Botë

Macroni e quan “sulm terrorist islamik” vrasjen e mësuesit në Paris

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e një arsimtari në periferi të Parisit, të premten.

Një person i armatosur ia kishte prerë fytin me thikë një arsimtari të historisë, në sulmin të cilin policia franceze po e trajton si terrorizëm.

Një burim policor ka bërë të ditur se vrasja mund të jetë e lidhur me rastin kur arsimtari u kishte treguar nxënësve në klasën e tij një karikaturë të Profetit Muhamed, raporton BBC. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia.

Macroni ka thënë se ky arsimtar u vra pasi që “ua mësonte nxënësve lirinë e shprehjes”. “Ata nuk do të fitojnë… ne do të veprojmë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, policia e Francës ka arrestuar nëntë persona pas ngjarjes, për të hetuar nëse sulmuesi kishte vepruar i vetëm apo në grup me dikë tjetër.