Kronikë

Policia dështon ta sjellë me detyrim para gjykatës deputeten Pacolli, ajo thotë se s’ka marrë ftesë

Fitore Pacolli

Në mungesë të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ajo bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputeten, Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-s.

Gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, tha se për të akuzuaren Pacolli – Dalipi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën ashtu siç duhet pasi që urdhëresa ka qenë për datën e sotme, ndërsa gjykata ka pranuar një raport ditën e djeshme se e akuzuara nuk ka qenë në vendbanimin e saj. Lidhur me këtë, Sadikaj tha se për të akuzuarën Pacolli – Dalipi do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim në seancë, dhe eventualisht do të shqyrtohet mundësia e udhërarrestit apo paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Megjithatë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për seancë për çështjen e gazit lotsjellës, pak pasi u bë e ditur nga kjo gjykatë se Policia ka dështuar ta sjellë me detyrim në seancë.

“Gjykata e ka adresën time të banimit dhe e di saktësisht ku banoj. Nëse vërtet kanë dërguar një ftesë dhe nuk më kanë gjetur në shtëpi, është obligim ligjor i shërbimit policor apo postës që të lënë një njoftim për praninë e tyre, qoftë për të caktuar një datë tjetër, qoftë për të më njoftuar që të paraqitem në gjykatë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Pacolli ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë dhe i pret procedurat e njoftimet zyrtare.

Madje Pacolli po ashtu ka thënë se pas raportimeve për mungesën në seancë, ka dërguar kërkesë te gjykata për të sqaruar dhe dokumentuar dorëzimin e ftesës zyrtare për seancë, procedurat e ndjekura nga ana e shërbimeve për komunikim dhe çdo hap që gjykata planifikon ta ndërmarrë në rast. “Nuk kam pranuar asnjë ftesë zyrtare dhe mbetem e gatshme të bashkëpunoj me drejtësinë, por pres që institucionet të veprojnë me rregull, korrektësi dhe transparencë”, ka shtuar ajo.

Në këtë seancë, prezent ishin i akuzuari Xhelal Sveçla me avokatin e tij Laur Prenaj, e akuzuara Drita Millaku me avokatin e saj Veton Robaj, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit- avokati Lavdrim Salihu, si dhe i akuzuari Salih Zyba i cili kërkoi nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve.  Po ashtu, prezent ishte edhe prokurori Valdrin Krasniqi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.