Botë

Samiti Biden–Putin: Pak pajtime e shumë ndasi

 

Me gjithë dakordimin për t’i rikthyer ambasadorët në postet e tyre në Washington dhe Moskë dhe planin për ta filluar punën drejt zëvendësimit të traktatit të fundit të mbetur mes dy vendeve për kufizimin e armëve bërthamore, të dy liderët kanë shfaqur qëndrime diametralisht të kundërta për problemet më të vështira në samitin që nisi disi sikletshëm dhe përfundoi goxha para kohe

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin kanë përmbyllur të mërkurën samitin e tyre me një marrëveshje për t’i rikthyer ambasadorët në postet e tyre në Washington dhe Moskë, e me planin për ta filluar punën drejt zëvendësimit të traktatit të fundit të mbetur mes dy vendeve për kufizimin e armëve bërthamore. Por, të dy liderët kanë shfaqur qëndrime diametralisht të kundërta për problematikat e vështira, përfshirë sulmet kibernetike me origjinë nga Rusia.

Putini ka insistuar sërish se vendi i tij nuk kishte të bënte me sulmet e tilla, megjithëse Inteligjencia amerikane ka konstatuar të kundërtën. Bideni, nga ana tjetër, ka thënë se ia ka bërë të qartë Putinit që Rusia ka shkelur vija të caktuara të kuqe, për të cilat administrata e tij do të përgjigjet dhe “pasojat e së cilave do të jenë shkatërrimtare”.