Botë

Me gjithë mbështetjen, pengesa në rrugën e pezullimit të patentave për vaksina

Disa liderë botërorë kanë lavdëruar të enjten veprimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta zgjeruar qasjen në vaksinat kundër COVID-19 për vendet më të varfra, duke i pezulluar përkohësisht të drejtat e pronës intelektuale për dozat. Por, nuk dihet nëse e gjithë kjo do të shpjerë drejt heqjes së masave dhe çfarë do të nënkuptonte kjo po qe se hiqen.

Aktivistë dhe institucione ndërkombëtare kanë mirëpritur vendimin, mirëpo kompanitë e mëdha farmaceutike janë kundërpërgjigjur, pasi SHBA-ja hoqi dorë të mërkurën nga qëndrimi i kahershëm dhe bëri thirrje për pezullimin e rregullimeve për mbrojtjen e pronës intelektuale. Edhe nëse vetëm një vend i vetëm voton kundër pezullimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, iniciativa do të përmbyset.

Administrata Biden e bëri SHBA-në vendin e parë të botës së zhvilluar me kapacitete enorme për prodhim vaksinash që e mbështet idenë e pezullimit të ngritur fillimisht nga India dhe Afrika Jugore në tetor. Dhe mbështetja që pasoi nga presidenti francez, Emmanuel Macron, të enjten ka sugjeruar se shtetet janë duke i rishikuar qëndrimet e tyre.

“E mbështes tërësish këtë hapje rreth pronës intelektuale”, ka thënë Macron në një qendër vaksinimi.

Sikurse shumë kompani farmaceutike, Macroni ka insistuar gjithashtu se pezullimi nuk do ta zgjidhë problemin e qasjes në vaksina. Këto të drejta të mbrojtura u japin kompanive që kanë zhvilluar vaksina kompetenca të posaçme rreth përdorimit të njohurive.

“Edhe nëse këto të drejta zbuten, prodhuesit në vendet si Afrika nuk janë mjaftueshëm të pajisur për të prodhuar vaksina kundër COVID-19 – andaj më përpara duhen prioritizuar donacionet”, ka theksuar Macroni.

“Pfizer”, “Moderna”, “Johnson & Johnson” dhe “AstraZeneca” – që të gjitha këto kompani të licencuara për vaksina ndaj koronavirusit – nuk e kanë komentuar vendimin, ndonëse “Moderna” prej kohësh kishte pretenduar se nuk do t’i ndiqte rregullat e patentave gjatë pandemisë.

Mbështetja amerikane, ndërkaq, konsiderohet si veprim që ka potencial për t’i ndryshuar rregullat e lojës për përfundimin e pandemisë. Dhe është përkrahur nga shumë liderë. E para ishte, siç pritej, India. Kryeministri australian, Scott Morrison, e ka quajtur qëndrimin “lajm të madh”, derisa zyrtarët në Korenë Jugore kanë pretenduar se i kushtojnë vëmendje të madhe, ani pse asnjëri prej liderëve të këtyre shteteve nuk ka thënë specifikisht se do ta mbështesë.

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, ka shkruar në Facebook se lajmi është një “sinjal shumë i rëndësishëm” dhe se bota ka nevojë për “qasje të lirë” në patentat e vaksinave. Por, kryeministri Mario Draghi ishte më i matur. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij do ta mbështesë.

Në bisedimet prapa dyerve të mbyllura në OBT gjatë muajve të fundit, Australia, Britania e Madhe, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Japonia, Norvegjia, Singapori dhe SHBA-ja kishin kundërshtuar pezullimin e të drejtave, sipas një zyrtari të organizatës me seli në Gjenevë, i cili ka folur nën kushtin e anonimitetit, ngase nuk ishte i autorizuar që të fliste publikisht për çështjen.

Për më tepër, derisa Macroni ishte i prerë, të tjerët në Evropë nuk ishin. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku 27-anëtarsh është i gatshëm të diskutojë rreth idesë, por nuk ka bërë ndonjë zotim, teksa ka nënvizuar se blloku ka shpërndarë vaksina gjetkë, derisa SHBA-ja nuk e ka bërë. Një qëndrim të ngjashëm ka shfaqur të enjten edhe Gjermania.

“Të gjitha vendet në botë, ku prodhohen vaksinat, duhet të jenë të gatshme që t’i shpërndajnë ato edhe te vendet e tjera”, ka thënë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. “BE-ja është e gatshme si me fjalë, ashtu edhe me vepra... Gëzohemi nëse edhe SHBA-ja është e gatshme gjithashtu”.

Përkundër të gjithave, mospajtime ka ende. Mbështetësit e pezullimit të patentave pretendojnë se masa nuk do të jetë e mjaftueshme. Por, presedan për këtë ka. Më 2003, anëtarët e OBT-së ishin pajtuar që të hiqnin dorë nga të drejtat e pronës intelektuale dhe ua kishin mundësuar vendeve më të varfra importimin e trajtimeve ndaj HIV/AIDS, malaries dhe tuberkulozit.