Botë

Protokolli i një nate tmerri në Vjenë

Descriptive Text

Është e hënë, ora 20:02, na duhen për mbyllje të redaksisë edhe disa cigare. Automati tjetër është disa qindra metra larg nga selia e Falterit në rrugën “Marc-Aurel”. Rruga është në një nga rrëzat e ashtuquajtur “Trekëndëshi i Bermudës”, një vend i festave, ku breza të vjenezëve, turistë dhe të sapoardhur pinë, vallëzojnë dhe shijojnë jetën.

Një minutë para se të largohemi nga shtëpia, duhet të jenë shtënë plumbat e parë. Në rrugë takojmë djem të frikësuar para një pabi irlandez, ata tregojnë të trembur për një kallashnikov. E më pas bëhet zhurmshëm, vërtet zhurmshëm, pastaj një zhurmë tjetër: krt- krt- krat. Nga “Schwedenplatz”, zyrtarët policorë të armatosur hidhen në sulm, ne trokasim në dyert e redaksisë, të shtënat po afrohen.

Janë skena të frikshme dhe joreale. Përcjellë nga sirena të veturave të policisë, që kalojnë me shpejtësi nëpër rrugën “Marc-Aurel” dhe për në Donaukanal e në brendi të qytetit. Me helmeta dhe jelekë antiplumb, me helikopterë e me komando, policia kalon si në një luftë shtëpi më shtëpi. Shtatë zyrtarë policorë të ndryshëm qëlluan në këtë mbrëmje. A janë disa atentatorë në qytet? Apo është një i vetëm? Askush nuk mund ta thotë në atë moment.

Gjendja në mbyllje të redaksisë: Në Schwedenplatz vdiqën pesë persona, në mesin e tyre edhe atentatori KujtimF., i cili para 20 vjetëve ishte lindur nga prindër prej Maqedonisë Veriore në Moedling, siç e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer. Të hënën , pak pas orës tetë të mbrëmjes, ai vizitoi zonën pranë Schwedenplatz, por është e paqartë nëse ishte i vetëm. Arma e tij me të cilën sulmoi lë të kuptohet se ishte e përgatitur.

Atentati më i rëndë

Sulm terrorist në Austri, i pari që nga seritë me bomba në letra nga ekstremisti i djathtë Franz Fuchs dhe me gjasë i pari i inspiruar nga Shteti Islamik (IS).

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, flet për “ditën më të rëndë në Austri për shumë vjet”.

Kujtim F. thuhet se ka qenë një simpatizues i radikalizuar i të ashtuquajturës IS. Autoritetet e identifikuan shpejt, e qysh natën u futën në apartamentin e tij në Simmering për një kontroll. Në pubertet ai ishte marrë intensivisht me islam, më pas pati probleme, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Ai vizitonte rregullisht një xhami në Josefstadt, të njohur për autoritetet austriake.

Për autoritetet austriake Kujtim F. ishte i njohur: Ai ishte një nga ata islamikë që donin të udhëtonin nga Austria për në Siri, për në “Kalifat”, arriti deri në Turqi.

Në vitin 2019, ai, për shkak të anëtarësimit në një organizatë terroriste, qëndroi në burg, në Austri, për shtatë vjet e gjysmë. Por, që Kujtim F. do ta planifikonte një sulm në Vjenë, këtë nuk e besonte policia.

Por cili ishte motivi i këtij djali? Shumë gjëra flasin, se Kujtim F. kishte zgjedhur cakun e sulmit me shumë paramendim. Në zonën e njëjtë një komando terroriste palestineze në vitin 1981 kishte sulmuar sinagogën kryesore të komunitetit hebraik të Vjenës dhe dy persona vdiqën. Kujtim F. mund ta ketë cituar këtë akt terrorizimi, për ta shkaktuar më pas një gjakderdhje para kamerave të vëzhgimit të komunitetit fetar në “Trekëndëshin e Bermudeve”.

Rabini Schlomo Hofmeister nga dritarja e apartamentit u bë dëshmitar, ai pretendon të ketë parë “një ose më shumë” atentatorë, që “në mënyrë specifike” kanë shënjestruar njerëzit para pabeve. Tavolinat në këtë mbrëmje ishin plotë, tharëset e ngrohën këtë mbrëmje për gati 20 gradë celsius. Shumë dëshironin të shijonin orët e fundit para një mbylljeje të radhës duke pirë. Vrasja filloi pak pas orës 20:00.

Në “Seitenstettengasse”, përballë tempullit të qytetit të komunitetit hebraik dhe përballë barit të koktejeve Meinz qëllon vrasësi në drejtim të një kalimtari derisa po ecte andej. Ai vrapon edhe një herë prapa dhe qëllon me një pistoletë në drejtim të një të riu që ishte shtrirë përtokë, i cili e mban dorën para fytyrës. Sulmuesi kërkon mbulim në hyrje të lokaleve, një banor bërtet, duke e sharë sulmuesin.

Para hyrjes së restorantit “Salzgries” qëndron një person i gjakosur. Në Schwedenpkatz qëllon atentatori në drejtim të dy policëve, një nga policët shtrihet i plagosur rëndë, por thuhet se tashmë nuk është në rrezik për jetën. Disa persona në uniforma gjejnë mbulim prapa një “McDonaldi”.

Me sa duket Kujtim F. tetë minuta ka ecur nëpër rrugët e “Trekëndëshit të Bermudës” dhe u përpoq të vriste pa zgjedhur. Në orën 8:09 ai qëndron i shtrirë pa shenja jete para kishës “Ruprecht”, i qëlluar nga policët e njësitit special Wega, që e bëjnë një distancë të sigurisë nga kufoma. Rripi që dukej sikur ka eksploziv të lidhur në bark më vonë u zbulua se ishte një mashtrim.

Fillimi i mbrëmjes së frikshme

Mbrëmja e frikshme filloi me një telefonatë në polici. Një burrë u tha se po qëllonte me një armë gjuetie në qendër të qytetit, kështu tregoi në konferencën e parë për media shefi i Policisë së Vjenës, Gerhard Prustl. Por arma në të vërtetë ishte një pushkë automatike sulmi, autori mbante po ashtu edhe një pistoletë e ndoshta edhe një hanxhar, siç dukej në video. Në këto minuta dihet pak: A po sulmon një celulë terroriste islamike në qendër të Vjenës? Apo është një person i vetëm i armatosur?

Në rrjetet sociale Policia luftoi që mos të shfaqen fotografi nga celularët, për të mos i rrezikuar forcat e rendit. Informacioni më i shpejtë në lidhje me sulmet vjen në Twitter: i vërtetë dhe i dobishëm. Dhe të tjerët. Në mbrëmje nis seria e lajmeve të rrejshme – pati një sulm në Salzburg dhe në hotelin “Hilton” në parkun e qytetit, terroristët ishin me U3. Transmetuesi i trazirave i familjes Fellner “Oe24” në këto orë bën ato që pas sulmeve terroriste duhet evituar: paraqet imazhet traumatizuese të vrasjes në tentativë, pellgun e gjakut në Salzamt.

Moderatori lejon letra të rrejshme rrëfimi që të qarkullojnë, dhe po ashtu lejon të shihen vrasjet. Këshilli Austriak i Shtypit deri më tash ka marrë 700 ankesa kundër publikimit të fotografive të ekzekutimit. Falter po ashtu bie pre e një raporti të rremë të përhapur me burime nga policia: një vrasës kishte marrë pengje në një restorant në Mariahilfer. Për fat të mirë, kjo nuk ishte e saktë.

Është ora 21:00, dhe nga dritaret e redaksisë mund të shihen njësitet speciale Wega duke marshuar me helmeta dhe jelekë antiplumbë. Pikat e kuqe nga tytat e tyre kërkojnë muret, policët u bërtasin kalimtarëve që të mbështeten me duart lart te muret e të heqin bluzat. Të dyshuar të rinj shihen të gjunjëzuar. Dëshmitarët xhirojnë skenën nga restoranti i shkëlqyeshëm në “Meinl am Graben”.

Në teatrin “Burg” vizitorët pinë duhan, në sallën e koncertit perkusionisti Marin Grubinger nuk ndalet në mënyrë që të ftuarit të mos dalin jashtë. Atje, ku forcat e rendit ende dyshojnë për më shumë vrasës.

Hoteli “Wandl” u fron 40 qytetarëve të bllokuar një qëndrim falas gjatë natës, në këtë mbrëmje pinë të gjithë falas nga shtëpia. Në “Schwarzen Kameel” krijohet një lloj paniku. Pronari dëshiron të ftojë mysafirët brenda, por ata ikin. Qendra e qytetit është e rrethuar, në fakt gjithçka brenda këtij rripi.

Automjetet e forcave të rendit kanë mbushur rrugët.

Austria deri të hënën kishte qenë e kursyer nga sulmet xhihadiste

Në urën “Schweden” rreshtohen autoambulancat, forcat e ndihmës së parë po u japin ndihmë 15 të plagosurve. Shtatë u plagosën rëndë nga plumbat apo u goditën me mjet të mprehtë, në mesin e tyre edhe një polic 28-vjeçar. Në tavolina gjenden gota gjysmë të mbushura.

Si ka mundur të ndodhte e gjithë kjo? Deri më tash Austria ishte kursyer nga dhuna xhihadiste. Vëzhgonte sulmet islamike në Londër, Nice apo Bruksel nga një distancë e sigurt. Vetëm më 16 tetor në Paris, në “Conflans-Sainte-Honorine”, një çeçen 47-vjeçar ia preu kokën mësuesit të historisë Samuel Paty. Ai vdiq, pasi u mundua t’ua mësonte nxënësve lirinë e të shprehurit përmes karikaturave të Muhamedit. Më pak se dy javë më vonë, një tunizian 21-vjeçar qëlloi me thikë për vdekje tre besimtarë në katedralen “Notre Dame” në Nice.

Asgjë nga këto nuk dukej se e prekte Vjenën, një ishull të bekuar. Kuadrot e vjetra të “Al-Qaidas” e kishin parë gjithmonë Austrinë si një “dhomë të qetë”. Në planet e sulmeve Austria nuk kishte vend. Austria nuk mori pjesë në luftën në Lindjen e Mesme dhe besoi se skena e saj islamike është nën kontroll. Kur predikuesit e urrejtjes gjurmoheshin, ata merrnin dënim të rëndë – si predikuesi boshnjak Mirsad O. ose vrasësi i mëvonshëm i Shtetit Islamik, Mohammed M.

Shqetësuese kishin qenë lajmet e fundit. Në “Reumannplatz” të enjten e kaluar thuhet se ishin mbledhur deri 50 të rinj dhe kishin bërë thirrje islamike.

Pasi që policia i kishte shpërndarë, të rinj kishin shkuar në kishën “Anton” dhe kishin thirrur “Allahu Akbar”.

Zyra Shtetërore për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Njësiti Kundër Terrorizmit mori shënim.

“Në internet u bë një thirrje për një takim në Reumannplatz me flamur të Shtetit Islamik”, ka thënë Thomas Schmidinger, që është specialist në temën e islamizmit. Por kjo nuk do të thotë se “ata vërtet kanë lidhje me Shtetin Islamik”.

Por kjo nuk do të thotë se nuk ka rrezikon nga terrorizmi. Vjenezi 19-vjeçar Lorenz K. që si i ri është radikalizuar në burg, kishte nxitur një djalë 12-vjeçar për të kryer një sulm me eksploziv. Gati nëntë vjet kaloi Lorenz K. Në burg ai u radikalizua më tej dhe rehabilitimi duket se nuk ishte i suksesshëm.

Për një terrorist që do të ecte nëpër rrugica dhe do të qëllonte në drejtim të qytetarëve, si në vitin 2015 në Paris, për Vjenën është një dimension krejt i ri. Vetëm hulumtuesin islam gjerman, Ahmad Mansour, sulmi nuk e befasoi: “Baza, ideologjia ishte gjithmonë aty”.

Në Austri nga viti 2013 i janë bashkuar rreth 300 persona Shtetit Islamik në Siri. Mohamed M. avancoi për në “shef të Propagandës së IS-it” në Evropë, duke qëlluar pengje para kamerave, derisa në vitin 2018 u raportua se u vra nga një sulm me dron.

Shpesh ekspertët kanë paralajmëruar kundër nënvlerësimit të situatës së sigurisë në Austri. Mediat propagandistike të IS-it shpejt proklamuan si vepër të IS-it sulmin në Schwedenplatz. Ata e quajtën vrasësin “luan” dhe se Austria ka marrë faturën për pjesëmarrjen e saj në koalicionin amerikan kundër terroristëve. Studiuesi i njohur gjerman i terrorizmit, Peter Neumann, po ashtu është 99 për qind i sigurt se Shteti Islamik qëndron prapa sulmit.

Skena në muajt e fundit ka qenë joaktive, e qëllimi i krijimit të një kalifati në thelb ka dështuar. Por procesi gjyqësor kundër sulmuesit të “Charlie Hebdos” në Paris, vrasjes me thikë në kishën në Nice, kanë zgjuar aktivistët. Pak para bllokimit, ata me sa duket duan të godasin edhe një herë.

Të terrorizojnë komunitetin hebraik, të shkatërrojnë një jetë të lumtur dhe të përçajnë shoqërinë.

Në fund do të mbeten dy pyetje të mëdha. Ajo politike: Çfarë të bëhet në Vjenë me të rinjtë e radikalizuar, që marrin një automatik dhe vrasin për ‘Kalifatin’? A qëndron në një vijë krimi me terrorin në qytetet e tjera të mëdha? A kanë vandalistët në kishën “Anton” rrënjë të njëjta si vrasësi në qendër të Vjenës? Si do ta ndryshojë Austrinë ky sulm? A do të përshkallëzojë situata edhe në Qeveri? Përshkallëzimi, paralajmëron hulumtuesi Neumann, është synim i terroristëve. Një mbrojtje e fortë kushtetuese është tani në rend të ditës e jo thënie të forta.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, sigurimi i shtetit në Austri duhet t’i bëjë vetes pyetje vendimtare: Si dhe ku ka mundur të brutalizohej një i ri nga Simmeringu, që të dalë për të vrarë në qendër të qytetit? Si mund të planifikonte dhe të kryente një sulm një person i dënuar për vepra terroriste? Pse nuk u vëzhgua? Nga i mori armët dhe kush dinte për planet e tij?

Përgjigjet për këto pyetje mund të jenë të pakëndshme për ministrin e Brendshëm të Austrisë.

(Marrë nga gazeta austriake “Falter”)