8 perditesime
19:59

Bideni thotë se ia sqaroi tri gjëra Putinit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se e ka kryer misionin për të cilin ka dashur të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Duke folur para mediave, pas takimit me Putin, Bideni ka deklaruar se ishte e rëndësishme për të që të takohej personalisht me Putinit në mënyrë që të mos keqkuptoheshin qëllimet e tij.

Ai tha se ia sqaroi Putinit tri gjëra.

“E bëra atë për të cilën erdha këtu. E para: të identifikojë hapësirat e punëve që dy vendet tona mund t’i bëjnë për të avancuar interesat tona të përbashkëta dhe nga kjo të përfitojë bota. Dy: të komunikoj drejtpërdrejtë me të, dhe t’i them që SHBA-ja do t’i kundërpërgjigjet veprimeve që prekin interesat tona jetësore dhe të aleatëve tanë dhe tre: t’i sqarojë prioritetet e vendit tonë dhe vlerat tona, kështu që ai i dëgjoi të gjitha këto prej meje”, është shprehur Bideni.

Ai ka shtuar se takimi mes tyre ka zgjatur rreth katër orë, dhe ishte një takim pozitiv.


Bideni i quan qesharake krahasimet e Putinit mes ngjarjeve në SHBA dhe Rusi

Presidenti amerikan, Joe Biden, është pyetur nga gazetarët nëse i beson homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Bideni ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me besimin por me interesin vetjak, duke shtuar se është më e mira që të pritet dhe të shihet se çka do të ndodhë më tutje.

Bideni i ka komentuar edhe krahasimet që ka bërë Putini mes ngjarjeve në Rusi dhe SHBA, duke përmendur trazirat e janarit në Kongresin amerikan.

Ai ka qeshur duke e quajtur këtë një “krahasim qesharak”.

“Në njërën anë ke kriminelë që provojnë të marrin në dorë Kongresin amerikan. Ndërkaq, në Rusi ke njerëz që kundërshtojnë në mënyrë paqësore, njerëz të cilët nuk lejohen të flasin lirshëm”, ka thënë Biden.

19:48

Bideni paralajmëron se çka mund t’i ndodhë Rusisë nëse vdes Navalny

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se Rusia do të përballej me pasoja shkatërruese, nëse lideri opozitar i presidentit rus, Vladimir Putin, Alexei Navalny vdes.

“Rusia po mundohet dëshpërimisht të mbajë qëndrimet e saj si fuqi botërore. Humbja e këtij statusi do të jetë çmimi që ata do të paguajnë, për ndërhyrje të vazhdueshme. Ata nuk janë në gjendje të diktojnë se çka ndodh në botë. E njëjta gjë do të ndodhë nëse Alexei Navalny vdes. Pasojat për Rusinë do të ishin shkatërruese”, ka deklaruar Biden.

19:31

Biden: Agjenda ime nuk është kundër Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se agjenda e tij nuk është kundër Rusisë por është për popullin amerikan.

Bideni ka deklaruar në konferencën për media pas takimit me homologun e tij rus, Valdimir Putin, se dëshiron që Putini të kuptojë "se përse e them atë që e them dhe pse e bëj atë që e bëj".

“I thash presidentit Putin se agjenda ime nuk është kundër Rusisë apo kujtdo tjetër, agjenda ime është për popullin amerikan”, është shprehur Bideni.

Ai ka shtuar se të drejtat e njerëzve do të jenë gjithmonë çështje diskutimi nga SHBA-ja.

“Si mund të jem president i SHBA-së dhe të mos flasë për dhunimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë presidenti Biden.


Biden: Disa rrugë kibernetike janë jashtë kufijve

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar disa rrugë kibernetike të cilat siç ka thënë, janë “jashtë kufijve”.

Bideni, ka deklaruar gjatë konferencës për media pas takimit me presidentin rus, Putin se Rusia është pajtuar parimisht lidhur me sulmet kibernetike mirëpo ka deklaruar se parimet duhet të mbështeten në praktikë.

“Rusia është pajtuar për këtë në parim. Parimet janë një gjë, ato duhet të mbrohen në praktikë”, ka thënë Bideni.

18:41

Putin: Nuk duam të jemi si SHBA-ja

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia i pëlqen ndodhitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo nuk dëshiron që ato të ndodhin edhe në Rusi.

Putin është irrituar kur është pyetur nga një gazetare gjatë konferencës për media pas takimit me presidentin amerikan, Biden, rreth trajtimit që u bën kundërshtarëve të tij politikë.

Putini për këtë i është referuar trazirave të 6 janarit në Kongresin Amerikan duke thënë se Rusia nuk e dëshiron atë lloj të “kaosit” brenda shtetit të vet.

“Njerëzit shkaktuan trazira brenda Kongresit me kërkesat e tyre politike. Ata u kërcënuan me burgim prej 20-25 vjet. Ne e simpatizojmë atë që ndodh në Shtetet e Bashkuara por ne nuk do të donim që ato të ndodhnin në Rusi”, ka deklaruar Putin.

Putin po ashtu, ka lënë të kuptohet se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk e ka ftuar për vizitën në Shtëpinë e bardhë. Ai ka thënë po ashtu se nuk e ka ftuar edhe vet Bidenin në Moskë.

“Besoj se për të ndodhur takime të tilla dhe vizita të tilla, duhet të ketë parakushte të duhura”, ka thënë Putin.

Ai ka shtuar se presidenti amerikan ka ngre edhe çështjen e qytetarëve amerikanë që janë të burgosur në Rusi.

Putin ka thënë se mund të ketë kompromise me Washingtonin sa i përket shkëmbimit të burgosurve, por nuk ka dhënë detaje.

I pyetur nga një gazetar se cili e ka “fituar” takimin. Putin ka thënë se nuk ishte garë.

“Kjo nuk ishte garë. Ishte një takim i frytshëm dhe produktiv”, ka thënë Putin.


Putini i përgjigjet pyetjes së një vajze 9-vjeçare

Një gazetare kandeze, i ka përcjellë presidentit rus, Vladimir Putin, pyetjen e vajzës së saj 9-vjeçare lidhur me atë se përse në Rusi, fëmijët e moshës së vajzës së saj nuk mund të protestojnë.

Putini i është përgjigjur me një gjuhë gjithpërfshirëse duke treguar për rëndësinë e ndërtimit të një bote më të mirë. Më pas ai ka lëshuar sallën e konferencës duke e shpallur të mbyllur konferencën e tij, pas takimit me presidentin amerikan, Joe Biden.

18:18

Putini komplimenton Bidenin: Është shumë ndryshe nga paraardhësi i tij

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka dhënë një kompliment të rrallë presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Ai e ka përshkruar Bidenin si një “burrështetas me përvojë”.

Ata folën në detaje për dy orë, ka thënë Putin, diçka që nuk mund të bëhet sipas tij me shumicën e politikanëve.

“Ai është shumë ndryshe nga presidenti Trump”, ka thënë Putin.

Putini ndërkohë ka folur edhe për shqetësimet e Washingtonit në lidhje me militarizimin rus të Arktikut.

Putin ka thënë se këto shqetësime janë të pabaza.

Ai thotë se Rusia po e rikthen infrastrukturën e epokës Sovjetike në rajon, por Moska dëshiron t’i përmbahet plotësisht ligjeve ndërkombëtare sa i përket detit verior.

Ai thotë se SHBA-ja dhe Rusia duhet të bashkëpunojnë në Arktik.


Putin: Ka burgje të CIA-s nëpër botë ku po torturohen njerëzit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pasi e ka përshkruar presidentin e SHBA-së, Joe Biden si ndryshe nga liderët tjerë, ai ka kritikuar SHBA-në për dhunën me armë dhe për të drejtat e njeriut.

“Çdo gjë që ndodh në shtetet tona, në një mënyrë apo tjetër është përgjegjësi e vet liderëve, shikoni rrugët në Amerikë, çdo ditë ka vrasje. Nuk ke kohë as për të hapur gojën dhe të qëllojnë për vdekje”, ka thënë Putin.

Ai ka goditur duke pretenduar edhe për shkelje të të drejtave të njeriut. Ai ka thënë se ka burgje sekrete të CIA-së nëpër botë ku njerëzit po torturohen.

“A pajtohen të gjithë se kjo është mënyra se si mbrohen të drejtat e njeriut?” – ka shtuar Putin.


Të dyja vendet janë përgjegjëse për stabilitetin bërthamor, thotë Putini

Në përgjigje të pyetjeve në konferencën për shtyp, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Rusia dhe SHBA-ja do të shqyrtojnë ndryshimet në traktatin e zgjatur së fundmi për kontrollin e armëve, “New Start”.

Traktati “New Start” mbi armët bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë pritej se do të thyhet më 5 shkurt të këtij viti, pasi administrate Trump pati refuzuar ta miratojë zgjatjen e tij.

Të dyja vendet janë përgjegjëse për stabilitetin strategjik bërthamor, ka thënë Putini.

18:12

Putin: Siguria kibernetike e rëndësishme për dy shtetet

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se Rusia i ka ofruar SHBA-së informacione të shumta sa i përket sulmet e pretenduara kibernetike. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk ka reaguar.

Putin ka thënë se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme për dy vendet.

I pyetur nga një gazetar për sulmet kibernetike mes Rusisë dhe SHBA-së, ai ka thënë se me presidentin e SHBA-së, Joe Bidenin janë përkushtuar të diskutojnë për sigurinë kibernetike, raporton BBC.

“Ne besojmë se hapësira kibernetike është shumë e rëndësishme për dy shtetet”, ka shtuar Putin, duke cekur sulmet e fundit në sistemin e një naftësjellësi amerikan në Teksas, dhe sulmin në sistemin shëndetësor në Rusi.

“Nuk besoj se administrata amerikane është në veçanti e interesuar për këtë”, ka thënë Putin sa i përket sulmeve në Rusi. “Duhet të bëjmë është konsulta me ekspertë”.


Putin: Navalny donte të arrestohej

Putin në konferencë për media është pyetur edhe për arrestimin e liderit opozitar, Alexei Navalny. Ai i ka bërë thirrje për mbulim të paanshëm në lidhje me mbulimet mbi incidentin.

“Ky person e dinte se shkeli ligjin që ekziston në Rusi dhe është një recedivist. Ai e dinte shumë mirë se ishte në kërkim, por megjithatë u kthye në Rusi dhe ai qëllimisht donte të arrestohej. Ai bëri atë që donte”, ka thënë Putin, raporton BBC.

18:07

Putini thotë se diskutimet me Bidenin ishin “shumë konstruktive”

Pas përfundimit të takimit disa orësh mes presidentit amerikan dhe atij rus, të dy kanë planifikuar konferenca të ndara për mediat.

Presidenti i Rusisë, Vladimit Putin, i ka quajtur bisedimet “shumë konstruktive” duke shtuar se nuk mendon se kishte ndonjë “armiqësi”.

Ai ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për t’i rikthyer diplomatët e dëbuar nga vendet e njëri-tjetrit, raporton BBC.

Ai shtoi se kanë diskutuar për mundësinë që Ukraina t’i bashkohet aleancës së NATO-s – diçka për të cilën ai tha se “e kemi prekur”.

Putini ka thënë se Rusia ka dhënë informacione të bollshme SHBA-së për sulmet kibernetike të pretenduara. Shtoi se SHBA-ja nuk ka dhënë përgjigje.

17:55

Takimi Biden-Putin përfundon dy orë më herët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë përfunduar takimet në kuadër të samitit të tyre që është zhvilluar të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës.

Pjesa e dytë e bisedimeve mes presidentëve të dy superfuqive botërore , ka zgjatur rreth 65 minuta, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Ndonëse, ishte paraparë që takimi të zgjaste për katër deri në pesë orë, ai ka përfunduar pas më pak se tri orë diskutimesh.

Presidenti rus Putin është duke mbajtur konferencë për media para gazetarëve ndërkaq pas tij, këtë pritet ta bëjë edhe ai amerikan, Biden.

13:16

Bideni e Putini shtrëngojnë duart në Gjenevë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë shtrënguar duart në hyrje të samitit në Gjenevë, në mes tensionesh për akuzat ndaj njëri-tjetrit për shkelje të të drejtave të njeriut, për Ukrainën e sulmeve kibernetike.

Të dy u përshëndetën fillimisht nga presidenti zviceran para se të uleshin në një takim në të cilin pos dy presidentëve janë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Pos tyre janë edhe dy përkthyes.

Pas këtij takimi, bisedimet do të zgjerohen me më shumë zyrtarë të lartë. Kjo pritet të ndodhë për pak orë.

Aty pritet të diskutohet gjithçka që nga ndërhyrjet kibernetike që dyshohet se Rusia i ka bërë në Amerikë e deri te ndërhyrja e rusëve në Ukrainë.

Të dy shtetet kanë pasur akuza të rënda për njëra-tjetrën, por dy presidentët kanë thënë se është koha për stabilizim të raporteve.