Botë

Kremlini mohon përfshirjen në zgjedhjet amerikane

Kremlini ka mohuar akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Shteti rus, akuzat amerikane i ka quajtur të pabaza. Reagimi i Kremlinit u bë pasi që zyrtarët e Sigurisë Kombëtare amerikane kanë njoftuar se Irani dhe Rusia kanë mbledhur informacione për votuesit amerikanë, transmeton KOHA.

Zyrtarët e sigurisë në SHBA kanë bërë të ditur se Irani ka dërguar mesazhe kërcënuese tek votuesit e partisë demokratike. Mesazhet elektronike dukeshin se buronin nga grupet e djathta, që përkrahin presidentin Donald Trump.

Me këto mesazhe, Irani synonte që të nxiste trazira në SHBA, ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Inteligjencës.

Njoftimi i pazakontë i Agjencisë u bë pas shqetësimeve të shprehura të Qeverisë amerikane lidhur me ndërhyrjen në votime dhe fushatat për keqinformim nga shtetet e huaja, kur kanë mbetur më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.