Ish-kardinali Theodore McCarrick, ndaj të cilit ishte konfirmuar se kishte ngacmuar seksualisht të rritur e po ashtu fëmijë, është akuzuar po ashtu për ngacmim seksual të një adoleshenti, gjatë një dasme në vitet 1970, bëhet e ditur nga një gjykatë.
Dokumentet e Gjykatës të siguruara nga The Boston Globe, tregojnë se ndaj McCarrickut janë ngritur tri akuza të sulmit të pahijshëm ndaj një personi mbi 14 vjeç.
McCarrick është kardinali i parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është akuzuar ndonjëherë për krime seksuale kundër minorenëve, sipas Mitchell Garabedian, një avokat i mirënjohur për viktima të abuzimeve seksuale kishtare, i cili po mbron edhe viktimën e re që dyshohet se është i abuzuar nga McCarrick.
“Kërkohet shumë guxim për një viktimë të abuzimit seksual që të raportojë se ka qenë i abuzuar seksualisht”, ka thënë Garabedian.
Mirëpo, Barry Coburn, avokat i McCarrick, ka thënë për Associated Press se ata “mezi po presin të adresojnë çështjen në sallën e gjyqit”.
Një raport i gjykatës thotë se viktima u ka thënë hetuesve se McCarrick ishte një mik i familjes së tij dhe se kishte nisur të abuzonte me të kur ishte ende fëmijë. Sipas tij, McCarrick e kishte kapur atë me duar kur ishte vetëm 16 vjeç, në vitin 1974 derisa po ecnin në Kampusin ku po mbahej dasma e vëllait të tij.
McCarrick, 91-vjeçar ishte privuar nga statusi i tij kishtar nga Papa Françesku në vitin 2019, pasi një hetim i Vatikanit kishte konfirmuar thashethemet e disa dekadave se ai ishte një grabitqar seksual.