Botë

Dy kundërshtarët e Netanyahut kërkojnë të formojnë qeverinë e re

Foto: AP
 

Dy kundërshtarët kryesorë politikë të kryeministrit izraelit i kanë kërkuar presidentit të mërkurën që t’ua ofrojë mundësinë për ta formuar Qeverinë e re, pas dështimit të Benjamin Netanyahut për ta bërë një gjë të tillë para afatit përfundimtar të mesnatës.

71-vjeçari Netanyahu, i cili ka shërbyer më së gjati në skenën politike të Izraelit, ka luftuar për ta mbajtur postin nëpërmjet katër palë zgjedhjeve që nga viti 2019. Votimi më i fundit më 23 mars, i mbajtur derisa Netanyahu po gjykohej për korrupsion, nuk ia dha shumicën asnjërës palë të spektrit politik në vend. Presidenti Reuven Rivlin, është takuar me të dy liderët opozitarë ndarazi, me ç’rast ata janë shprehur të gatshëm për të formuar një koalicion qeverisës. Sipas ligjit, Rivlin ka tri ditë kohë për ta shpalosur vendimin, në kuadër të të cilit përfshihet edhe mundësia që Parlamentit t’i kërkohet propozimi i një kandidati. Në rast të dështimit, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, që do të ishin të pestat brenda një viti.