Botë

Partia e kryeministrit rrëzon Qeverinë në Rumani

Majtistët qeverisës në Rumani votuan në shumicë për të rrëzuar qeverinë gjashtë mujore të kryeministrit Sorin Grindeanu, duke hapur kështu rrugën për një kabinet të ri me një shumicë komfore parlamentare gjatë javëve të ardhshme.

Ligjvënësit votuan 241 pro dhe 7 kundër Grindeanut në mocionin e mos-besimit, një javë pasi Partia Social-Demokrate (PSD), ajo që udhëhoqi Qeverinë, dhe partneri i koalicionit tërhoqën mbështetjen ndaj tij, duke e akuzuar atë se ka dështuar të paraqes një varg programesh, transmeton Koha.net.

“Qeveria është shpërbërë”, ka thënë kryeparlamentari Calin Tariceanu pas rezultatit.

Vëzhgues të pavarur kanë thënë se PSD-ja me gjasë është e pakënaqur me dështimin e Grindeanut që të zbus rregullat anti-korrupsion më herët gjatë vitit dhe deshën ta rrëzojnë atë për të sjellë një kryeministër tjetër i cili bën më shumë për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë partiakë që përballen me akuza për korrupsion, raporton Reuters.

Rumania shihet si një prej shteteve më të korruptuara të Bashkimit Evropian dhe Brukseli e ka monitoruar sistemin e tij të drejtësisë në mënyrë të veçantë që kur i është bashkuar bllokut më 2007.