Botë

Gazpromi përfundon ndërtimin e gazjellësit nga Rusia në Gjermani

Kompania ruse e energjisë “Gazprom” ka deklaruar se ka përfunduar ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të përçojë gazin natyror nga Rusia në Gjermani.

Duke rrjedhur nën detin Baltik, ky gazsjellës do të dyfishojë eksportet e gazit nga Moska në Gjermani duke iu shmangur Ukrainës, i cili mbështetet për të hyra, në gazsjellësit ekzistues.

Pavarësisht se ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, nevojitet edhe certifikimi nga rregullatori gjerman, një proces ky që kërkon deri në katër muaj kohë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë frikë ndërkohë se gazsjellësi do të rritë varësinë energjetike të Evropës ndaj Rusisë. Ndërkaq, bëhet e ditur se humbja e tarifave të tranzitit do të godiste rëndë ekonominë e Ukrainës.

Presidenca ukrainase e ka kundërshtuar Nord Stream 2, të cilën presidenti Volodymyr Zelensky e ka përshkruar si “armë e rrezikshme gjepolitike”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë ndërkohë se mund të vendosen sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse ajo përdor gazsjellësin kundër Ukrainës.

Puna për ndërtimin e gazsjellësit të gjatë 1,225km mori pesë vjet kohë dhe ka kushtuar 11 miliardë dollarë.

Bizneset gjermane kanë bërë investime të mëdha në këtë projekt ndërkaq ish-kancelari Gerhard Schröder po e udhëheq atë.