Botë

Ushtrisë birmaneze i kërkohet të ndalë dhunën dhe të nisë dialogun me liderët civilë

Liderët e vendeve të Azisë Jug-Lindore kanë kërkuar nga kreu i ushtrisë së Birmanisë e cila mori pushtetin në dorë në fillim të muajit shkurt, që t’i japë fund dhunës ndaj popullatës birmaneze.

Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit për të marrë pjesë në samitin rajonal të Asociacionit të Kombeve të Azisë Jug-Lindore, gjenerali Min Aung Hlaing ka dëgjuar thirrjet që ushtria të ndalë vrasjen e protestuesve dhe të lirojë të burgosurit politikë.

Më shumë se 700 njerëz kanë mbetur të vdekur dhe mijëra janë arrestuar që kur ushtria mori pushtetin në duar, më 1 shkurt të këtij viti, pasi pretendonte se zgjedhjet e nëntorit ishin të manipuluara.

Ndërkohë, bisedimet në samitin që po mbahet në Indonezi janë të parat që adresojnë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës.

Në një komunikatë për media pas samiti, thuhet se liderët dhe ministrat e jashtëm nga 10 vende anëtarë të Asociacionit, kanë arritur konsensus në pesë pika.

Në mesin e marrëveshjeve thuhet të jetë edhe kërkesa për ndërprerjen e dhunës dhe hapjen e një dialogu mes ushtrisë dhe liderëve civil, bisedime këto që do të ndiqen nga një i dërguar special i Asociacionit. Grupi po ashtu ka ofruar ndihmë humanitare në këtë drejtim.

ot