Problemi është se asnjë nga "anijet" në shitje në “China Market” në Bihaç të Bosnjës nuk është e duhura. Shumica janë gomone të vogla me ajër, që fëmijët i përdorin në kopshte gjatë muajve të verës. Shitësja thotë se dhjetëra refugjatë dhe emigrantë kërkojnë gomone, duke treguar fotot e tyre të fryra që refugjatët i kanë përdorur për të kaluar me sukses lumenjtë. Ata i kërkojnë të njëjtat modele
Deri në këtë pranverë familja, e cila ka qëndruar në Bosnjë që nga nëntori i vitit të kaluar, kurrë nuk kishte nevojë për një varkë; më parë, në muajt e ftohtë të dimrit, fshiheshin nën kamionë të destinuar për në Itali, ose blinin bileta në qytete të vogla kroate matanë kufirit me Bosnjën për trenat që shpinin për në Zagreb.
Por këto "lojëra" nuk funksionuan kurrë - gjithnjë u kapën nga policia dhe u kthyen përsëri në Bosnjë - kështu që tani ata po përpiqen me një anije. Askush nga pesë anëtarët e familjes nuk di të notojë, kështu që ata kanë vendosur të bëjnë atë që bëjnë shumë familje dhe burra vetëm, dhe të blejnë në një dyqan lokal një gomone.
Me gomone kineze

Në “China Market”, një dyqan me oferta zbritjeje, drejtuar nga emigrantë kinezë në Bihaç, kryeqyteti i kantonit Una-Sana, shihen pajisjet e ujit në pjesën e përparme të dyqanit. Kur “Al-Jazeera” e vizitoi dyqanin në qershor për të pyetur në lidhje me varkat për shitje, ishte e qartë që dyqani ishte pikë për refugjatët dhe emigrantët që hynin për të blerë gomone për të kaluar lumenjtë. Një shitëse pyeti me ton miqësor: "A është varka për ju apo për emigrantët?"
Problemi është se asnjë nga "anijet" në shitje në këtë dyqan nuk është e duhura. Shumica janë pishina të vogla me ajër, që fëmijët i përdorin në kopshte gjatë muajve të verës. Shitësja thotë se dhjetëra refugjatë dhe emigrantë kërkojnë gomone, duke treguar fotot e saj të pishinave të fryra që miqtë e tyre kanë përdorur për të kaluar me sukses lumenjtë. Ata i kërkojnë të njëjtat modele.
Hamidi bleu pishinën, e cila ka rreth dy metra katrorë madhësi, në të njëjtin dyqan në Bihaç për 40 euro, plus një pompë për ta fryrë në vlerë prej 7,50 eurosh. Familja përdori gomonen prej 10 kilogramësh, të cilën për orë të tëra e kishte fshehur nëpër pyll, për të kaluar në prill të këtij viti Glinën, pak mbi kufirin e Kroacisë.
Por përsëri familja u kap të nesërmen nga policia kroate para se të arrinin në lumin tjetër të madh, Kupa, afër qytetit të Karlovacit. Ata kishin udhëtuar 25 kilometra në mes të dy lumenjve në këmbë për tri ditë me radhë. Ata u kthyen përsëri në kufirin boshnjak me makinat e policisë kroate, kujton Hamidi, duke u kthyer edhe një herë në dhomën e tyre të vetme me qilima. Hamidi i ka thënë “Al-Jazeeras” se policia kroate ua konfiskoi gomonen dhe pompën, një tjetër sfidë e madhe financiare për familjen që jeton me paratë e dërguara nga të afërmit e tyre në Iran. Tani për tani ata ende po planifikojnë "lojën" e tyre të ardhshme.
Kur e pyesin nëse motra e tij ka frikë nga uji, Hamid buzëqesh lehtë dhe përgjigjet: "Pak". Nahida, e cila mezi flet pak anglisht, e kupton këtë shkëmbim dhe, duke tundur kokën, me sytë e hapur, thotë në farsi: "Kheyli", që do të thotë "shumë". Gomonia e çoi Nahidën, burrin e saj dhe fëmijët në Chios, kur djemtë ishin fëmijë, shpjegon Hamidi. Megjithëse gomonia nuk u përmbys dhe familja mbërriti sigurt në breg, përvoja nuk i është shkoqur nga mendja Nahidës, shkruan “Al-Jazeera”.
Kurban për fëmijët?

Prapëseprapë, familja do të rrezikojë edhe këtë herë me kalimin e lumenjve në Bosnjë dhe Kroaci. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër të vlefshme që ata të arrijnë në Kroaci, gjykojnë ata, dhe asnjë të ardhme për ta as në Bosnjë. Përveç kësaj, familje të tjera që ata njohin i kanë kaluar me sukses këta lumenj para tyre. Për shkak të djemve të saj të vegjël, Nahida është në gjendje të davaritë frikën nga uji dhe të bëjë atë që mendon se duhet bërë.
"Nëse jeni të traumatizuar rëndë nga përvojat në ujë, thjesht të qenët afër ujit do të ngjallë traumën tuaj të vjetër dhe nëse trauma juaj është mjaft e rëndë ju nuk do të jeni në gjendje të kaloni lumin fare", shpjegon psikiatrja Glatz Brubakk
“Refugjatët që mbërrijnë në Evropë me një traumë të rëndë do të kenë nevojë për më shumë ndihmë kur të bëhen fqinjët tanë. Nga pikëpamja njerëzore, politikat kufitare janë pa dyshim çnjerëzore", thotë ajo, duke iu referuar kampeve të mbipopulluara të refugjatëve në Greqi, ku azilkërkuesit mund të lëngojnë për vite me radhë duke pritur përgjigjen e kërkesave për azil; kthimet e dhunshme në Ballkan dhe qendrat famëkeqe të ndalimit të refugjatëve në Libi, ku torturat, përdhunimet dhe vrasjet janë ngjarje të përditshme.
“Nga një vështrim thjesht ekonomik, këto politika kufitare janë gjithashtu të krisura. Ne jemi duke shkaktuar dëm dhe dëmtime aty ku mund të ishin shmangur", thotë ajo. Trauma, shpjegon ajo, do të pengojë aftësinë e refugjatëve dhe emigrantëve për t'u bërë anëtarë të dobishëm dhe produktivë të shoqërisë pas vendosjen në shtetet e synuara.
“... menduan se ishim të çmendur!”
Një tjetër i ri – Sallahu, i cili sikurse të gjithë ka kërkuar të mos identifikohet nga frika e policisë – është një kurd iranian, i cili si të intervistuarit e tjerë për këtë pjesë, thotë se ai nuk ka frikë aspak nga uji. Në fillim të këtij muaji “Al-Jazeera” u bashkua me të në një kërkim rreth Velika Kladushës për të blerë dy gomone për dy familje kurde me fëmijë – miq të tij.
Vetë Sallahu nuk ka nevojë për një varkë, thotë ai. Krenar për vitet e tij të trajnimit si një luftëtar, 24-vjeçari pëlqen të tregojë historinë se si arriti në Lesbos. Gomonia, ku ishte ai, vëllai i madh i tij dhe disa dhjetëra azilkërkues të tjerë nga Turqia, përsëri ishte afër brigjeve greke në vitin 2019, por Sallahu u mërzit duke pritur që anija e shpëtimit aty pranë t'i merrte, tregon për “Al-Jazeeran”.
“Unë dhe vëllai im u hodhëm në det dhe notuam drejt anijes së shpëtimit. Kur mbërritëm, ata menduan se ishim të çmendur!” - kujton ai, duke qeshur.
Sallahu ka arritur deri këtu në udhëtimin e tij përmes kombinimit të forcës, rinisë dhe zgjuarsisë. Ai mburret se arriti të largohej nga Lesbosi në fillim të këtij viti duke i larë dokumentet e tij të azilit në alkool për disa ditë për t’ua hequr vulën me ngjyrë që ia ndalonte daljen nga ishulli. Kërkesës për azil ende s’i ishte dhënë përgjigje dhe nuk i kishte dokumentet e duhura për të lëvizur lirshëm nëpër Greqi.
Familjet me fëmijë të vegjël, megjithatë, nuk janë aq me fat sikurse Sallahu. Megjithëse vizitoi katër dyqane lokale gjatë pasdites, Sallahi arriti të blinte vetëm një varkë për njërën nga familjet. Familja tjetër do të duhet të udhëtojë në Bihaç - një orë udhëtim me autobus - për të blerë të tyren.
Së bashku me gomonen, Sallahu bleu një lopatë të vetme, të fundit që dyqani kishte në magazinë. Ai këmbëngul se vetëm një rrem nuk do të përbëjë problem. Familja do të gjejë një zgjidhje, thotë ai - ata gjithmonë e bëjnë.
Përgatiti: Rexhep Maloku