Kina pritet që të testojë mijëra mostra të gjakut nga qyteti i Wuhanit, si pjesë e hetimeve për origjinën e koronavirusit.
Vendimi i shtetit kinez është marrë pas presionit të madh për transparencë në lidhje me shfaqjen e virusit. Më shumë se 20 mijë mostra të ruajtura të gjakut, përfshirë edhe ato të vitit 2019, ishin shënjuar nga paneli i hetuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë si burim kyç për informacione që mund të përcaktojnë se kur dhe ku nisi kalimi i virusit te njerëzit. Mostrat janë ruajtur në Qendrën e Gjakut në Wuhan, qytet kinez prej ku buroi koronavirusi.
Në këtë qendër janë mbajtur mostrat e të infektuarve të parë me koronavirus. Mostrat janë ruajtur për dy vjet, në rast se do të nevojiteshin si provë kundër padive të mundshme lidhur me dhurimin e gjakut. Afati dyvjeçar pritet të përfundojë në tetor apo nëntor, periudhë kjo në të cilën ekspertët besojnë se edhe nisi përhapja e virusit. Zyrtarët kinezë kanë bërë të ditur se po bëhen gati për testimet dhe kanë konfirmuar se ato do të nisin sapo të përfundojë afati dyvjeçar i mostrave të gjakut.