestë afër Pallatit të Drejtësisë. Nëpërmjet një deklarate të lëshuar të enjten, dy grupet kanë specifikuar se protestuesit e tyre janë vënë në shënjestër të snajperëve të vendosur në çatitë e godinave përreth.

Dhuna ka shpërthyer në kohën kundër zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, ndodhej në qytet për takim me zyrtarët libanezë. Orari i saj i takimeve është anuluar si pasojë e dhunës.

Nuland më vonë ka thënë në një konferencë shtypi në aeroport se gjyqësori i paanshëm është garantues i të gjitha të drejtave, në një kritikë të qartë kundër Hezbollahut.

“Populli libanez meriton jo më pak se kaq dhe viktimat e familjarët e të vdekurve në shpërthimin në port nuk meritojnë më pak se kaq”, ka thënë ajo. “Dhuna e papranueshme e ditës së sotme tregon qartë se tensionet janë të larta”.

Kërkesa për largimin e Bitarit dhe thirrjet për protestë kanë përbërë shqetësim për shumicën e atyre që i cilësuan veprimet e tilla si ndërhyrje flagrante në punën e gjyqësorit.

15:25

Shkon në pesë numri i të vdekurve në protestat në Beirut

Ka shkuar në pesë numri i të vdekurve në protestat në kryeqendrën e Libanit, Beirut, njofton BBC.

Pesë persona janë qëlluar për vdekje në protestat kundër gjykatësit që po hetonte shpërthimin katastrofal në port vitin e kaluar.

Ka pasur të shtëna me armë mes përkrahësve të Hezbollahut dhe atyre të lëvizjes Amal, që kërkonin largimin e gjykatës Tarek Bitar.

Ata kanë thënë se snajperistët nga çatitë i kanë sulmuar duke tërheq vendin në një konflikt.

Tensionet janë rritur rreth hetimit për shpërthimin në portë, pasi Hezbollahu akuzon gjykatësin se në mënyrë të padrejtë ka veçuar ish-ministrat e qeverisë.

Ajo që nisi si protestë kundër gjykatësit Bitar jashtë Pallatit të Drejtësisë, me marshime e thirrje, eskaloi dukshëm.

Pati të shtëna me armë e përleshje në rrugë. Pati edhe shpërthime ndërsa ushtria libaneze ka marrë pozicionin dhe ka tentuar të zbulonte se nga po vinin të shtënat.

Burime nga spitali dhe ushtri thonë se dy burra kanë vdekur ndërsa janë qëlluar në kokë dhe gjoks, si dhe një grua që ishte qëlluar nga një plumb qorr brenda shtëpisë së saj. Po ashtu kanë rënë plumba qorr edhe nëpër shkolla, duke detyruar nxënësit të ulen poshtë tavolinave.

Hezbollah dhe Amal kanë thënë se protestuesit janë shënjestruar nga snajperistët që ishin mbi çati.

Kryeministri Najib Mikati ka bërë thirrje për qetësi.