Të paktën 28 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë janë vrarë në jug të Gazës teksa Izraeli ka vazhduar ofensivën kundër grupit militant të Hamasit.
25 prej viktimave janë nga një sulm ajror.
Shumica prej tyre janë të një familjeje, ndërkaq të vrarët e tjerë ishin palestinezë të zhvendosur që po strehoheshin në pjesën jugore të Gazës.
Ofensiva e Izraelit ka vazhduar pas përkrahjes që mori nga Shtetet e Bashkuara, ani pse komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar me numrin e madh të civilëve të vrarë.
Në luftën mes Izraelit dhe Hamasit kanë mbetur të vrarë më shumë se 19 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Janë zhvendosur 1.9 milion palestinezë nga shtëpitë e tyre në veri të Gazës që është bërë rrafsh me tokë.
Në javët e fundit Izraeli është përqendruar në jug. Qyteti i Rafah është cak i bombardimeve izraelite.
Të martën, ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një financier të Hamasit në qytetin palestinez.