Botë

Kampet e zhgënjimit

Iraku ka nisur t’i mbyllë kampet ku janë vendosur dhjetëra mijëra refugjatë, përfshirë shumë prej atyre që kanë lëshuar shtëpitë në ditët e fundit të sundimit brutal të “Shtetit Islamik”, por organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo mund të rezultojë me valë të dytë të zhvendosjes me pasoja të ashpra.

Në mesin e atyre që duhet të zhvendosen janë edhe 50-vjeçarja Umm Ahmed dhe dy bijtë e saj, të cilët jetonin në kampin Hammam al-Alil që nga viti 2017, kur shtëpitë e tyre në Mosul u shkatërruan prej një sulmi ajror të kryer nga koalicioni i prirë nga Shtetet e Bashkuara, në përpjekjen për kthimin e kontrollit të qytetit, shkruan Reuters. 

Duarbosh

“Nuk kam kurrfarë të ardhurash, askush nuk na ndihmon. Kampi është kthyer në shtëpi për ne”, ka theksuar Umm Ahmad, e cila nuk mund të kryejë kurrfarë pune dore për shkak të aftësive të saj të kufizuara. Ajo thotë se dy djemtë e saj kanë probleme mendore.

“Shteti Islamik” shkatërroi jetën e miliona irakianëve kur mori kontrollin e hiseve të mëdha të territorit në vend më 2014 dhe nisi sundimin brutal në disa vende, si Mosuli. Ky sundim i egër zgjati për tre vjet me radhë, duke lënë pasoja të përjetshme për shumë familje irakiane, që pos që kanë mbetur pa shtëpi e katandi, po përballen edhe me pasoja shëndetësore e vuajtje pas humbjes së më të dashurve të tyre. Shumë prej burrave të territoreve të kontrolluara nga organizata terroriste u shtrënguan që të rekrutoheshin në radhët e “Shtetit Islamik”.

“Para kohës së ISIS-it biri im pastronte rrugët dhe ne mund të mbijetonim disi me ato pak të hyra që i siguronte. Mbesnim gjallë. Por tani ai është tepër i sëmurë për të punuar”, ka thënë Umm Ahmed.

Hammam al-Alil, 25 kilometra në jug të Mosulit, është një prej kampeve të shumta që duhet të mbyllen brenda këtij muaji. Operacioni ishte menduar për fillim të vitit, por u ndryshua për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka bërë të ditur Khalid Abdul Karim, i cili drejton Zyrën për migracion dhe refugjatë në komunën e Mosulit.

Ndërmjet dy zjarreve

Gjithsecila familje do të merrte 1.5 milionë dinarë (apo rreth një mijë e 270 dollarë amerikanë) ndihmë gjatë vitit të parë dhe autoritetet janë duke u koordinuar me organizata humanitare ndërkombëtare për t’u siguruar se ndihma do t’u jepet të gjitha familjeve me qëllim që të vendosen në vende të tjera, ka njoftuar Abdul Karim.

Por organizatat e ndihmës humanitare thonë se do të jetë e vështirë që të ndihmohen të gjitha familjet e zhvendosura në mbarë vendin, dhe disa prej tyre do të mund të përballeshin me dhunë dhe arrestime nëse do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, nëse kanë të afërm që ishin pjesë e grupeve të armatosura terroriste, përfshirë “Shtetin Islamik” në Siri dhe Irak.

Pa plan

Rreth njëqind mijë persona rrezikojnë të mbesin pa strehë pas mbylljes së paplanifikuar dhe të pakoordinuar mirë, ka deklaruar drejtuesi i organizatës “Përkrahje për Irakun” në kuadër të Këshillit Norvegjez për Refugjatë, Ahmad Azzam.

Me valixhet e mbushura me plaçkat e pakta, një grua irakiane nga krahina e Baxhit thotë se nuk ka të afërm që mund të kujdesen për të dhe fëmijët. Burri i vdiq gjatë luftës dhe prej atëherë po jetonte në kamp.

Fëmijët e saj, sikurse mijëra burra të tjerë nën sundimin e ISIS-it, nuk kanë karta identiteti, pa të cilat nuk mund të sigurojnë qasje në shërbime, përfshirë shkollimin.

“Pavarësisht se a na ofrojnë mbështetje me para ose jo, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, ka thënë Umm Ahmed, derisa shikon fqinjët duke mbushur valixhet, që pastaj i hedhin në kamion për të marrë udhë drejt të ardhmes së panjohur.