Botë

Eksodi masiv i mjekëve midis pandemisë

Fouad Boulos është kthyer në Bejrut më 2007 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas trajnimeve të kryera atje në patologji dhe mjekësi laboratorike. Ishte fort i bindur se Libani ishte vendi i duhur për ta vazhduar jetën dhe karrierën, kështu që vendosi të hiqte dorë prej “gren cards” që ia lejonte qëndrimin në Amerikë, shkruan Reuters. 

Dëshpërimi

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, ai po largohet nga vendlindja, bashkë me gruan dhe pesë fëmijët. Po kthehet në Shtetet e Bashkuara me shpresë se do të nisë gjithçka nga e para. Mbarë e mirë.

Libani po kalon nëpër krizë të madhe ekonomike dhe politike. Qytetarët janë revoltuar kundër liderëve pasi falimentoi sistemi bankar i vendit. Pandemia arriti kulmin në gusht në këtë shtet të trazuar të Lindjes së Mesme. Dhe të ligat duket se s’kishin fund. Në gusht shpërtheu një depo e madhe eksplozivi në portin e kryeqytetit Bejrut.

Dhe disa prej libanezëve, që po mund të largohen nga vendi, nuk po mendohen dy herë. Kështu është ngritur numri i mjekëve dhe kirurgëve, shumica prej tyre më të njohurit në vend. Me ta po merr teposhtën edhe reputacioni i krenarisë së Bejrutit si kryeqyteti i mjekësisë i Lindjes së Mesme.

“Ky është eksod masiv”, thekson Boulos, profesor-asistent i patologjisë klinike dhe i mjekësisë laboratorike në Universitetin Amerikan të Bejrutit (AUB).

“Dhe do të vazhdojë”, ka deklaruar ai për Reutersin. “Nëse do të kisha shpresë do të qëndroja, por halli është se nuk kam shpresë – jo as në të ardhmen afatmesme të Libanit”.

“Më këputet shpirti”

Dhe derisa ai flet në rezidencën e tij malore në Beit Mery, zonë e pyllëzuar me pamje mahnitëse nga Bejruti, gruaja po merret me futjen e plaçkave në valixhe. Boulos po kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Valixhet janë radhitur në korridor, dhe njëra prej vajzave po flet me shoqet në bisedën e lamtumirës. U përshëndet edhe me mësuesen.

“Ma këput shpirtin. Ishte vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë, po lë gjithçka prapa vetes”, shton Boulos.

Shumë mjekë me kualifikime të larta, të cilët po kërkoheshin në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë para se të ktheheshin në Liban pas luftës civile të viteve 1975-90, kanë humbur shpresën për të ardhmen.

Ata jo vetëm që po shohin ulje të pagave, por edhe shkurtime të pajisjeve, personelit dhe barnave esenciale në spitale në kohën kur valuta e Libanit po kalon krizën më të madhe. Nuk po mund të mbulohen assesi ilaçet që duhet të importohen.

Ikja e trurit

Sharaf Abou Sharaf, kryetar i Sindikatës së mjekëve, ka thënë se ikja e 400 mjekëve deri tani paraqet problem të madh, sidomos në spitalet universitare, ku mbahet mësimi e kryhet praktika.

“Kjo është ikje e trurit, që do të sjellë pasoja, sidomos nëse situata zgjat shumë dhe ka shumë të tjerë që po përgatiten të ikin”, ka paralajmëruar alarmueshëm ai.

Me këtë pajtohet edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Hamad Hassan.

“Ekspertiza e tyre është krijuar për vite me radhë dhe tani është e vështirë t’i humbim brenda natës. Do të na duhen edhe shumë vite për ta kthyer sektorin e mjekësisë në ditët e tij të lavdishme”, ka thënë ai.

Vjet shpërthyen protesta që rrëzuan Qeverinë, duke ngjallur shpresën se mund të vinin në pushtet politikanë që do të kthenin frymën pozitive në vend. Por, Libani vazhdon të përballet me krizë politike edhe për shkak të sistemit të ndërlikuar politik, ku tri postet kryesore politike duhet të ndahen ndërmjet sekteve të krishtera dhe myslimane.

“Gozhda e fundit në arkivol”

Mandej pasoi shpërthimi i madh i gushtit, duke marrë jetën e 200 personave dhe plagosur gjashtë mijë të tjerë. Më shumë se 300 mijë qytetarë kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fuqisë së hatashme të shpërthimit që shkatërroi edhe një numër spitalesh në kryeqytet.

“Shpërthimi ishte gozhda e fundit në arkivol”, thekson Boulos. “I kristalizoi krejt frikët dhe vështirësitë me të cilat po jetojmë”, ka shtuar mjeku, i trajnuar në Universitetin Vanderbilt në Nashville, Tennessee.

Boulos ka thënë se ka humbur shpresën në lidershipin e vendit pas disa vitesh destabiliteti prej inateve politike.

“Libani është i korruptuar deri në themel”, ka thënë ai, duke iu dhënë zë shqetësimeve të mijëra protestuesve që kanë dalë vjet rrugëve të vendit.