Botë

Bideni synon ta frenojë Kinën, por ku është NATO-ja e Azisë?

Shteteve të Bashkuara të Amerikës u nevojitet një plan loje për një kontinent që numëron dy të tretën e popullatës së botës dhe ku ndodhet rivali i saj më i madh

Administrata e Joe Bidenit ka hasur në mbështetje mes kryeqyteteve aziatike për sa i përket sfidimit të ekspansionit territorial të Kinës. Ka marrë përkrahje të fortë rreth një Dialogu Katërkëndësh të Sigurisë nga Japonia, si dhe nga partnerët e kahershëm, India dhe Australia, të cilat së fundi i kanë nisur sërish manovrat e përbashkëta ushtarake, pas një pauze të gjatë.

Dhe, ekipi i ri, sipas një analize të revistës politike amerikane “Foreign Policy”, po bën përpjekje për t’u bashkuar me Japoninë dhe Korenë Jugore nëpërmjet “varrosjes së shpatave” lidhur me pritjen e trupave amerikane në vend.

Por, në momentet e rralla kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, nuk ishin të stërngarkuar me takime, thirrje dhe konferenca shtypi në vizitën e tyre të parë gjetkë javën e shkuar, zyrtarët amerikanë po përballeshin me pyetjen larg më depërtuese: Si duhet të duket struktura e aleancës amerikane në një kontinent që numëron pothuajse dy të tretën e popullatës së botës dhe ku ndodhet rivali më i madh strategjik i Amerikës?

Një NATO aziatike?

Administrata Biden, sikurse ajo e Donald Trumpit para saj, e ka cilësuar Kinën si rivalin e saj kryesor gjeopolitik. Por, Bideni dhe ekipi i tij, për dallim prej pararendësve të tyre, duan që ta frenojnë çdo lloj kërcënimi me Kinën me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve, e jo duke vepruar si të vetëm.

Sipas “Foreign Policy”, në ditët e hershme të Luftës së Ftohtë, Washingtoni kishte ndihmuar një grup shtetesh evropiane të së njëjtës mendësi në luftimin e kërcënimit sovjetik.

“Në konfrontimin me Kinën, Shtetet e Bashkuara i kanë po këto opsione të njëjta. Pyetja tani, faktikisht, është se si të frenohet Kina me një përzierje krejtësisht të ndryshme partnerësh”, ka shtruar pyetjen gazeta amerikane, ndërkaq si përgjigje ka dhënë qëndrimet e disa zyrtarëve amerikanë.

Image

“Ç’është e sigurt të supozohet është se SHBA-ja nuk do të mbledhë një grup all-NATO për luftimin e Kinës. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, Washingtoni po që kishte krijuar një konstalacion të traktateve me aleatët si Japonia, Koreja Jugore, Australia, Filipinet dhe Tajlanda, të cilat u kthyen në një model për sigurinë e SHBA-së në Azi për më shumë se gjysmë shekulli’, ka shkruar “FP”.

Sot, administrata Biden synon që t’iu drejtohet grupimeve më të vogla – bilaterale, trilaterale apo madje shumëkombëshe, pra shteteve të ndryshme që mund ta bëjnë një gjë të ngjashme.

“Për një sërë arsyesh – historike, gjeografike e politike – Azia nuk e ka një lloj aleance të strukturuar sikurse ajo që kemi me aleancën transatlantike”, ka thënë për gazetën një zyrtar i lartë i Mbrojtjes, duke folur nën kushtin e anonimitetit.

Ky orientim kah aleanca më e vogël, mund të ndihmojë ndërtimin e një damari lidhës midis ushtrive dhe të mbështesë territoret e kontestuara në rajonin Azi-Paqësor me diçka më të madhe sesa manovrat e përbashkëta ushtarake, por nuk do të rezultonte me formimin e një NATO-je aziatike me ekuivalentin e plotë të Nenit 5 të paktit transatlantik, i cili ua kërkon vendeve nënshkruese bashkimin për mbrojtjen e aleatëve të sulmuar.

Aktualisht, sipas zyrtarit të lartë të mbrojtjes, administrata Biden po shpreson që t’i përforcojë grupet ekzistuese, si Asociacionin 10-anëtarësh të Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Dialogun Katërkëndësh të Sigurisë, të njohur si “Quad”. Problemi, sipas gazetës, qëndron në faktin se ASEAN përqendrohet rëndom në ekonomi dhe orienton çështjet e sigurisë, sidomos kur bëhet fjalë për Detin Jugor të Kinës, një prej pikave të përçarjeve më të thella mes Washingtonit dhe Pekinit. “Dhe ‘Quad’ përqendrohet krejtësisht në çështjet e sigurisë përbrenda rajonit Indo-Paqësor”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Por, për dallim prej Japonisë, e cila ka përsëritur gjatë udhëtimit se do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në në rast të një përplasjeje kineze me Tajvanin, shumica e shteteve në rajon janë të përqendruara në mbrojtjen e vetë kufijve të tyre.

“Faktikisht, secili shtet duhet të përqendrohet në mbrojtjen e vet. Ne veçse jemi në telashe të mëdha me një front qendror siç është zinxhiri i parë ishullor nga Japonia përgjatë Detit Jugor të Kinës”, ka thënë Elbridge Colby, drejtor i “Marathon Initiative” dhe ish-zëvendësnënsekretar i Mbrojtjes gjatë administratës Trump. “Nga këndvështrimi i ushtrisë, nuk mendoj se jemi duke avancuar drejt një NATO-je të Azisë”.

Aleancë me plot dallime

Një tjetër dallim është ndarja e të dhënave të Inteligjencës. SHBA-ja, aleatet e NATO-s dhe partnerët kyç ndajnë rregullisht informata. Në mesin e vendeve të Azisë nuk ekziston diçka e ngjashme. Por, zyrtarët kanë sugjeruar se blloku perëndimor përkon me një “marrëdhënie të pjekur” midis shteteve anglisht-folëse.

Ajo çfarë SHBA-ja është duke kërkuar, në aspektin afatgjatë, është një sistem i komunikimeve që do ta lejonte shkëmbimin e informatave të klasifikuara dhe të besueshme me të gjithë aleatët amerikanë dhe partnerët në rajon, gjë kjo që Komanda amerikane e Indo-Paqësorit ishte munduar që ta arrinte në rishikimin e fundit të buxhetit. Aktualisht, sipas shkrimit të “FP”, Washingtoni duhet të flasë “mbarë e mbrapshtë” rreth sistemeve të ndryshme për vendet si Koreja Jugore, Filipinet dhe India.

“Vetëm merreni me mend të punuarit në ‘Microsoft’ kundruall ‘Apples’, këto në SHBA, kjo është mjaftueshëm e dhembshme, por merreni me mend sikur gjithçka të jetë ndryshe”, ka thënë një zyrtar i tretë i Mbrojtjes. “Kjo është vrima më e madhe në lëkundjen tonë”.

Por, shumëllojshmëria e dallimeve në marrëdhëniet e SHBA-së në rajon shfaqet më specifikisht nëpërmjet tonit dhe gjuhës së trupit. Kjo gjë është dalluar qartë në javët e fundit, madje edhe ndërmjet aleatëve më të afërt në rajon.

“Në Tokio, Blinkeni ishte pritur ngrohtësisht nga kryeministri japonez, Yoshihide Suga, në një skenë që i ngjasonte një takimi mes miqve të kahershëm. Në Seul, ministri koreano-jugor i Mbrojtjes doli ta sfidonte thirrjen e kryediplomatit amerikan për ‘denuklearizimin e Koresë Veriore’ gjatë konferencës së nivelit të lartë për shtyp”, ka shkruar gazeta amerikane.

Ndërkohë, armiqësia e gjatë historike mes Japonisë dhe Koresë Jugore ka kufizuar lidhjet përtej një pakti të 2019-s për ndarjen e të dhënave të Inteligjencës.

Administrata Biden, sipas “FP”-së, duhet t’i hulumtojë gjithashtu standardet e ndryshme të të drejtave të njeriut në rajon, një çështje kjo për të cilën Shtëpia e Bardhë e re është zotuar se do ta nënvizojë në politikat e sigurisë kombëtare.

Austini i ka ngritur shqetësimet rreth trajtimit të popullatës myslimane të Indisë me zyrtarët kryesorë të vendit. Tajlanda dhe Filipinet, të cilat vazhdimisht janë përplasur me Kinën rreth kontestit territorial në Detin Jugor të Kinës, janë që të dyja të rrethuara nga sfidat e brendshme të të drejtave të njeriut, dhe nuk ishin pjesë e gostisë së parë tejoqeanike të zyrtarëve të Bidenit.

“Ani pse zyrtarët kanë paralajmëruar se partneritetet shumëkombëshe të SHBA-së ka të ngjarë që të avancojnë me hapa foshnjash pas udhëtimit, administrata Biden mund, po ashtu, ta shfrytëzojë mungesën e një NATO-je të Azisë në avantazh të saj”, ka shkruar gazeta.

Derisa administratat e njëpasnjëshme janë mbështetur te vendet e NATO-s për të shpenzuar më shumë në mbrojtje, struktura më pak formale e aleancës me Azinë mund t’ua bëjë të mundur aleatëve të SHBA-së bashkëpunimin në ndarjen e të dhënave dhe manovrave ushtarake në këmbim të asaj që jodomosdo do të udhëhiqen nga Washingtoni.

“Kjo as që do të thotë se SHBA-ja duhet të jetë e përfshirë”, ka thënë zyrtari i parë i Mbrojtjes. “Nëse mund t’u ndihmojmë aleatëve që të jenë në gjendje të përgatiten më mirë për t’i mbrojtur vetë interesat e tyre dhe për të qenë më të sigurt në aspektin e sovranitetit të tyre, atëherë kjo është së tepërmi mirë për çdokënd”.

Analizë e “Foreign Policy Magazine”