Botë

Rritet numri i të vdekurve nga COVID-19 në Rusi

koronavirusi

Rusia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi brenda 24 orëve të fundit, që nga fillimi i pandemisë, gjatë valës të nxitur nga varianti Delta.

Mediat e huaja shkruajnë se gjatë kësaj periudhe u regjistruan 652 të vdekur dhe 20.616 raste të reja pozitive, duke kaluar “rekordin” e mëhershëm, në dhjetor të vitit të kaluar ku ishin regjistruar 635.

Shën Petersburg po ashtu raportoi një numër të madh të të vdekurve, gjithsej 119.

Epiqendra e pandemisë në Rusi, Moska, ka regjistruar 121 të vdekur nga koronavirusi. Zyrtarët e shtetit kanë marrë masa, duke i detyruar bizneset t’i pranojnë klientët vetëm pasi të vërtetojnë se kanë marrë vaksinën, kanë testin PCR negativ apo kanë imunitet të mjaftueshëm, i vërtetuar dokumente mjekësore.

Që nga fillimi i pandemisë, në Rusi kanë vdekur 134.545 persona nga koronavirusi, derisa janë regjistruar mbi 5.5 milionë persona pozitivë.