Forcat e Azerbajxhanit kanë hyrë në distriktin e dytë, nga tre në total sa do t’i dorëzohen nga Armenia, në kuadër të marrëveshjes që u ka dhënë fund luftimeve për rajonin e Nagorno-Kharabakut.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ka thënë se njësitet e ushtrisë së këtij shteti kanë hyrë në Karvachar, sipas marrëveshjes së nënshkruar këtë muaj nga Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia.
Karvachar, që gjendet në mes të Nagorno-Karabakut dhe Armenisë, ishte planifikuar t’i dorëzohej Azerbajxhanit më 15 nëntor, mirëpo afati i fundit është shtyrë nga autoritetet azerbajxhanase për arsye humanitare.
“Puna inxhinierike është kompletuar për të siguruar lëvizjen e njësiteve tona në këtë drejtim, rrugët e vështira malore janë duke u pastruar nga minat dhe janë duke u përgatitur për shfrytëzim”, ka thënë ministria përmes një deklarate të mërkurën.
Armenia është pajtuar për të dorëzuar tri rajone - Agdam, Karvachar, dhe Lachin – që kanë qenë për afro tri dekada nën kontrollin e armenëve etnikë të përkrahur nga Armenia.
Agdam është dorëzuar më 20 nëntor, derisa Lachin do të dorëzohet më 1 dhjetor.
Zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia është diskutuar ndaras gjatë bisedave telefonike në mes të presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, ka njoftuar Kremlini më 24 nëntor.
Të tre liderët kanë diskutuar edhe për ndihmën humanitare për njerëzit e Nagorno-Kharabakut dhe çështjet ekonomike, ashtu sikurse edhe zhbllokimin e komunikimeve për transport në këtë rajon, ka thënë po ashtu Kremlini përmes një deklarate.
Nagorno-Kharabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por shumica e popullsisë së saj armene ka qeverisur këtë rajon prej kur trupat azerbajxhanase dhe civilët azerbajxhanas u dëbuan nga rajoni në luftën e viteve 1992-94.