Botë

SHBA-ja e shqetësuar për dëbimin e familjeve palestineze

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, ka shprehur “shqetësimin e thellë” shkaku i përleshjeve të fundit në Jerusalem, gjatë bisedës me homologun e tij izraelit. Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, Sullivan ka përsëritur gjithashtu shqetësimin për dëbimin potencial të familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në Sheikh Jarrah. “Sullivanb dhe Meir Ben-Shabbat janë shprehur gjithashtu se raketimet dhe lansimet e balonave ndezës nga Gaza drejt Izraelit janë të papranueshme dhe të dënueshme”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Qysh para trazimeve të fundit të hënën, Washingtoni zyrtar u kishte kërkuar autoriteteve izraelite që karshi banorëve të sillen “me respekt dhe dhembshuri”.

Mirëpo gjatë së dielës kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli e “kundërshton fuqishëm” presionin e jashtëm me qëllim të ndaljes së vazhdimit të ndërtimeve në Jerusalem.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë të ditur se Izraeli “duhet të demonstrojë përmbajtje dhe t’i respektojë të drejtat për tubim të qetë”. Ai ndërkaq ka bërë thirrje që shteti të ndalojë rrëzimin dhe demolimin e vendbanimeve palestineze.