Qeveria spanjolle ka kërkuar ekstradimin e ish-liderit të Katalonjës, Carles Puigdemont, për t’u përballur me akuzat për kryengritje vetëm pak orë pas arrestimit të tij nga policia italiane në Sardenjë.
Ish-presidenti i rajonit të Katalonjës pritet që të paraqitet në gjykatën e qytetit italian, më vonë, gjatë të premtes. Avokatët e tij kanë thënë se gjykata pritet ose t’ia konfirmojë arrestimin, ose ta lirojë, por nuk do të vendosë rreth ekstradimit të tij.
Arrestimi është shoqëruar me emocione të përziera nga përkrahësit e tij, për shkak se mund të bllokojë tentimet e qeverisë spanjolle për bisedime me qeverinë e Katalonjës, lidhur me të ardhmen e rajonit.
Policia ka bllokuar rrugët kryesore të Barcelonës, pasi me qindra protestues u mblodhën para Konsullatës italiane, duke valëvitur flamujt e Katalonjës dhe duke bërtitur: “Puigdemonti është presidenti ynë”.
Ish-lideri katalonjas ka jetuar në Belgjikë që prej vitit 2017, kur Spanja e akuzoi për organizimin e referendumit të pavarësisë së rajonit, të cilin gjykatat shtetërore e kishin cilësuar si të jashtëligjshëm. Ai është zgjedhur për anëtar të Parlamentit Evropian që prej vitit 2019 dhe gëzonte imunitet nga përndjekja ligjore, porse ky imunitet i ishte revokuar disa muaj më vonë.
Puigdemont është arrestuar nga policia kufitare italian kur mbërriti në Sardenjë nga Brukseli për të marrë pjesë në një ngjarje kulturore.