Botë

Brenda qendrës kineze për asimilimin e ujgurëve myslimanë

Sidoqoftë, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve, provat tregojnë se Nr. 3 ishte me të vërtetë një kamp internimi. Një fotografi e Reutersit në shtatorin e vitit 2018 tregon se objekti quhej “Qendra e Arsimit dhe Trajnimit të Shkathtësive Profesionale Urumqi”.

Të burgosurit ujgurë me uniforma u ulën në rreshta me këmbët e kryqëzuara në shpinat e tyre drejt. Kanë numrat dhe janë shënjuar. Shikonin filmin bardhezi të historisë së Partisë Komuniste të Kinës.

Qelia është pjesë e 240 sosh që vlerësohen si njëri prej seksioneve të Qendrës së Paraburgimit Nr.3 në Urumqi të Dabanchengut. Këto qendra i kanë parë gazetarët e Associated Press, të cilët siguruan qasje gjatë turneut të udhëhequr nga shteti kinez në rajonin perëndimor të Xinjiangut. Qendra e paraburgimit është më e madhja në vend dhe ndoshta në botë, me një kompleks që shtrihet në mbi 220 hektarë, dy herë më i madh se vetë qyteti i Vatikanit. Një shenjë në pjesën e përparme e identifikonte atë si “kanshousuo”, qendër paraburgimi.

Zyrtarët kinezë nuk pranuan të tregojnë sa të burgosur ishin atje, duke thënë se numri ndryshonte. Por, AP-ja vlerësoi se qendra mund të mbante afërsisht 10,000 njerëz dhe shumë më tepër nëse është plotësisht e mbushur me njerëz, bazuar në pamjet satelitore dhe nga qelitë që u panë gjatë turneut në rajonin e ujgurëve myslimanë. Teksa BBC-ja dhe Reutersi kanë raportuar për qendrën nga jashtë, AP-ja është mediumi i parë që siguroi qasje brenda qendrës së mbajtjes.

Kjo qendër e mbajtjes konfirmon se Kina ende mban dhe planifikon të mbajë në paraburgim një numër të madh ujgurësh dhe pakicash tjera kryesisht myslimane. Pamjet satalitore shfaqin ndërtesat e reja që shtriheshin gati një milje larg. Këto ndërtesa janë ndërtuar gjatë vitit 2019.

Kina e ka arsyetuar mbajtjen e më shumë se një milion ujgurëve myslimanë si “luftë kundër terrorit”. Mbajtja në qendrat e ndryshme nisi pas një serie të sulmeve me thika dhe me bomba nga ekstremistët me origjinë ujgure në Xinjiang. Të ashtuquajturat “qendrat e trajnimit profesional” janë më të diskutueshmet. Ish të burgosurit i kanë përshkruar si kampe brutale internimi që janë të rrethuara me gjemba dhe ruhen nga rojet e armatosura.

Kina në fillim mohoi ekzistencën e këtyre qendrave, por pastaj shkaku i kritikave të mëdha ndërkombëtare, deklaroi në vitin 2019 se të gjithë ata që qëndruan në këto qendra, ishin “diplomuar”. Por, pas vizitës së AP-së në Dabancheng, pamjeve satelitore dhe intervistave me ekspertët dhe ish të burgosurit, faktet flasin për të kundërtën. Këto “qendra trajnimi’ ishin të mbyllura dhe u shndërruan në burgje. Janë ndërtuar edhe objekte të reja, përfshirë qendrën e re prej 85 hektarësh, tregojnë pamjet satelitore.

Ndryshimet duket të jenë një përpjekje për të kaluar nga “qendrat e trajnimit” të improvizuara dhe jashtëgjyqësore në një sistem më të përhershëm të burgjeve dhe ambienteve të paraburgimit të arsyetuara sipas ligjit. Ndërsa disa ujgurë janë liruar, të tjerët thjesht janë zhvendosur në këtë rrjet burgjesh.

Sidoqoftë, studiuesit thonë se shumë njerëz të pafajshëm shpesh hidheshin në paraburgim për gjëra të tilla si shkuarja jashtë vendit ose pjesëmarrja në tubime fetare. Darren Byler, antropolog që studion ujgurët në Universitetin e Kolorados, vuri në dukje se shumë të burgosur nuk kanë kryer “krime të vërteta” dhe se kalojnë procese gjyqësore pa procedurën e duhur.

“Po kalojmë nga një shtet policor në një shtet të burgimit në masë. Qindra mijëra njerëz janë zhdukur”, thotë Byler. “Është kriminalizim i sjelljes normale”.

Gjatë turneut në Dabancheng, zyrtarët kinezë vazhdimisht janë distancuar nga “qendrat e trajnimit”, që sipas Pekinit, janë mbyllur.

“Nuk ka asnjë lidhje mes qendrës sonë të paraburgimit me qendrat e trajnimit”, këmbëngulte Zhao Zhongwei, drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike në Urumqi. “Një e tillë kurrë nuk ka ekzistuar këtu”.

Qendra numër 3

Zyrtarët kinezë, gjithashtu, thonë se qendra numër 3 ishte provë e angazhimit të Kinës për rehabilitim dhe sundim të ligjit dhe të burgosurve që u sigurohej ushqimi i nxehtë, ushtrime fizike, qasje në këshilltarët ligjorë dhe klasat televizive, në të cilat u ligjërohej për krimet e tyre. Sipas zyrtarëve kinezë, të drejtat e tyre mbrohen dhe vetëm shkelësit e ligjit duhet të shqetësohen për mbajtjen në qendrën e paraburgimit.

“E shihni, raporti i BBC-së thoshte se ky është një kamp riedukimi. Nuk është kamp, është qendër ndalimi”, thotë Liu Chang, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Sidoqoftë, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve, provat tregojnë se Nr. 3 ishte me të vërtetë një kamp internimi. Një fotografi e Reutersit në shtatorin e vitit 2018 tregon se objekti quhej “Qendra e Arsimit dhe Trajnimit të Shkathtësive Profesionale Urumqi”. Dokumentet publike të mbledhura nga Shawn Zhang, student i Drejtësisë në Kanada, konfirmojnë që një qendër me të njëjtin emër ishte porositur të ndërtohej në të njëjtin vend në vitin 2017.

Të dhënat tregojnë, gjithashtu, se organizata kineze Hengfeng Information Technology fitoi një kontratë prej 11 milionë dollarësh për pajisjen e “qendrës së trajnimit” Urumqi. Një burrë që iu përgjigj thirrjes telefonike nga kjo organizatë, konfirmoi se kishte marrë pjesë në ndërtimin e “qendrës së trajnimit”, por Hengfeng nuk iu përgjigj kërkesave të mëtejshme për komente.

Një ish-kontraktor ndërtimi që vizitoi strukturën Dabancheng në vitin 2018, tha për AP-në se ishte e njëjtë me “Qendrën e Arsimit dhe Trajnimit të Shkathtësive Profesionale Urumqi” dhe ishte shndërruar në një qendër paraburgimi në vitin 2019, me emrin e ndërruar. Nuk pranoi t’i përmendej emri nga frika e hakmarrjes ndaj familjes së tij.

“Të gjithë ish-studentët brenda u bënë të burgosur”, thotë ai.

Kontroll i rreptë

Kompleksi i gjerë rrethohet nga mure prej betoni të gjata 25 metra të pikturuara blu, kulla vrojtimi dhe tela elektrikë. Zyrtarët i drejtuan gazetarët e AP-së përmes hyrjes kryesore, kaluan skanimin e fytyrës dhe rojet që mbanin armët e kamufluara.

Në një cep të kompleksit, të burgosurit e maskuar u ulën në një formim të ngurtë. Të gjithë dyshohet se ishin ujgurë. Zhu Hongbin, drejtor i qendrës, përplasi njërën prej dritareve të qelisë. “Janë të pathyeshme”, thotë ai.

Në dhomën e kontrollit, stafi shikonte kah ekranet cep më cep të murit. Ishin sytë e Zotit që shfaqnin pamjet nga secila qeli. Në një tjetër ekran luhej programi i transmetuesit shtetëror CCTV. Zhu thotë se programi u transmetohet të burgosurve.

“Kontrollojmë atë që ata shikojnë”, thotë Zhu. “Ne mund të shohim nëse ata po shkelin rregulloret, ose nëse mund të dëmtojnë ose vrasin veten e tyre”.

Qendra, po ashtu, shfaq klasat e videos, thotë Zhu. Këto klasa me video shërbejnë për t’i mësuar të burgosurit në lidhje me krimet e tyre.

“Ata duhet të mësohen pse është keq të vrasësh njerëz, pse është keq të vjedhësh”, thotë Zhu.

Njëzetedy dhoma me karrige dhe kompjuterë lejojnë të burgosurit të bisedojnë me avokatë, të afërm dhe polici përmes videos, pasi ata janë të lidhur në vendet e tyre. Poshtë korridorit, një dhomë e vogël shërben si zyrë e degës së Prokurorisë së Urumqit, në një shenjë tjetër të kalimit në një sistem zyrtar burgu.

Një dhomë mjekësore aty pranë përmban një rezervuar oksigjen dhe një dollap të mbushur me ilaçe. Udhëzimet e varura në mur udhëzojnë stafin në protokollin e duhur për t'u marrë me të burgosurit e sëmurë - dhe gjithashtu për të ushqyer me forcë të burgosurit në grevë urie duke u futur tuba në hundë.

Zhao, zyrtari tjetër, tha se të burgosurit mbahen për 15 ditë deri në një vit para gjyqit, në varësi të krimit të tyre të dyshuar dhe procesi ligjor është i njëjtë me pjesën tjetër të Kinës. Ai tha se qendra u ndërtua për t’i strehuar të burgosurit larg qytetit për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Qendër e madhe

Qendra e Paraburgimit Nr. 3 e Urumqit ka madhësinë e ishullit Rikers në New York City, por rajoni u shërben më pak se katër milion njerëzve krahasuar me gati 20 milionë për Rikers. Të paktën tri qendra të tjera të paraburgimit janë ndërtuar nëpër Urumqi, së bashku me dhjetë ose më shumë burgje.

Qendra Nr. 3 nuk dukej se ishte me kapacitet të plotë; një seksion është mbyllur zyrtarët dhe gjashtë deri në dhjetë të burgosur u ulën në secilën qeli, duke marrë vetëm gjysmën e stolave. Por, statistikat e fundit zyrtare të qeverisë, të disponueshme, për vitin 2019, tregojnë se kishte rreth dy herë më shumë arrestime në Xinjiang atë vit sesa para se të fillonte aksioni në vitin 2017. Qindra mijëra janë dënuar me burgim, shumica për pesë ose më shumë vjet.

Xu Guixiang, zëdhënës i Xinjiangut, i quajti nivelet më të larta të burgimit “masa të ashpra” në “luftën kundër terrorit”.

“Sigurisht, gjatë këtij procesi, numri i njerëzve të dënuar në përputhje me ligjin do të rritet. Ky është një tregues konkret i efikasitetit tonë të punës”, thotë Xu. “Duke marrë këto masa, terroristët ka më shumë të ngjarë të sillen para drejtësisë”.

Por shumë të afërm të të burgosurve thonë se ata u dënuan me akuza false dhe ekspertët paralajmërojnë që perde e sistemit ligjor Xinjiang është një flamur i kuq. Megjithëse Kina i bën të dhënat ligjore lehtësisht të arritshme përndryshe, pothuajse 90 për qind e të dhënave kriminale në Xinjiang nuk janë publike. Një pjesë e vogël e të cilave ka rrjedhur, tregon se disa janë akuzuar për “terrorizëm” ose “separatizëm” për veprime që pak njerëz do t'i konsideronin kriminale, të tilla si paralajmërimi i kolegëve kundër shikimit të pornografisë dhe sharjeve, ose lutja në burg.

Ujgurët “terroristë”

Studiuesi Gene Bunin zbuloi se ujgurët ishin detyruar të nënshkruanin deklaratat që autoritetet i cilësuan si “aktivitete terroriste”. Disa më pas u lanë të lirë, duke përfshirë një të ndaluar në strukturën Dabancheng, thotë një i afërm për Associated Press, duke refuzuar të tregonte identitetin për të shmangur ndëshkimin ndaj ish të arrestuarve.

Të tjerët nuk ishin. Raportet e policisë të marra nga Intercept detajojnë rastin e tetë ujgurëve në një lagje të Urumqit të ndaluar në objektin Dabancheng në vitin 2017 për leximin e teksteve fetare, instalimin e aplikacioneve për ndarjen e skedarëve ose thjesht cilësoheshin si persona që nuk duhet zënë besë. Në fund të vitit 2018, tregojnë raportet, prokurorët i thirrën ata në takime të improvizuara dhe i dënuan me dy deri në pesë vjet “studime”.

Gazetarët e AP-së nuk ishin dëshmitarë të ndonjë shenje torture ose rrahjeje në institucion dhe nuk ishin në gjendje të flisnin drejtpërdrejt me ndonjë ish-të burgosur ose të burgosur aktual. Por, një ujgure që ishte arratisur nga Xinjiang, Zumret Dawut, thotë se një shoqe tani e ndjerë që punonte në Dabancheng kishte parë një trajtim kaq brutal sa që i ra të fikët. Shoqja, Paride Amati, thotë se kishte parë adoleshentë të detyruar të nënshkruanin rrëfime duke pretenduar se ishin përfshirë në terrorizëm ndërsa studionin në Egjipt dhe lëkura e tyre ishte e mbuluar me gjak.

Një mësuese në Dabancheng, gjithashtu, e quajti qendrën “më keq se ferri”, sipas kolegut nga kampi tjetër, Qelbinur Sedik. Mësuesja tha se gjatë orëve të mësimit ajo mund të dëgjonte britmat e njerëzve që torturoheshin me shkopinj elektrikë dhe karrige hekuri.

Zyrtarët kinezë, gjithashtu, vazhdojnë të mohojnë se po mbajnë ujgurë me akuza të rreme. Poshtë rrugës nga qendra Nr. 3, muret e larta dhe kullat e rojeve ishin të dukshme në të njëjtin vend me institucionin e ri të paraburgimit të treguar në imazhet satelitore.

Kur u pyetën se çfarë ishte, zyrtarët u shfaqën injorantë. “Ne nuk e dimë se çfarë është”, thanë ata.