Botë

BE-ja paralajmëron masa kundër Hungarisë anëtare shkaku i ligjit LGBT

Komisioni Evropian pritet të marrë masa ndaj Hungarisë lidhur me shkurtimin e të drejtave të komunitetit LGBT. Kjo pasi gjatë javës së kaluar parlamenti hungarez e miratoi ligjin i cili e ndalon shpërndarjen e materialit shkollor që promovon homoseksualizmin dhe ndryshimin e gjinisë.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ligji hungarez është për turp. Ajo ka theksuar se BE-ja do të jetë e pakompromis për sa u përket dinjitetit njerëzor, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Presidenti i Hungarisë pritet ta nënshkruajë së shpejti këtë ligj. Një vit para zgjedhjeve, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka ashpërsuar betejën rreth çështjeve sociale, duke theksuar se synon t’i ruajë traditat dhe vlerat krishtere karshi liberalizmit të tepruar perëndimor.