Botë

Bideni emëron ekipin ekonomik, kërkon miratimin e asistencës rreth COVID-19

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka nxitur të martën ligjvënësit që ta kalojnë pakon e ndihmave rreth koronavirusit të bllokuar në Kongres për muaj të tërë, ndërsa ka premtuar veprime të mëtutjeshme për riaktivizimin e ekonomisë pas ardhjes së tij në detyrë muajin e ardhshëm.

“Tani, i tërë Kongresi duhet të bëhet bashkë dhe ta kalojë pakon e fuqishme për ndihma në adresimin e këtyre nevojave urgjente”, ka thënë Biden gjatë prezantimit të ekipit të tij të ardhshëm ekonomik.

Një grup ligjvënësish amerikanë ka shpalosur gjatë së martës pakon prej 908 miliardë dollarësh për zbutjen e pasojave të COVID-19, me synimin e kapërcimit të bllokadës së kahershme mes demokratëve dhe republikanëve lidhur me asistencën e re emergjente për bizneset e vogla, të papunët, aviokompanitë dhe industritë e tjera të goditura më së rëndi nga pandemia.

Biden ka thënë se kalimi i një pakoje të tillë nga Kongresi, para se ai ta marrë detyrën më 20 janar, do të ishte “vetëm fillimi”.

“Ekipi im i transicionit tanimë është duke punuar në atë që do të nxjerrë para Kongresit të ardhshëm për adresimin e krizave të shumëfishta me të cilat përballemi, sidomos atë të ekonomisë dhe me COVID-19”, ka thënë Biden në ngjarjen e mbajtur në Wilmington të Delawares.

Ai po fliste përkrah të përzgjedhurve të tij për postet më të larta ekonomike, përfshirë të nominuaren e tij për sekretare të Thesarit, shefen e dikurshme të Rezervave Federale, Janet Yellen, e cila ka thënë se pandemia dhe dëmi ekonomik që ajo shkaktoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është “një tragjedi amerikane”.

“Është me rëndësi që të veprojmë me urgjencë. Mosveprimi do të prodhojë rënie të vetëshkaktuar, duke gjeneruar shkatërrim edhe më të madh”, ka thënë Yellen.

Përbërja e ekipit ekonomik e fuqizon qëndrimin e Bidenit për një qasje më agresive të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia. Këshilltarët e zgjedhur kanë shprehur mbështetje për pakot qeveritare të stimulimit për fuqizimin e punësimit, reduktimin e pabarazisë ekonomike dhe për ndihmë grave e minoriteteve, të cilët janë dëmtuar joproporcionalisht nga tkurrja ekonomike.

Shtetet e Bashkuara po ballafaqohen me një valë të re të infeksioneve me COVID-19, teksa më shumë se 4 milionë raste të reja dhe mbi 35.000 vdekje të ndërlidhura me koronavirusin janë shënuar vetëm gjatë nëntorit, kanë treguar të dhënat zyrtare të agjencisë Reuters.

Të përzgjedhurit e tjerë të Bidenit për ekipin e tij ekonomik përfshijnë emrat si Cecilia Rouse, një ekonomiste nga Universiteti i Princetonit, e cila është emëruar shefe e Këshillit të këshilltarëve ekonomikë. Ekonomistët Heather Boushey dhe Jared Berstein janë emëruar anëtarë të Këshillit derisa Neera Tander, shefe ekzekutive e Qendrës për Progres, është caktuar në krye të Zyrës së Menaxhmentit dhe Buxhetit.

Transicioni drejt administratës Biden ka filluar gjatë javës së kaluar, pavarësisht pretendimeve të rreme të presidentit republikan, Donald Trump, se ai i ka humbur zgjedhjet si rezultat i mashtrimit me vota. Të hënën, Bideni ka siguruar qasje në konferencën e parë të klasifikuar të Inteligjencës, qëkur i fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit, pas refuzimit të Trumpit për ta pranuar nisjen zyrtare të procesit të transicionit.

Që atëherë, Trumpi ka iniciuar një sërë sfidash ligjore për rezultatet në disa shtete, ani pse asnjëra prej tyre deri më tani nuk ka rezultuar me përfitime domethënëse për presidentin. Shumica e padive ligjore janë refuzuar nga gjykatësit, të cilët janë shprehur skeptikë lidhur me pretendimet se rezultatet zgjedhore kanë qenë jolegjitime.