Botë

Të paktën shtatë të vdekur nga një sulm terrorist në Somali

Të paktën shtatë persona, përfshirë ushtarë dhe civilë, u vranë në kryeqytetin e Somalisë sot pas një shpërthimi vetëvrasës me makinë që shënjestroi një pikë kontrolli të sigurisë pranë pallatit presidencial, ka thënë policia.

Paramedikët dhe forcat e sigurisë shkuan në vendngjarje, ndërsa të plagosurit u transportuan në spitale për trajtim. Shpërthimi gjithashtu shkatërroi disa automjete dhe tronditi shtëpitë në afërsi.

Ndërkaq, duke folur për shpërthimin dhe pasojat, dëshmitari okular Guuled Ibrahim tha për AA: “Shpërthimi ishte i madh. Pasi ndodhi shpërthimi, pati të shtëna me armë. Minuta më vonë, ne nxituam në vendngjarje dhe ishte e tmerrshme, me shumë konfuzion”.

Një zëdhënës i policisë somaleze konfirmoi gjithashtu se sulmi u shkaktua nga një bombë vetëvrasëse me makinë.

Grupi terrorist Al-Shabaab i lidhur me Al-Kaedën mori përgjegjësinë për shpërthimin menjëherë pas sulmit.

E njëjta organizatë ka qenë pas sulmeve të shumta të ngjashme në të gjithë vendin.