Botë

Kokëçarje e re për “AstraZenecan”, Gjermania e ndalon për nën 60-vjeçarët

“Pas disa konsultimeve, STIKO, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, ka vendosur që ta rekomandojë ‘AstraZenecan’ vetëm për personat mbi 60 vjeç, në bazë të të dhënave të disponueshme për shfaqjen e rrallë, por shumë të rëndë të efekteve anësore të mpiksjes së gjakut”, thuhet në njoftimin e Komitetit

Komiteti për Vaksina në Gjermani (STIKO) ka rekomanduar të martën përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca” vetëm për personat e moshave mbi 60-vjeçare, pas raportimit të rasteve të reja të shfaqjes së një çrregullimi të rrallë të qarkullimit të gjakut në tru.

Zhvillimi më i fundit ka nxitur telashe të reja për kurën e kompanisë anglo-suedeze, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit.

“Pas disa konsultimeve, STIKO, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, ka vendosur që ta rekomandojë ‘AstraZenecan’ vetëm për personat mbi 60 vjeç, në bazë të të dhënave të disponueshme për shfaqjen e rrallë por shumë të rëndë të efekteve anësore të mpiksjes së gjakut”, thuhet në njoftimin e Komitetit.

Liderët gjermanë kanë paralajmëruar mbajtjen e bisedimeve për përdorimin e kësaj vaksine, pasi që disa shtete kanë njoftuar ndaljen e administrimit të dozave tek personat nën 60 vjeç si pasojë e çrregullimit të qarkullimit të gjakut në tru.

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, do të mbajë bisedime me homologët e tij rajonalë, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë. Takimi është thirrur shkaku i raporteve shtesë nga rregullatori shtetëror i vaksinave, Instituti Paul Ehrlich (PEI), mbi rastet e mpiksjes së gjakut. PEI-ja ka njoftuar se ka regjistruar 31 raste të tjera, të cilat kishin rezultuar me nëntë vdekje, nga mesi i 2.7 milionë të vaksinuarve me kurën e “AstraZenecas”. Të gjitha rastet e raportuara, përveç dy sosh, janë evidentuar mes grave të moshave prej 20 deri në 63 vjeçare.

Para njoftimit të STIKO-s, disa shtete gjermane – përfshirë Berlinin dhe Brandengun, si dhe qytetin e Munihut – kanë njoftuar ndërprerjen e vaksinimit të nën 60-vjeçarëve.

“Duke i pasur parasysh pyet lidhur me administrimin e dozës së dytë të vaksinës tek personat më të rinj, të cilët veçse e kanë marrë dozën e parë të ‘AstraZenecas’, STIKO do të lëshojë një rekomandim shtesë deri në fund të prillit”, ka njoftuar Komitetit.
Shumë shtete evropiane e kishin ndalur përkohësisht përdorimin e kësaj vaksine në fillim të muajit, deri në hulumtimin e rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut. Si Agjencia Evropiane për Barna (EMA) ashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kishin njoftuar në fillim të muajit se përfitimet nga vaksina e “AstraZenecas” peshojnë më rëndë, sesa rreziqet prej saj.

Rekomandimi gjerman për vaksinën është lëshuar në kohën kur Komiteti Kombëtar për Imunizim në Kanada ka njoftuar ndaljen e përdorimit të kurës mes personave nën 55 vjeç, në pritje të një hetimi më të thellësishëm rreth efekteve anësore.