Botë

Kremlini thotë se Putini është i gatshëm për dialog nëse dëshiron edhe SHBA-ja

Rusia është e gatshme për dialog me administratën e Bidenit, në të cilin priten ndryshime, ka thënë një zëdhënës i Kremlinit të dielën, duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putin do të jetë i gatshëm për bisedime me SHBA-në.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonit kanë qenë në nivelin më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, kur dy palët kishin mosmarrëveshje për rolin e Rusisë në Ukrainë dhe akuzat për ndërhyrje të saj në zgjedhjet e SHBA-së, gjë që Rusia i mohon.

SHBA-ja të shtunën u bëri thirrje autoriteteve ruse që të lëshojnë të arrestuarit dhe gazetarët që janë arrestuar gjatë protestave mbështetëse të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, shkruan Reuters.

Policia ka arrestuar më shumë se 3,000 njerëz dhe ka përdorur forcë për të shpërndarë turmat në Rusi.

“Sigurisht, ne besojmë se do arrijmë sukses për të filluar dialog”, ka thënë zëdhënësi Dmitry Peskov.

Putini ishte një nga liderët e fundit që uroi Joe Bidenin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA.