Liderët politikë nga Europa dhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl në Parlamentin Europian.
Liderët si Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Theresa May ishin të pranishëm në Strasbourg për t’i dhënë lamtumirën Kohlit, i cili cilësohet si “babai i unifikimit të gjermanëve”.
“Helmut Kohl ishte europian dhe shok i vërtetë. Europa i ka shumë borxh”, ka thënë presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, lideri i vetëm i tanishëm europian që ka punuar me të ndjerin Kohl.
Gjatë karrierës së tij 16-vjeçare si lider i Gjermanisë prej vitit 1982 deri më 1998, Kohl udhëhoqi riunifikimin në vitin 1990 dhe ishte arkitekt i valutës së përbashkët në Europë, euros, transmeton Koha.net.
“Helmut Kohl na dha mundësinë që të përfshihemi në diçka që ishte më e madhe se ne”, ka thënë Bill Clinton, i cili citoi synimin e Kohlit që të vendoste bashkëpunimin ndërkombëtar para interesave kombëtare.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila shërbeu si ministre e Kohlit gjatë viteve ’90, e kujton ish-shefin e saj si figurë kundërthënëse e asaj kohe që kishte shumë armiq.
“Mund të ju tregoj shumë rrëfime... por këto nuk krahasohen me arritjet e tij jetësore. Jetët e miliona njerëzve tani do të ishin ndryshe pa Helmut Kohlin – përfshirë edhe jetën time”, ka thënë Merkel.