Botë

Bideni fiton Michiganin, i duhen edhe gjashtë vota për t’u bërë president

Foto: Reuters

Numërimi i votave në SHBA po shkon drejt fundit. Kanë mbetur pak shtete për t’u përmbyllur në tërësi procesi zgjedhor. Gara vazhdon të jetë e ngushtë mes dy kandidatëve, Donald Trump nga Partia Republikane dhe Joe Biden nga Partia Demokratike.

23:58 - Bideni fiton Michiganin, i duhen edhe gjashtë vota për t’u bërë president

Kandidati i Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka fituar edhe shtetin e Michiganit. Atij tashmë i ka mbetur vetëm fitorja në Nevada që të shpallet president i ri i SHBA-së, bazuar në rezultatet që ofron AP.

Me 16 votat elektorale që ia ka siguruar Michigani, Bideni ka arritur në 264 vota elektorale deri tash. Atij i mjafton triumfi në Nevada (6 vota elektorale), ku po udhëheq, për të arritur 270-shin e mjaftueshëm që të shpallet president.

Në Nevada, Bideni ka epërsi të ngushtë ndaj Donald Trumpit. Ai prin me vetëm mbi 7600 vota teksa duhet të numërohen edhe rreth 400 mijë vota.

Image

23.20 - Kampi i Trumpit nis procese gjyqësore në Michigan dhe Pennsylvania

Kampi i presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi se ka nisur procese gjyqësore në shtetet kyç, të Michiganit dhe Pennsylvanias, për të ndaluar numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet e 3 nëntorit.

Fushata pretendoi se ka mungesë të qasjes dhe të transparencës sa u përket hapjes së fletëvotimeve.

“Kemi ngritur padi në Gjykatën e Kërkesave në Michigan për të ndaluar numërimin, derisa të jepet qasje kuptimplote”, tha përmes një deklarate fushata e Trumpit.

Në Pennsylvania, kampi i Trumpit i akuzoi zyrtarët zgjedhorë për moslejimin e “vëzhguesve” të tij që të jenë më afër se 8 metra nga kutitë e votimit.

“Po padisim edhe për të ndaluar përkohësisht numërimin, derisa të ketë një transparencë kuptimplote dhe republikanët të sigurohen se numërimi bëhet sipas ligjit”, tha një zyrtar i fushatës së presidentit.

Paditë vijnë edhe pse nuk ka asnjë provë të keqbërjes nga ana e zyrtarëve zgjedhorë.

Nga pesë shtetet kyç ku gara është ende tejet e ngushtë, Trump prin në Giorgia dhe Pennsylvania, ndërsa rivali i tij demokrat, Joe Biden, në Arizona, Michigan dhe Nevada. \ REl

22:13 - Bideni nuk shpall fitoren pa përfunduar numërimi, shprehet i bindur në triumf

Joe Biden, kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një paraqitje publike, një ditë pas zgjedhjeve në SHBA, ka thënë se është i bindur që kur të përfundojë numërimi i votave, ai do të shpallet president i ri i SHBA-së.

“S’jam këtu që të deklaroj fitoren, por besoj se kur të përfundojë numërimi do të jemi fitues”, ka thënë ai në një fjalim drejtuar kombit amerikan.

Biden aktualisht po udhëheq 248:213 ndaj Donald Trumpit të Partisë Republikane, në vota elektorale. Atij i duhet të ruajë epërsinë në Michigan dhe Nevada për t’u shpallur president i ri i SHBA-së.

20:34 - Nëse Bideni ruan epërsinë në Michigan e Nevada, fiton zgjedhjet

Kandidatit demokrat Joe Biden i duhet të ruajë epërsinë në Michigan dhe Nevada për të fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave të AP-së, Bideni po prin në Michigan me rreth 37 mijë vota, teksa kanë mbetur edhe 220 mijë vota për t’u numëruar deri në fund.

Më ngushtë është gara në Nevada. Bideni po fiton me më pak se 8 mijë vota diferencë, teksa kanë mbetur edhe 589 mijë vota për t’u numëruar.

Aktualisht Bideni ka 248 vota elektorale nga 270 sa i duhen për të fituar zgjedhjet. Pikërisht triumfi në Michigan (16 vota elektorale) dhe Nevada (6 vota elektorale) i mjaftojnë Bidenit për t’u bërë president i ri i SHBA-së.

Trumpi ka 214 vota elektorale.

20:17 - CNN: Wisconsin ia jep votën Bidenit

CNN ka projektuar që Joe Biden do të fitojë Wisconsinin dhe do të marrë 10 votat elektorale të këtij shteti.

Projeksioni i CNN-it e afron edhe më shumë kandidatin demokrat te triumfi i madh përballë Donald Trumpit të Partisë Republikane.

Në bazë të projeksioneve të CNN-it rezultatet janë 237:213 në të mirë të Bidenit, ndërsa AP-ja tashmë ka shkuar në rezultatin 248:214, për Bidenin.

Pos Wisconsinit, janë edhe gjashtë shtete tjera vendimtare për fituesin e zgjedhjeve 2020 në SHBA. Bideni duhet të mbajë epërsinë edhe në Michigan e Nevada për të fituar zgjedhjet. Në Georgia, North Carolina, Pensilvani e Alaska po udhëheq Trumpi.

19:01 - Trumpi kërkon rinumërim në Wisconsin

Kampi i Donald Trumpit është duke kërkuar rinumërim të votave në Wiconsin, pasi rezultatet tregojnë se kundërkandidati i tij, Joe Biden, po udhëheq me rreth 20 mijë vota.

“Ka pasur raportime për parregullsi në disa zona të Wisconsinit që kanë ngritur dyshime serioze për validitetin e rezultateve”, ka thënë Bill Stepien, menaxher i kampanjës, në një deklaratë për media.

Trumpi vazhdimisht po akuzon demokratët se kanë përmbysur “çuditërisht” rezultatet në disa shtete, përfshirë Wisconsin.

Kërkesa e Trumpit për rinumërim s’pritet të ndryshojë rezultatin final, për shkak se dallimi mes votave konsiderohet i lartë.

18:52 - Joe Biden, kandidati më i votuar në histori të garës presidenciale në SHBA

Joe Biden është bërë kandidati presidencial që ka marrë më së shumti vota në histori të zgjedhjeve amerikane, me shumë vota të panumëruara ende.

Ai ka kaluar shifrën e 70 milionë votave, duke tejkaluar edhe Barack Obaman, që më 2008 kishte marrë 69.5 milionë, e që ishte shifër rekorde. Totali tashmë është gati 4 milionë më shumë se që kishte marrë vota Hillary Clinton e Partisë Demokratike më 2016, kur kishte marrë më shumë vota popullore se Trumpi, por humbi në votën elektorale.

Kundërkandidati i Bidenit, presidenti Donald Trump, ka deri tash 67.3 milionë vota, duke u bërë kandidati i tretë me më së shumti vota në histori.

Bideni është duke udhëhequr edhe me votë elektorale 238:213, ndërsa i duhen edhe 32 vota për t’u bërë president.

18:40 - Katër skenarët që mund të definojnë fituesin në SHBA

Bazuar në projeksionet e Associated Press, me të cilat kandidati demokrat Joe Biden prin me rezultat 238:213 në votë elektorale, janë katër skenarë që mund të definojnë fituesin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me gjashtë shtete ku ende s’ka marrë fund epilog numërimi, dy kandidatët kanë nga dy skenarë të mundshëm për të fituar.

Kandidati demokrat, Joe Biden, ka nevojë për 32 vota për të arritur 270-shin e votave elektorale që i mjaftojnë për t’u bërë president. Në vendet ku ende s’ka epilog të rezultateve, Bidenit do t’i mjaftonte në njërin skenar vetëm triumfi në Michigan dhe Pensilvani, që bashkë ia sigurojnë 36 vota.

Image

Por skenari më i mundshëm, bazuar në numërimet e deritashme është që ai të fitojë Nevadan (6 vota elektorale), Wisconsin (10) dhe Michiganin (16), që do ta rrëzonin Trumpin nga posti.

Image

Në anën tjetër, preisdenti Donald Trump për të fituar zgjedhjet patjetër duhet të sigurojë përmbysje. Në skenarin e parë ai duhet të fitojë Pensilvaninë (20), Georgian (16) dhe North Carolinan (15) (udhëheq në të tri vendet), por i duhet të përmbysë rezultatin në Nevada.

Image

Opsion tjetër është humbja e Pensilvanisë, por për të fituar zgjedhjet, Trumpit do t’i duhet që pos Georgias e North Carolinas, të fitojë edhe në Nevada (6), Wisconsin e Michigan.

Image

17.40 - Situata aktuale në shtetet ku nuk ka përfunduar numërimi i votave

Numri i votave po vazhdon në disa shtete, por janë gjashtë kyç që mund të konfirmojnë fitoren e Joe Bidenit apo të sjellin përmbysjen e rezultatit nga Donald Trump, presidenti aktual.

Sipas të dhënave të orës 17.30 të agjencisë AP, në tri nga këto shtete udhëheq Trump e në tri të tjera Bideni.

Nëse Bideni arrin të mbajë epërsinë në këto shtete dhe të marrë votat elektorale, atëherë shënon fitore. Janë 32 vota elektorale në pyetje nga Michigani, Wisconsini dihe Nevada.

Nëse konfirmohet fitorja e Bidenit në Arizona, e cila sjell 11 vota elektorale, atëherë kandidati demokrat ka 238.

Situata aktuale nëpër shtete:

Georgia: udhëheq Trumpi (Donald Trump 50.5% - Joe Biden 48.3%. Janë numëruar 94% të votave. Shteti sjell 16 vota elektorale.

North Carolina: udhëheq Trumpi (Donald Trump 50.1%, Joe Biden 48.7%. Janë numëruar 94% të votave. Shteti sjell 15 vota elektorale)

Pennsylvania: udhëheq Trumpi (Donald Trump 54%, Joe Biden 44.9%. Janë numëruar 64% të votave. Shteti sjell 20 vota elektorale)

Michigan: udhëheq Bideni (Joe Biden 49.6 %, Donald Trump 48.9%. Janë numëruar 95% të votave. Shteti sjell 16 vota elektorale)

Wisconsin: udhëheq Bideni (Joe Biden 49.6%, Donald Trump 48.9%. Janë numëruar 95% të votave. Shteti sjell10 vota elektorale)

Nevada: udhëheq Bideni (Joe Biden 49,2%, Donald Trump 48,6%. Janë numëruar 67% të votave. Shteti sjell 6 vota elektorale)

17:02 - Dramë në fund të numërimit të votave në SHBA

Fund dramatik pritet të ketë procesi i numërimit të votave në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden, sipas rezultateve të AP-së dhe analizave të New York Times, po udhëheq me votë elektorale 227:213, ndaj Donald Trumpit të Partisë Republikane.

Një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar zgjedhjet, ndërsa janë disa shtete për të cilat s’ka përfunduar numërimi dhe rezultati është shumë i ngushtë mes kandidatëve.

Bideni po vazhdon të mbajë epërsinë në Arizona dhe Nevada, ku janë numëruar 86 për qind të votave. Këto dy vende bashkë sigurojnë 17 vota elektorale, Arizona 11 dhe Nevada 6.

Trumpi po prin në Pensilvani që siguron 20 vota elektorale. Aty deri tash janë numëruar 78 për qind të votave e Trumpi prin me rreth 500 mijë vota para kundërkandidatit. Trumpi po udhëheq edhe në North Carolina e Georgia, që bashkë sigurojnë 31 vota elektorale.

Vendet që pritet të jenë kyçe për rezultatin final janë Michigani me 16 vota elektorale dhe Wisconsin me 10. Në të dyja Bideni ka arritur të dalë përpara duke përmbysur epërsinë e hershme të Trumpit. Aktualisht aty janë numëruar 97 për qind të votave në Wisconsin, dhe 90 për qind të votave në Michigan.

Për këto vende, të dy kampet janë shprehur të bindura se do të fitojnë, ndërsa numërimi s’pritet të përfundojë shpejt.

Image

16:40 - Kampi i Trumpit: Jemi në rrugë të duhur për fitore

Kampi i Donald Trumpit ka thënë se presidenti aktual amerikan është në “pozitë shumë, shumë, shumë të mirë” për të fituar zgjedhjet presidenciale, ku po vazhdon numërimi në disa prej shteteve kyçe, me rezultatin që është shumë i ngushtë.

Sipas projeksioneve, fitues ende s’ka në disa shtete dhe ka mundësi të ndryshme që Trumpi apo kundërkandidati i tij Joe Biden të marrë votat e mjaftueshme elektorale për të fituar në zgjedhje.

Kampi i Trumpit, në një konferencë për media të mërkurën, ka thënë se votat me postë do të jenë në favor të tij, diçka që bie ndesh me qëndrimin e presidentit i cili kërkonte që të ndalej numërimi i tyre.

Ky kamp beson se Trumpi do të fitojë në Arizona dhe në Pensilvani, që bashkë ofrojnë 31 vota elektorale, në kohën kur Bideni po udhëheq 227:213, e kandidatit fitues i duhen 270 vota.

“Kemi besim në shtegun tonë. Kemi besim në matematikën tonë. Jemi duke parë disa nga këto gara si ekuacione matematikore”, ka thënë menaxheri i kampit, Bill Stepien.

“Nëse numërojmë të gjitha votat legale, do të fitojmë”, ka thënë ai duke shtuar se demokratët po duan të numërojnë edhe “votat e vonshme”.

Ndërsa për Michiganin dhe Wisconsin, ku Trumpi u përmbys nga Bideni dhe gara po zhvillohet shumë ngushtë, ai ka thënë se “kanë besim pozitiv për to”.

16:19 - Trumpi e quan “të çuditshme” përmbysjen që ia bëri Bideni

Donald Trump, presidenti aktual amerikan, e ka cilësuar si të çuditshme përmbysjen që bëri kundërkandidati i tij, Joe Biden, në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Teksa Trumpi po udhëhiqte në disa shtete, gjatë të mërkurës Bideni arriti të përmbyste rezultatin për t’iu afruar më shumë triumfit të përgjithshëm. Bëhet fjalë për Michiganin ku Bideni tani ka marrë epërsi tejet të vogël, por që mund të jetë kyçe.

“Mbrëmjen e shkuar po udhëhiqja, shpesh me rezultat solid, në shumë shtete, në gati të gjitha instancat ku udhëhiqnin demokratët. Më pas, një nga një, ato nisën në mënyrë magjike të zhdukeshin teksa po numëroheshin vota të befasishme. SHUMË e ÇUDITSHME dhe ‘anketuesit’ dolën tërësisht dhe historikisht gabim”, ka shkruar Trumpi në Twitter.

Aktualisht me votë elektorale Bideni po udhëheq 227:213. Kandidatit i duhen 270 vota elektorale për të fituar zgjedhjet.

15:17 - Bideni në epërsi në Michigan

Joe Biden ka kaluar në epërsi në Michigan kur janë numëruar 90 për qind të votave. Bideni ka një epërsi prej afro 12 mijë votave, ndërsa më herët kishte qenë në disavantazh mbi 200 mijë vota, njofton “NYT”.

Michigani i garanton 16 vota elektorale në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Nga kampi i Bidenit janë optimist për fitoren në zgjedhjet, raporton CNN. Po vazhdon numërimi në qytetet si Alaska, Arizona, Karolinë Veriore, Nevada, Wisconsin, Michigan, Maine, Georgia e Pennsylvania. Për Maine është raportuar më herët se Biden i ka fituar tri nga katër votat elektorale atje.

15:05 - Bota po pret me padurim rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

Në mungesë të një fituesi të menjëhershëm në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, loja e hamendësimit se kush do t’i fitojë zgjedhjet Donald Trumpo apo Joe Biden, ka kaluar shpejt në një nivel global, shkruan agjencia AP.

“Po dëgjojë se do të duhet kohë për t’u numëruar të gjitha. Nuk ia kam idenë se si do të ndikojë kjo tek ne”, ka thënë ministri i Financave, i Japonisë, Taro Aso.

Në Paris, një qytetar spanjoll, Javier Saenz, është befasuar që është zgjuar pa e mësuar fituesin në zgjedhjet në SHBA.

“Kam menduar se do të ketë diçka të qartë në mëngjes. Dhe kam lexuar tekste të ndryshme, asnjëri vërtetë nuk e di se kush do të fitojë. Jam i shokuar me këtë”, ka thënë Saenz.

Por mungesa e rezultatit nuk është aq befasuese për ekspetët e po ashtu nuk është indikacion se diçka ka shkuar keq. Në një vit të pandemisë, shumë shtete e kanë bërë më të lehtë të votohet me postë. Kjo nënkupton ngadalësim të procesit të numërimit, pasi numërimi i votave me postë shpesh mund të zgjasë më tepër.

Paqartësia kombinuar me shqetësimin se si Amerika do të shërohet pas këtyre zgjedhjeve e po ashtu nxitur nga frika e deklaratave të pamatura të Trumpit ku ka shpallur fitoren dhe ka kërcënuar të ndalë numërimin e votave me anë të Gjykatës Supreme, nuk ka ndihmuar.

Nga Evropa, në veçanti, kanë ardhur thirrjet për durim dhe numërim të gjitha votave. Në Slloveni, vendlindjen e zonjës së parë Melania Trump, kryeministri i krahut të djathtë, Janez Jansa, ka thënë se është “shumë e qartë se amerikanët e kanë zgjedhur Donald Trumpin president”, por ai ka qenë zëri i vetëm mes liderëve që ka nxituar të urojë pa rezultatet finale.

Zëvendëskancelari gjerman, Olaft Scholz, ka insistuar në numërimin e gjitha votave, duke thënë: “Është me rëndësi për ne që të gjitha të numërohen dhe në fund të kemi rezultat të qartë”.