Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është paraqitur të martën para drejtësisë, duke i mohuar zemërueshëm akuzat në gjykimin e tij rreth financimit të jashtëligjshëm të fushatës së dështuar për rizgjidhje më 2012.
66-vjeçari po përballet me akuzat se ka shpenzuar pothuajse dyfishin e shumës maksimale të lejuar prej 22.5 milionë eurosh për garën e tij presidenciale. Të martën ai e pati paraqitjen e parë para trupit gjykues në procesin e nisur muajin e shkuar.
Gjykata në Paris do të përcaktojë nëse Sarkozy ishte në dijeni për përdorimin e faturave të rreme që kishin për synim mbulimin e shpenzimeve të tepruara. Ai ka mohuar fuqishëm një gjë të tillë.
Para gjykatës ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në organizimin dhe hollësitë logjistike të fushatës, ani pse ka qenë në krye të saj. Ka specifikuar se si kandidat për president ka pasur prioritete të tjera.