Botë

“Përkrahësit e Trumpit ishin përgatitur për luftë në Capitol”

Në dëshminë para Kongresit, ish-shefi i Policisë në Capitol, Steven Sund, ka thënë prerazi: “Këta kriminelë kishin ardhur të përgatitur për luftë”. Ndërkaq kapitenia e Policisë në Capitol, Carneysha Mendoza, e përshkroi 6 janarin si “larg më të keq se më e keqja” e të gjitha ditëve të punës së saj. “Mund të kishim dhjetë herë më shumë njerëz që punonin për ne dhe ende besoj se beteja do të ishte po kaq katastrofike”, ka shtuar Mendoza

Duke dëshmuar të martën në seancën e parë dëgjimore në Kongres lidhur me sulmin në ndërtesën e Capitolit në Washington, shefi i Policisë në Capitol, i cili ka dhënë dorëheqjen lidhur me ngjarjen e 6 janarit, ka thënë se turma e mbështetësve të ish-presidentit, Donald Trump, kishte “ardhur e përgatitur për luftë”.

Merrick Garland, i nominuari i presidentit Joe Biden për prokuror të përgjithshëm, është pajtuar me këtë dëshmi.

Në seancën e konfirmimit gjatë së hënës, e cila ia hapi rrugën dëgjimore asaj në komitetet për siguri të brendshme dhe rregulla në Senat, ai ka paralajmëruar se do t’i zgjerojë hetimet rreth sulmit të fillimjanarit, duke thënë para Kongresit se terrorizmi është kërcënimi më i madh për demokracinë amerikane.

Para Komitetit juridik në Senat, Garland e ka përshkruar kryengritjen e mbështetësve të Trumpit dhe supremacistëve të bardhë si “një akt të urryer që synonte rrënimin e gur themelit të demokracisë amerikane”. Ai ka thënë se detyrë e tij e parë, po qe se konfirmohet si prokuror i përgjithshëm, do të jetë që të përqendrohet në terrorin e brendshëm.

Të martën dy zyrtarët më të lartë të ngarkuar me sigurinë në Capitol gjatë ditës së sulmit vdekjeprurës janë thirrur për të dëshmuar në Kongres.

Paul Irving, ish-rreshter i angazhuar në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Michael Stenger, ekuivalent i tij në Senat, të cilët kanë dhënë dorëheqje pas dhunës, janë paraqitur në një seancë të përbashkët dëgjimore në dy komitetet e Senatit.

Rasti ka shënuar fillimin e hetimeve të Kongresit mbi boshllëqet përbrenda sigurisë së Capitolit që i hapën rrugën kryengritjes.

“Ky ishte një sulm i dhunshëm dhe i koordinuar, ku humbja e jetëve mund të kishte qenë shumë më e madhe”, ka thënë Stenger.

Bazuar në të dhënat e Inteligjencës, Irving ka thënë se “të gjithë besonim se plani i përgatitur përkonte me kërcënimin dhe se ishin të gatshëm”.

“Tani e dimë se plani ynë ishte i gabuar”, ka shtuar ai.

Dy zyrtarë të tjerë, ish-shefi i policisë në Capitol, Steven Sund, dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Policisë në Departamentin e policisë metropolitane në Washington, Robert Contee, kanë dëshmuar gjithashtu. Sund po ashtu kishte dhënë dorëheqje si pasojë e ngjarjes.

“Këta kriminelë kishin ardhur të përgatitur për luftë”, ka thënë Sund.

Kapitenia e Policisë në Capitol, Carneysha Mendoza, e përshkroi 6 janarin si “larg më të keq se më e keqja” e të gjitha ditëve të punës së saj.

“Mund të kishim dhjetë herë më shumë njerëz që punonin për ne dhe ende besoj se beteja do të ishte po kaq katastrofale”, ka thënë Mendoza.

Vërsulja e turmës ka marrë shkas nga tubimi për “shpëtimin e Amerikës” dhe “ndaljen e vjedhjes”, të frymëzuar nga gënjeshtra e Donald Trumpit se zgjedhjet presidenciale të 2020-s ishin të manipuluara. Ngjarja është reklamuar gjerësisht në media sociale.

Si rezultat i mësymjes në godinën që konsiderohet si pishtari i demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vdekur kanë mbetur të paktën pesë persona. \ AP