Aprovimi i përzierjes së ilaçit casirivimab me përbërje të antitrupave monoklonalë dhe indevimabit, që përmban proteinën majë të virusit SARS-CoV-2, është dhënë vetëm për një grup të caktuar të pacientëve. Me këtë lloj kombinimi ishte trajtuar më herët ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kur ishte infektuar me koronavirus
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar të premten se ka dhënë rekomandimin për përdorimin e një përzierjeje të antitrupave monoklonalë, të zhvilluar nga kompania amerikane e bioteknologjisë “Regeneron” dhe të nxjerrë në treg nga gjiganti farmaceutik zviceran “Roche”, si trajtim për COVID-19 mes disa pacientëve të caktuar.
Kombinimi i dy ilaçeve, casirivimab me përbërje të antitrupave monoklonalë dhe indevimab, që përmban proteinën majë të virusit SARS-CoV-2, ndikon në neutralizimin e virusit dhe e parandalon atë që t’i infektojë më tutje qelizat njerëzore, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle”.
Është ky trajtimi i tretë që ka marrë miratimin e OBSH-së për kurimin e COVID-19.
Përzierja e këtyre ilaçeve, që në treg është hedhur si REGEN-COV në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ronapreve gjetkë nëpër botë, është rekomanduar ndërkaq vetëm për një grup të caktuar pacientësh, kryesisht ata që kanë sëmundje të diagnostikuara më herët apo që janë të rrezikuar të preken nga forma më e rëndë e sëmundjes COVID-19, prej së cilës mund të përfundojnë në njësinë intensive.
“Për të gjithë pacientët e tjerë me COVID-19, përfitimet nga ky lloj i trajtimit me antitrupa nuk besohet se mund të jetë domethënës”, ka bërë të ditur OBSH-ja, raporton DW.
Duke e publikuar rekomandimin në revistën shkencore “British Journal of Medicine”, trupi më i madh shëndetësor i OKB-së ka cituar të dhënat nga një studim i gjerë britanik dhe nga tri testimet e kryera deri më tani, por që ende nuk i janë nënshtruar rishikimit më të gjerë shkencor.
Kjo përzierje e ilaçeve, kujton “Deutsche Welle”, kishte tërhequr vëmendje në mbarë botën kur mjekët në qendrën shëndetësore amerikane “Walter Reed” e kishin trajtuar me të ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kur ai ishte prekur nga COVID-19.
Asokohe, OBSH-ja i ishte bashkuar organizatës “Mjekë pa kufij” në shprehjen e dyshimeve lidhur me koston e lartë të këtij trajtimi.
“Shëndeti publik në të gjithë globin do të varet nga prodhuesit farmaceutikë dhe nga qeveritë që punojnë bashkërisht për uljen e kostos, veçanërisht në vendet në zhvillim”, ka njoftuar agjencia shëndetësore e OKB-së, duke shtuar se edhe agjencitë e tjera janë përfshirë në bisedimet rreth çështjes me gjigantin “Roche”.
“Mjekët pa kufij” kanë bërë të ditur se Regeneroni ka aplikuar për patentë në të paktën 11 shtete më të varfra.
Japonia ishte vendi i parë në botë që e kishte autorizuar përdorimin e këtij trajtimi, në korrikun e vitit të shkuar. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India, Zvicra dhe Kanadaja tanimë e kanë miratuar kombinimin e këtyre ilaçeve si trajtim emergjent.