Botë

Blinkeni kërcënon Turqinë dhe aleatët të mos blejnë armatim nga Rusia

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar të mërkurën Turqinë dhe të gjitha aleatet e Shteteve të Bashkuara që të përmbahen nga blerjet e mëtutjeshme të armëve ruse, duke pretenduar se një gjë e tillë do të nxiste sanksione të reja.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë janë tensionuar theksueshëm shkaku i një sërë çështjeve, nisur prej blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400 nga ana e Ankarasë – për shkak të të cilave edhe është vënë në shënjestër të sanksioneve amerikane – e deri te dallimet rreth Sirisë, të drejtat e njeriut dhe një rasti gjyqësor në SHBA kundër pronarit të bankës shtetërore turke “Halkbank”.

“Është tejet me rëndësi që Turqia dhe të gjithë aleatët dhe partnerët amerikanë t’i shmangin blerjet e mëtutjeshme të pajisjeve ruse të armatimit, përfshirë S-400-shat shtesë”, ka thënë Blinken gjatë një organizimi virtual në “Foreign Press Center” në Washington. “Çdo lloj transaksioni i rëndësishëm me entitetet ruse të mbrojtjes, e them përsëri, do të mund të bëhej subjekt i ligjit, andaj do të mund të parashihen sanksione shtesë prej atyre që veçse janë zbatuar”, ka thënë ai duke iu referuar Aktit të Sanksioneve, që synon t’i dekurajojë vendet që të blejnë pajisje ushtarake nga një vend armik i NATO-s.

Blinken ka thënë gjithashtu se duke i pasur parasysh qëndrimet veçse të ditura të presidentit, Joe Biden, atëherë deklarimi i tij të shtunën lidhur me njohjen e masakrës së vitit 1915 të armenëve nga forcat e Perandorisë Osmane si gjenocid nuk do të duhej të përbënte befasi për Turqinë.

Zëdhënësi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të dielën se deklarimi i Bidenit ishte “thjesht mizor” dhe se Turqia do të kundërpërgjigjet gjatë muajve në vijim.