Senatori i njohur amerikan, Bernie Sanders, ka kritikuar administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e saj “falëse” për Qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu në Izrael, pas eskalimit të situatës në Gaza.
Në një shkrim për “New York Times”, Sanders, i cili ishte dikur kandidat për president nga radhët e Partisë Demokratike, ka kritikuar administratat e deritashme amerikane për qasjen që “Izraeli ka të drejtën që të mbrojë veten”.
“Të jemi të qartë, askush s’po kundërshton se Izraeli, apo çfarëdo qeverie, nuk ka të drejtë të mbrojë veten apo njerëzit e vet. Por përse këto fjalë po përsëriten vit pas viti, luftë pas lufte? Dhe përse kjo pyetje nuk bëhet kurrë në formën se ‘Cilat janë të drejtat e palestinezëve?’”, ka shkruar ai.
Në këtë moment krize në mes të Izraelit dhe militantëve të “Hamasit”, Sanders ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë rolin e saj në kërkesën për qetësim të gjakrave. Teksa ka kritikuar “Hamasin” për gjuajtje të raketave ndaj Izraelit, Sanders ka kujtuar se “konflikti i ri nuk ka lindur me këto raketa”.
Ai ka thënë se familjet palestineze në vend kanë jetuar qe një kohë të gjatë nën kërcënimin për dëbim. Përgjatë javëve të fundit, ka thënë se përpjekjet për largimin e tyre janë intensifikuar.
Duke folur për qeverisjen e Netanyahut, ai ka thënë se ajo po punon për margjinalizim të palestinezëve me politika që pamundësojnë barazi për ta. Sanders ka thënë se Netanyahu ka kultivuar politika nacionaliste dhe me qëllimin për të mbetur në pushtet ai ka legjitimuar forcat kundër palestinezëve.
Rritjen e lëvizjeve nacionaliste, Sanders ka thënë se e sheh edhe në pjesët tjera të botës, teksa ka thënë se lëvizjet e tilla për katër vjet kishin një mik në Shtëpinë e Bardhë, duke folur për ish-presidentin Donald Trump. Me presidentin e ri, sipas Sandersit, SHBA-ja ka mundësinë që të zhvillojë përpjekje të reja për botën – të bazuar në drejtësi e demokraci.
“Pavarësisht nëse kjo është duke ndihmuar shtetet e varfra të vaksinohen, duke udhëhequr botën për të luftuar ndryshimet klimatike apo për të luftuar për demokraci dhe të drejtat e njeriut në botë, SHBA-ja duhet të udhëheqë duke promovuar bashkëpunimin mbi luftën”, ka thënë ai. “Në Lindjen e Mesme, ku ne ofrojmë gati 4 miliardë dollarë në vit si ndihmë për Izraelin, ne nuk mund të bëjmë më apologji për qeverisjen e krahut të djathtë të Netanyahut dhe qeverisjen e tij jodemokratike e sjelljes raciste. Duhet të ndryshojmë kursim dhe të adaptojmë qasje të njëtrajtshme, një që mbështet dhe forcon të drejtën ndërkombëtare në mbrojtje të civilëve dhe ligjin ekzistues të SHBA-së që ndihma ushtarake nuk duhet të lejojë abuzim të të drejtave të njeriut”, ka thënë ndër tjerash Sanders.
Në fund ai ka thënë se beson që SHBA-ja ka rol të madh në ndihmën që izraelitët e palestinezët të ndërtojnë bashkë të ardhmen teksa ka ftuar autoritetet që të njohin më mirë çështjen e palestinezëve.