Botë

Policët e ikur birmanë: I sfiduam urdhrat për të vrarë protestues

“Nuk mund ta lëndojmë popullin tonë, andaj erdhëm në Mizoram”, ka thënë njëri prej burrave, i cili ka ikur nga qyteti veriperëndimor Tedim. Shteti i Mizoramit në verilindje të Indisë e ndan një pjesë kufiri me Bangladeshin dhe Birmaninë

Një grup policësh që i sfiduan urdhrat e ushtrisë së Birmanisë për të shtënë drejt kundërshtarëve të puçit kanë kujtuar përvojat e tyre pas ikjes në Indi.

Teksa flisnin, ata e bënin përshëndetjen me t’i ngritur lart tre gishtërinjtë – një simbol ky i rezistencës ndaj sunduesve ushtarakë të Birmanisë.

“Nuk mund ta lëndojmë popullin tonë, andaj erdhëm në Mizoram”, ka thënë njëri prej burrave, i cili ka ikur nga qyteti veriperëndimor Tedim. Shteti i Mizoramit në verilindje të Indisë e ndan një pjesë kufiri me Bangladeshin dhe Birmaninë.

Pas puçit ushtarak, policia ishte urdhëruar që “të shtinte drejt popullit dhe jo vetëm popullit”.

“Na ishte thënë që të shtinim drejt familjeve tona, po qe se ato nuk anojnë kah ushtria”, ka rrëfyer ai.

“Associated Press” nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim, ndonëse fotografitë dhe dëshmitë e shtypjes së ndërmarrë nga forcat e sigurisë përbrenda Birmanisë e dokumentojnë dhunën e intensifikuar kundër civilëve.

Fshatarët indianë në Mizoram u kanë ofruar strehim 34 pjesëtarëve të policisë dhe një zjarrfikësi, të cilët kanë kaluar në Indi gjatë dy javëve të fundit. Ata kanë folur për fotoreporterin e AP-së nën kushtin e anonimitetit, shkaku i frikës për kundërpërgjigje ndaj familjarëve të tyre që ende ndodhen në Birmani.

Në shtetin aziatik, përshëndetja me tre gishtërinj, e cila ka origjinën nga librat “Hunger Games” dhe filmat e Suzanne Collins, është duke u përdorur nga protestuesit e rinj në demonstratat masive kundër ushtrisë.

Ndërkohë, K. Vanlalvena, një ligjvënës nga shteti i Mizoramit, ka nxitur qeverinë indiane që mos t’i deportojë refugjatët nga Birmania derisa normaliteti në këtë shtet të mos rikthehet. Ligjvënësi i përket Frontit Nacional Mizo, një aleat ky i partisë qeverisëse “Bharatiya Janata”.

Ata që kanë ikur tani e kalojnë shumicën e kohës duke shikuar televizor dhe duke kryer punët e shtëpisë. Disa i kanë marrë telefonat celularë dhe po përpiqen të vihen në kontakt me familjarët që janë detyruar t’i braktisin. Gjatë natës, që të gjithë ata flenë në dyshe në një shtëpi njëdhomëshe.

Njëri prej tyre ka thënë për AP-në se kanë qenë nën komandën e ushtrisë së Birmanisë.

“Të gjithë jemi policë që punojmë nën qeverinë birmane. I kemi lënë familjet në Birmani. Nuk e dimë se çfarë po ndodh me familjet tona, por ato do të ballafaqohen me shumë probleme nga ushtria. Ne erdhëm në Mizorami për t’u strehuar, do të vdesim në rast se kthehemi atje”, ka thënë ai. “Nuk mund të vihemi në kontakt me prindërit shkaku i problemeve në telekomunikim, por ajo çfarë kemi dëgjuar është se ata janë tepër të frikësuar që të dalin nga shtëpitë... Shpresoj që një ditë do të takohemi përsëri”, ka shtuar ai.

Në fillim të këtij muaji, Birmania i ka kërkuar Indisë që t’i kthejë policët që kanë hyrë në territorin e saj. India ka një kufi 1.643-kilometërsh me Birmaninë dhe strehon me mijëra refugjatë nga Birmania në shtete të ndryshme.

Javën e shkuar, Ramliana, kryer i një këshilli fshati në shtetin Mizoram, një trup ky i bazuar në komunitet, ka thënë se 116 shtetas birmanë kanë kaluar lumin Tiau dhe kanë mbërritur në fshatin Farkawn, nëpërmjet një ngushtice, ku personeli paramilitar indian nuk ishte i pranishëm.

Shteti indian dhe zyrtarët e qeverisë federale nuk kanë ofruar numrin e saktë të personave të ardhur nga Birmania, të cilët e kanë kaluar në vend që nga puçi i 1 shkurtit.

Ministria e Brendshme indiane ka njoftuar javën e kaluar se katër shtete indiane në kufi me Birmaninë – Mizorami, Manipuri, Nagalandi dhe Arunachal Pradeshi – kanë ndërmarrë masa për ta parandaluar hyrjen e refugjatëve në Indi, përveç për arsye humanitare. Ministria ka bërë të ditur se shtetet nuk janë të autorizuara që t’ia japin statusin e refugjatit askujt që hyn në Indi nga Birmania, pasi që India nuk është nënshkruese e Konventës së 1951-s të OKB-së për Refugjatë dhe as të protokollit të saj të 1967-s.

Birmania është qeverisur nga ushtria për pjesën më të gjatë të historisë së saj, qëkur e siguroi pavarësinë nga Britania e Madhe më 1948. Avancimi gradual drejt demokracisë në dekadën e shkuar ka hapur rrugën që Aung San Suu Kyi ta udhëheqë një qeveri civile duke nisur nga viti 2016, ndonëse gjeneralët e vendit e ruajtën pushtetin substancial nën kushtetutën e bashkuar në ushtri.

Partia e Suu Kyisë ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet e nëntorit të shkuar, por ushtria ka intervenuar para se parlamenti të mblidhej më 1 shkurt, duke e burgosur lideren dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë, ndërsa ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme me pretendimin për manipulim të zgjedhjeve.

Të dhënat e verifikuara kanë treguar se më shumë se 200 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë në Birmani që nga fillimi i puçit. Policia dhe ushtria kanë përdorur forcë të tepruar dhe armë zjarri kundër protestuesve, ndërkaq disa prej të burgosurve edhe kanë vdekur në arrest.