Me 631 vota për, tre kundër dhe 59 abstenime, Parlamenti ka miratuar rezolutën që e fuqizon mbështetjen për iniciativën e Francës rreth sanksioneve mbarë-evropiane ndaj Turqisë, duke e pasuar një kërcënim të ashpër ndaj vendit bërë nga ana e bllokut në tetor, shkaku i tensioneve midis Ankarasë dhe Greqisë e Qipros anëtare të BE-së rreth të drejtave të eksploatimit të gazit natyror
Bruksel-Paris, 26 nëntor (Reuters) – Parlamenti Evropian ka nxitur të enjten Bashkimin Evropian që t’i vendosë sanksione Turqisë, pasi që presidenti Recep Tayyip Erdogan kishte vizituar gjatë këtij muaji pjesën turke të Qipros.
Me 631 vota për, tre kundër dhe 59 abstenime, Parlamenti ka kaluar një rezolutë jodetyruese që e mbështet Qipron anëtare të BE-së, duke i shtrënguar liderët e bllokut që “të ndërmarrin veprime dhe t’i vendosin sanksione të serta Turqisë për veprime të paligjshme”.
Rezoluta e fuqizon mbështetjen për iniciativën e Francës rreth sanksioneve mbarë-evropiane ndaj Turqisë gjatë muajit të ardhshëm, duke e pasuar me këtë një kërcënim të ashpër bërë vendit nga ana e bllokut në tetor, shkaku i tensioneve midis Ankarasë dhe Greqisë e Qipros anëtare të BE-së rreth të drejtave të eksploatimit të gazit natyror.
Rezoluta e Parlamentit e kategorizon si të “paligjshëm” eksploatimin turk të gazit në ujërat e Mesdheut lindor, në akuzën që Ankaraja zyrtare e hedh poshtë.
Parisi, i cili ka përplasje të thella me Ankaranë edhe për çështje të tjera, ende nuk ka shpalosur hollësitë e sanksioneve, por diplomatët kanë bërë të ditur se masat mund të vënë në shënjestër fushat e ekonomisë turke që ndërlidhen me eksploatimin e hidrokarbureve, si industrinë e anijeve, energjisë dhe atë bankare.
“Turqia e di çfarë duhet të bëjë”, ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, duke folur para Parlamentit gjatë kësaj jave. “Konfrontim apo bashkëpunim, kjo varet prej tyre”.
Ishulli i Qipros është ndarë sipas vijave etnike, që prej okupimit turk të 1972-s të nxitur nga një puç i shkurtër grek. Vetëm Ankaraja e njeh Qipron Veriore si shtet të pavarur.
Erdogani ka nxitur zemërimin e Qipros, kur më 15 nëntor vizitoi Varoshan, një resor ky i rrethuar dhe i braktisur që konsiderohet “tokë e askujt” qysh nga viti 1974. Ankaraja ka mbështetur rihapjen e pjesshme të Varoshas, në veprimin e kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia dhe grekët e Qipros. Pos sanksioneve, Turqia rrezikon edhe statusin preferencial tregtar me BE-në, partneri ky kryesor tregtar i vendit, si dhe statusin zyrtar si vend kandidat për anëtarësim në bllok, përfundimin e të cilit Austria e ka kërkuar në mënyrë të prerë.
Erdogani kishte bërë thirrje për bojkotimin e mallrave franceze, në një veprim që një diplomat i BE-së e cilësoi si të dëmshëm për marrëdhëniet më të thella tregtare.
“Sidoqoftë, Turqia është një partner kyç në shumë fusha, andaj nuk ka konsensus në Këshill. Është ende tepër herët të thuhet diçka”, ka thënë një tjetër diplomat i BE-së.
Turqia, një anëtare e NATO-s, ka rrëshqitur drejt autoritarizmit nën qeverisjen e Erdoganit viteve të fundit, duke i rrezikuar prioritetet e BE-së në Siri dhe Liban, por vazhdon të jetë një partner strategjik gjeografik që blloku nuk mund ta anashkalojë.
Gjermania, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, e ka në duart e saj çelësin për vendosjen apo jo të sanksioneve ndaj Turqisë. Vendi është ofruar për ndërmjetësim midis Athinës dhe Ankarasë, por është zemëruar kur Turqia ka vazhduar eksploatimin e gazit në brigjet detare të Qipros muajin e shkuar. Mospajtime të reja kanë shpërthyer gjatë kësaj jave, pasi Gjermania dhe Turqia u përplasën rreth ndalimit të një anije turke në Mesdhe.
“Mendoj se tanimë ekziston një qëndrim i përbashkët se sanksione do të ketë”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së. “Çështja është vetëm se çfarë do të duhet të përballojë tregu”.