Instituti GAP ka gjetur se ka pabarazi të vazhdueshme gjinore dhe etnike në programet mbështetëse të institucioneve publike. Sipas raportit të publikuar nga ai, një përqindje e ulët e bizneseve në pronësi të grave dhe të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë mbështetje.
Anisa Zogaj, hulumtuese në Institutin GAP ka thënë se vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% në pronësi të pakicave etnike kanë qenë përfituese.
“Qëllimi kryesor i raportit është pasqyra e ndihmës që ofrohet në tri nivele: qendror, lokal dhe nga organizatat joqeveritare. Në anketën e përdorur për raport janë përfshirë gjithsej 757 biznese në pronësi të grave dhe komuniteteve pakicë, nga të cilat 399 biznese në pronësi të grave dhe 358 biznese të pakicave. Të dhënat tregojnë pabarazi të vazhdueshme gjinore dhe etnike në programet mbështetëse të institucioneve publike. Sipas anketës së GAP, vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% në pronësi të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë lloj mbështetjeje nga niveli qendror”, ka thënë ajo.
Zogaj ka shtuar se në skemat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gratë përfituan mesatarisht vetëm 12% të subvencioneve gjatë viteve 2018-2024. Po ashtu, në programet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bizneset në pronësi të grave përfituan mesatarisht 16% të granteve.
Kurse, në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, ajo ka thënë se përfshirja e bizneseve të grave nuk ka kaluar 40%, ndërsa pjesëmarrja e pakicave etnike ka mbetur e ulët dhe e paqëndrueshme ndër vite.
Në nivel lokal, përfshirja është ende më e kufizuar, ka theksuar Zogaj.
“Sipas të dhënave të anketës, vetëm 4% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% e bizneseve të pakicave kanë raportuar ndonjë formë mbështetjeje nga komunat ku veprojnë. Në anën tjetër, programet e organizatave joqeveritare (OJQ) janë vlerësuar si më të qasshme dhe efektive. Rreth 10% e grave dhe 8% e përfaqësuesve të pakicave raportojnë se kanë përfituar grante dhe subvencione nga OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare. Mbështetja nga të gjitha nivelet është vlerësuar me ndikim të madh në qëndrueshmërinë dhe performancën e bizneseve nga mbi 95% e të anketuarve”, ka theksuar Zogaj. / EO