E përballur me akuza të njëpasnjëshme për asimilimin e ujgurëve, Qeveria kineze ka ftuar disa gazetarë ndërkombëtarë për ta bindur Perëndimin se ujgurët i kanë punët si është më së miri. Zyrtarët kinezë gjatë tërë udhëtimit u kanë kërkuar gazetarëve që të shkruajnë për ato që shohin dhe jo ato që Kina i quan rrena të politikanëve dhe mediave kritike nga Perëndimi. Mirëpo gazetarët janë të bindur se gjendja e ujgurëve është grimosur nga Qeveria kineze
Nën peshën e ligjeve shtetërore, e ardhmja e fesë islame është në dyshim në Xinjiang, krahinë kjo kineze e rrethuar me male plot borë në njërën anë dhe shkretëtirën në tjetrën. Mbikëqyrësit e huaj thonë se qindra xhami janë shembur, akuzë të cilën Pekini vazhdimisht e mohon, ndërkaq banorët lokalë pretendojnë se numri i besimtarëve po shkon përherë drejt tkurrjes.
Një dekadë më parë, nga 4 mijë deri në 5 mijë njerëz merrnin pjesë në lutjet e xhumasë në xhaminë Id Kah në qytetin historik Silk Road të Kashgarit.
“Tani janë vetëm nja 800-900 që bëhen pjesë e xhumave”, thotë imami Mamat Juma.
Rënien e numrit ai ia atribuon kalimit natyral në vlera e jo politikave qeverisëse. Thotë se gjeneratat e reja synojnë që të kalojnë më shumë kohë duke punuar sesa duke u lutur.
Qeveria kineze ka organizuar një vizitë pesëditore në Xinjiang për dhjetëra gazetarë të huaj. Kjo vizitë e prillit ishte pjesë e një fushate të madhe propaganduese për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të Perëndimit për abuzim të ujgurëve.
“Shkruani atë që shihni”
Zyrtarët kinezë gjatë tërë udhëtimit u kanë kërkuar gazetarëve që të shkruajnë për ato që shohin dhe jo ato që Kina i quan rrena të politikanëve dhe mediave kritike nga Perëndimi.
Pekini insiston se i mbron liritë fetare dhe se ujgurët mund të praktikojnë fenë e tyre për aq koha sa u binden ligjeve dhe rregullave shtetërore.
Në praktikë, kjo do të thotë se çfarëdo aktiviteti fetar duhet të kryhet nën rregullat strikte që janë evidente në çdo ndalesë nëpër Xinjiang – prej shkollave fillore, në të cilat drejtori thotë se agjërimi nuk mbikëqyret për shkak të ndarjes mes fesë dhe arsimimit, e deri te fabrikat e pambukut, ku punëtorët e kanë të ndaluar të falen brenda hapësirave të fabrikës, madje edhe brenda bujtinave.
“Brenda hapësirave të fabrikës, falja e xhumasë është e ndaluar. Por punëtorët mund të shkojnë në shtëpi ose në xhami”, thotë Li Qiang, drejtor i përgjithshëm i fabrikës “Aksu Huafu Textiles”. “Bujtinat janë për të pushuar punëtorët. Duam që ata të pushojnë me qëllim që të jenë shëndetmirë”, shton ai.
Xinjangu është shtëpi e ujgurëve, grup turkik që praktikon fenë islame.
Në vitet e fundit janë përballur me grushtin e fortë të pushtetit që rezultoi pas një serie të trazirave, bombave dhe therjeve me thikë. Punët nuk i kanë fort mirë as kazakët dhe minoritetet e tjera të vogla në Kinë. Autoritetet kanë kryer raporte të pavarura në rajon, ani pse masat në vitet e fundit janë lehtësuar disi.
Presion i madh
Gazetarët e “Associated Press” që kanë vizituar Xinjangun gjatë viteve, vazhdimisht janë përcjellë nga agjentët, janë ndaluar, intervistuar dhe detyruar të fshijnë fotografitë ose videot.
Të padurueshëm për të shfaqur suksesin e asaj që Kina e quan fushatë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, zyrtarët prezantuan para gazetarëve Mamatjan Ahatin, një shofer kamioni që thotë se vullnetarisht kishte shkuar në qendrën e trajnimit për gjuhë”. Mendjen ia kishte mbushur një video ekstremiste që e shikoi në telefonin e tij. Ai dikur besonte në fenë islame.
Ata që kanë ikur nga Kina, lirshëm flasin edhe për “qendrat” që sipas tyre janë kampe të indoktrinimit.
“Pasi shkova në qendër, mallkova qysh nuk kam shkuar më herët, sepse ka pjesë të mira dhe një kafene për ushqim dhe pije”, thotë Ahat, i rrethuar nga zyrtarët kinezë dhe gazetarët. Thotë se më nuk beson në asnjë fe. Me bindje se qendra ia mësoi shumë gjëra dhe e bëri më mendjehapur.
Në teori, qytetarët kinezë kanë të drejtë të praktikojnë fetë islame, krishtere dhe tri të tjera të njohura nga shteti. Në praktikë, kërcënimi është i madh.
Punëtorët mund të agjërojnë lirshëm, thotë menaxheri i fabrikës, por atyre u kërkohet që të kujdesen për trupin e tyre. Nëse fëmijët agjërojnë, është e dëmshme për rritjen e tyre, thotë imami i xhamisë Id Kah.
Raportet ndërkombëtare
Hulumtuesit e “Strategic Policy Institute” të Australisë, grup ky që kritikohet nga Pekini, në një raport të vitit të kaluar kanë theksuar se xhamitë janë bërë rrafsh me tokë ose janë dëmtuar në atë që e kanë quajtur si fshirje e qëllimshme e kulturës ujgure dhe islame.
Qeveria mohon se i ka shkatërruar xhamitë. Thotë se ka shpenzuar me mijëra para për t’i restauruar, rregulluar tualetet, blerë kompjuterë dhe kondicionerë të ajrit.
Xhamia Id Kah ka një fasadë ngjyrë të verdhë dhe me pamje nga sheshi publik. Është larg prej shkatërrimit. Imami qëndron në linjë zyrtare dhe flet me përzemërsi për Qeverinë kineze që ka rinovuar institutin më shumë se 500 vjet të moçëm.
Në Kashgari nuk janë shkatërruar xhamitë, thuhet në raportin e institutit australian.
Shtigjet mes pemësh në oborrin e xhamisë Id Kah janë shumë të qeta. Lehtë mund të mos i pikasësh tri kamera të vendosura në kënde. Kontrollojnë krejt ata që hyjnë e dalin.
Babai i imamit dhe ish-prijës i xhamisë, u vra nga ekstremistët gjatë vitit 2014, për shkak të qëndrimeve të tij pro Qeverisë kineze.
Të hënën, pak para se të binte terri, u falën 50 veta, shumica të moshuar.
Një imam ujgur që iku nga rajoni në vitin 2012 thotë se ndalimi i arsimimit fetar për të rinjtë nuk u ofron nxënien e dijes që kanë nevojë.
“Gjeneratat e reja do të pranojnë mendësinë kineze”, thotë Ali Akbar Daullah që tani jeton në Turqi. “Do të quhen ujgurë, mirëpo mendësia dhe vlerat e tyre do të zhduken”.
“Liri e plotë”
Zyrtarët kinezë pretendojnë se ata që duan ta mësojnë fenë islame mund ta bëjnë këtë pasi t’i mbushin 18 vjet. Mësimet do t’i marrin në një institut islam të sponsorizuar nga shteti.
Në një kampus të sapondërtuar, në dalje të Urumqit, kryeqytetit të Xinjangut, qindra të rinj po mësojnë që të bëhen imamë në bazë të planprogramit të Qeverisë. Kanë tekste në të cilat thuhet se “patriotizmi është pjesë e besimit” dhe se “myslimani është mysliman që e do vendlindjen e u bindet kushtetutës, ligjeve dhe rregullave kombëtare”.
Liria e fesë në Kinë përcaktohet si liri për të besuar – ose mos besuar.
Është fjali që përsëritet nga ata që takohen me gazetarët ndërkombëtarë: Nuk qëndron puna nëse njerëzit kanë të drejtë të agjërojnë apo të falen, ata kanë të drejtë edhe të mos agjërojnë dhe të falen.
“Për shkak se liritë fetare janë të ruajtura në bazë të Kushtetutës kineze, kjo garanton lirinë fetare për secilin individ”, thotë Omar Adilabdulla, student në Institutin Islam të Xhinjangut. “Nëse doni ta praktikoni fenë, mund ta bëni. Nëse nuk doni, thjesht mos e bëni. Është liri e plotë”.
Përktheu: Gent Mehmeti