Në konferencën e përbashkët për gazetarë me presidentin francez, kancelarja gjermane ka bërë të ditur se vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë, me gjithë mospajtimet rreth çështjeve të shumta, nisur prej konfliktit në lindje të Ukrainës e deri te Siria
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez kanë paralajmëruar të premten se Bashkimi Evropian po përballet me “sfida madhore” që po i kanosen prej Rusisë dhe Turqisë aleate në NATO.
Një paralajmërim të tillë dyshja e liderëve më të pushtetshëm evropianë e ka bërë gjatë një takimi për diskutimin e çështjeve më të rëndësishme evropiane, në prag të samitit të BE-së në javën e ardhshme.
Në konferencën e përbashkët për gazetarë, Merkel ka bërë të ditur se blloku duhet t’i mbajë të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë, me gjithë mospajtimet rreth çështjeve të shumta, nisur prej konfliktit në lindje të Ukrainës e deri te Siria.
“Rusia është një sfidë e madhe për ne, por është njashtu edhe një fqinj kontinental i Bashkimit Evropian dhe duhet të garantojmë që të gjitha sulmet hibride të saj të ndalen”, ka theksuar kancelarja gjermane, duke folur nga Berlini. “Është në interes tonin që ta vazhdojmë dialogun me Rusinë po qe se duam siguri dhe stabilitet në Bashkimin Evropian, sado e vështirë që të jetë”.
Nga ana tjetër, Macroni ka shprehur darkordimin me komentet e Merkelit, duke specifikuar se duhet gjetur një linjë e përbashkët në relacion me Moskën zyrtare.
Gjatë kësaj jave, presidenti amerikan Joe Biden është ulur për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, në samitin me tensione të larta në Gjenevë.
“Mendoj se të gjithë mund të jemi të lumtur se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar përsëri një klimë bashkëpunimi, në të cilin akëcili padyshim se duhet që ta kryejë hisen e vet të punës”, ka thënë Merkeli.
Lidhur me marrëdhënien e bllokut me Turqinë, Merkeli ka specifikuar qëndrimet e kundërta mes dy palëve.
“Në njërën anë kemi dallime në qëndrime. Në anën tjetër ne jemi të varur njëri prej tjetrit po qe se duam që t’i zgjidhim bashkërisht disa çështje. Është çështja e emigracionit, është edhe çështja e së ardhmes së Libisë dhe ajo e së ardhmes së Sirisë”, ka numëruar Merkeli.
Dy liderët kanë prekur edhe çështjen e lehtësimin e masave kufizuese për frenimin e përhapjes së COVID-19 në vendet e BE-së. Për këtë çështje, Macroni ka thënë se vendet anëtare duhet t’i koordinojnë më mirë politikat e tyre të hapjes së kufijve, një temë kjo që pritet të jetë në agjendën e samitit të javës së ardhshme.
“Disa vende i kanë hapur kufijtë më herët për shkak të industrisë së turizmit, por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i importojmë variantet e reja të koronavirusit”, ka theksuar ai, duke shtuar se BE-ja është duke e vrojtuar me kujdes përhapjen e variantit më të bartshëm të koronavirusit, Delta në Mbretërinë e Bashkuar.
Merkeli ka thënë, ndërkaq, se derisa Gjermania aktualisht ka numër relativisht të ulët të rasteve të reja me COVID-19, varianti Delta mund ta ndryshojë peizazhin.
“Nuk mund të sillemi sikurse koronavirusi ka marrë fund”, ka thënë ajo. “Kujdesi është ende i nevojshëm, ashtu që ta kemi një verë me më shumë liri, nëse jo me të gjitha liritë”.
Më herët gjatë së premtes, autoritetet gjermane kanë paralajmëruar se varianti Delta mund të jetë forma dominuese e koronavirusit në Gjermani gjatë vjeshtës.
Takimi me Macronin, në formën e një darke punuese, ka shënuar të parën herë gjatë këtij viti që Merkeli ka pritur një lider të huaj në Gjermani. Të dy liderët kanë marrë pjesë në Samitin e G7-s në Cornwall të Anglisë në fillim të muajit, si dhe në atë të NATO-s në Bruksel gjatë së hënës.
Përktheu: Nita Lleshi