Botë

Greqia me thirrje për shmangien e udhëtimeve të panevojshme

Greqia e përballur me valë të të nxehtit ekstrem u ka tërhequr vërejtjen qytetarëve që të mos ndërmarrin udhëtime dhe punë të panevojshme, teksa temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius.

Shkaku i vapës, Akropolisi i lashtë është mbyllur për vizitorët. Temperaturat e larta kanë mbizotëruar në vend për ditë me radhë, ndërkaq meteorologët kanë bërë të ditur se të hënën dhe të martën e javës së ardhshme temperaturat mund të arrijnë në nivelin rekord për sivjet, duke shënuar 44 gradë celsius.

Si pasojë e valës së të nxehtit, autoritetet greke kanë paralajmëruar për rrezik të lartë nga zjarret. Hulumtuesit grekë për ngrohjen globale kanë thënë se shumë më shpesh gjatë vitit do të ketë mbrëmje tropikale, gjatë së cilave temperaturat do të arrijnë deri në 30 gradë celsius. Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve ka kërkuar nga grekët që të shmangin udhëtimet dhe punën e panevojshme.

Greqia ka një historik të gjatë tragjedish të ndërlidhura me temperatura të larta. Në vitin 1987, më shumë se 1 mijë persona kishin vdekur në njërën prej javëve më të nxehta në histori. Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit, zjarrfikësit janë përballur me më shumë se 40 vatra zjarri që janë ashpërsuar nga erërat e fuqishme.