Botë

Në Maqedoni pezullohen 23 drejtues policie për dhunën në Kuvend

Ministri i ri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Maqedonisë, Oliver Spasovski njoftoi të enjten për pezullimin nga puna të 23 oficerëve të lartë të policisë për shkak të dyshimeve mbi rolin e tyre në ngjarjet e dhunshme në Parlament, më 27 prill.

Një grup pune në Ministrinë e Rendit ka përgatitur një raport mbi ngjarjet e 27 prillit dhe ka gjetur se ka pasur shkelje të ligjit për policinë. Sipas raportit, policia ka dështuar në kryerjen e detyrës për shkak të ndikimit politik. Dokumenti le të kuptohet se gjatë këtyre ngjarjeve policia nuk ka respektuar procedurat, ka munguar komanda për organizimin e njësiteve policore, nuk ka pasur përgjegjësi të përcaktuar, kanë munguar njoftimet operative të shërbimeve, shtabi operativ nuk e ka vlerësuar situatën, plani i skenarëve për neutralizim nuk është aktivizuar dhe se policia është penguar nga disa deputetë për mbylljen e dyerve të Parlamentit.