Botë

Synimet përplasëse të Bidenit e Putinit para samitit të vështirë

Nuk dihet saktë se çfarë do të ndodhë të mërkurën në Gjenevë, kur presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me Putinin për të parën herë që nga marrja e detyrës. Por që të dy kanë sinjalizuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në pikën më të ulët të mundshme dhe asnjëri nuk ushqen shpresa të mëdha për arritje të mëdha

Një president amerikan nuk do ta mbajë anën e Moskës para agjencive të veta të Inteligjencës. Nuk do të bëjë muhabete rreth “rifillimit” të marrëdhënieve me Rusinë. Dhe zor se mund të merret me mend që ai do ta shikojë presidentin rus, Vladimir Putin, në sy dhe t’ia shohë shpirtin.

Por përtej kësaj, nuk dihet saktë se çfarë do të ndodhë të mërkurën në Gjenevë, kur presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me Putinin për të parë herë që nga marrja e detyrës. Por që të dy kanë sinjalizuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në pikën më të ulët të mundshme dhe asnjëri nuk ushqen shpresa të mëdha për arritje të mëdha.

Megjithëkëtë, akëcili do të sjellë në tavolinën e bisedimeve synimet e veta.

Çfarë dëshiron Bideni?

Shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe aleatët e tij kanë bërë të qartë se ai nuk do t’i ndjekë hapat e pararendësve të mëhershëm, duke synuar ndryshimin radikal të marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë. Në vend të kësaj, Shtëpia e Bardhë e Bidenit ia ka vënë syrin një qëllimi më modest por prapëseprapë të rëndësishëm: ecjes drejt një marrëdhënieje më të parashikueshme dhe përpjekjes për ta frenuar sjelljen përçarëse të Rusisë.

Pa dilemë, Bideni do të insistojë që Putini të ndalë ndërhyrjen në zgjedhjet demokratike, t’i zbusë tensionet me Ukrainën dhe të ndalojë së siguruari një qiell të sigurt për hakerët që ndërmarrin sulme kibernetike. Do ta shtrëngojë homologun rus në rrafshin e të drejtave të njeriut, duke e përfshirë në këtë mes arrestimin dhe burgosjen e disidentit Alexei Navalny, do të insistojë që të mos i ofrojë mbështetje regjimit në Bjellorusi që ka ndërmarrë një rrëmbim dramatik aeroplani së fundi dhe të ndalojë ndërhyrjet edhe në zgjedhjet e tjera kombëtare.

Për dallim prej pararendësit të tij, Donald Trump, Biden nuk ka zgjedhur fjalë kur vjen puna te vlerësimi i Putinit. Gjatë një interviste në fillim të këtij viti ai e kishte zemëruar homologun, duke e quajtur “vrasës”, ndërsa një herë tjetër kishte deklaruar se Putini nuk ka fare shpirt.

Kjo ishte një retorikë larg më e acartë sesa ajo e pararendësve të tij të mëhershëm.

Ai i fundit rezervonte fjalë të vakëta për Putinin dhe madje e kishte nderuar atë lart gjatë samitit të dyshes të mbajtur në Helsinki më 2018, gjatë të cilit Trumpi ua kishte kthyer kurrizin vetë agjencive të tija të Inteligjencës. Administrata e presidentit Barack Obama, ndonëse dyshuese ndaj Putinit, ishte optimiste për një “rinisje” dhe përmirësim të marrëdhënieve me Moskën. Përderisa George W. Bushi kishte thënë se e kishte “shikuar burrin në sy” dhe kishte kuptuar se “ai ishte tepër i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm”.

“Isha në gjendje ta kuptoja shpirtin e tij”, kishte thënë Bushi.

Bideni nuk do të jetë.

Çfarë dëshiron Putini?

Image

Putini gjithashtu nuk pret përmirësim të marrëdhënieve. Synimi i tij kryesor do të jetë që t’ia tërheqë administratës së re amerikane vijat e tij të kuqe dhe ta negociojë status quonë e tensionuar që do t’i mbronte interesat vitale të Moskës.

Lideri rus nuk shpreson për ndonjë mrekulli që do ta zhbënte përplasjen e shkaktuar nga aneksimi më 2014 i Krimesë së Ukrainës. As nuk llogarit në zmbrapsjen e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së që ia kanë kufizuar Moskës qasjen në tregjet globale financiare dhe teknologjitë perëndimore.

Detyra e Putinit tani është më modeste – t’i germëzojë shqetësimet kryesore ruse të sigurisë dhe të përpiqet t’i ringjallë kanalet themelore të komunikimit që do ta parandalonin një destabilizim edhe më të rrezikshëm.

Vija kryesore e kuqe për Moskën është aspirimi i Ukrainës për anëtarësim në NATO. Duke iu ndrojtur anëtarësimit të saj në Aleancë, Putini i është kundërpërgjigjur rrëzimit më 2014 të presidentit të afërt me Rusinë të Ukrainës me anë të aneksimit të Krimesë dhe me mbështetjen e kryengritjes separatiste në lindje të vendit. Kur tensionet në këtë zonë u ngritën në fillim të vitit, Rusia ngutshëm grumbulloi trupat afër Ukrainës dhe i paralajmëroi liderët në Kiev se do të intervenonte ushtarakisht po qe se përpiqen që t’i rimarrin me forcë rajonet e kontrolluara prej rebelëve. Që atëherë, Moska ka tërhequr forcat nga rajonet kufitare, por udhëheqja ukrainase ka bërë të ditur se një numër syresh kanë mbetur aty ende.

Synimin e Ukrainës për përafrim në NATO, Putini e kishte përshkruar në një intervistë televizive të javës së shkuar si një sfidë ekzistenciale për Rusinë që do t’u hapte rrugën raketave të Aleancës për të goditur Moskën dhe caqet e tjera në lindje të Rusisë brenda vetëm shtatë minutash. Këtë e krahasoi me vendosjen e raketave ruse në Kanada apo Meksikë, afër kufirit me SHBA-në.

“A nuk është kjo një vijë e kuqe?”, ka pyetur ai.

Përtej kësaj, ai do të shfaqë interesimin për ta hartuar një ujdi rreth Sirisë, ku ushtria ruse ka ndihmuar Qeverinë e presidentit Bashar al-Assad për ta rimarrë kontrollin mbi shumicën e vendit, pas luftës shkatërrimtare civile. Dhe ka sinjalizuar gatishmërinë e Rusisë për të bërë përpjekje të përbashkëta drejt adresimit të ndryshimeve klimatike dhe luftimit të pandemisë së koronavirusit. Ka bërë thirrje për dialog rreth krimeve kibernetike, duke potencuar se Moska mund të pajtohet për ekstradimin në SHBA të të dyshuarve për krime kibernetike po qe se Washingtoni e bën një zotim të njëjtë. Ama Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë fuqishëm idenë e këmbimit të të burgosurve për krimet kibernetike.

Përktheu: Nita Lleshi