Dy ditët e fundit u përcollën me zhvillime të papritura lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Të martën ishte dita e fundit e armëpushimit gati dy-javor mes SHBA-së dhe Iranit, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, kishte kërcënuar se nëse Irani nuk arrinte marrëveshje, ai priste që “të vazhdohej me bombardime”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE gjitha kjo ndryshoi me një postim në orët e vona të së martës me kohë të Kosovës, nga presidenti Trump, përmes të cilit njoftonte se do ta zgjaste armëpushimin derisa Teherani të mund të paraqiste një "propozim të unifikuar" për të çuar përpara negociatat e paqes.
Çka ndodhi tjetër brenda 24 orëve të fundit:
Pritej që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe pjesa tjetër e ekipit negociator amerikan të shkonin në Islamabad për bisedime me homologët e tyre iranianë.
Ndërkohë, Irani ende nuk kishte vendosur nëse do të dërgonte një delegacion në Pakistan për bisedime me SHBA-në, sipas një zëdhënësi të ministrisë së Jashtme iraniane.
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid, tha se Teherani kishte marrë disa shenja se SHBA-ja ishte gati të përfundonte bllokadën e porteve iraniane, duke shtuar se rundi tjetër i negociatave do të zhvillohej vetëm kur kjo të ndodhte.
Mirëpo, në një intervistë me CNBC, Donald Trumpi tha se Irani "nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të dërgojë" delegatë në Pakistan, duke shtuar se ai "pret të bombardojë" nëse nuk arrihet përparim.
Pastaj, pa asnjë shenjë se delegacioni amerikan po nisej për në Islamabad, situata ndryshoi papritur kur mediat raportuan me burime se Vance kishte pezulluar udhëtimin e tij drejt Islamabadit dhe se zyrtarët më të lartë amerikanë po mblidheshin në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një vendim se si të vazhdohej më tutje.
Pas kësaj, Trumpi njoftoi se do të zgjaste armëpushimin dhe do të vazhdonte bllokadën e marinës amerikane të porteve iraniane derisa udhëheqësit e Iranit të mund të paraqisnin një "propozim të unifikuar" dhe diskutimet të përfundonin.
Trumpi ka thënë se vendimin e kishte marrë me kërkesë të Pakistanit, kryeministri i të cilit më pas e falënderoi për këtë veprim.
Shtëpia e Bardhë po ashtu konfirmoi se udhëtimi i Vance në Pakistan për negociata paqeje është anuluar.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, ka thënë se zgjatja e bllokadës detare amerikane do të vazhdonte "të degradonte sistematikisht aftësinë e Teheranit për të gjeneruar, lëvizur dhe riatdhesuar fonde".
E ndërsa ka pasur disa postime në mediat sociale nga zyrtarët iranianë, nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga Teherani.
Kryenegociatori iranian: S’mund ta rihapim Ngushticën e Hormuzit, pasi armëpushimi po shkelet
Kryenegociatori i Iranit në bisedimet me Shtetet e Bashkuara, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë se “nuk është e mundur të rihapet Ngushtica e Hormuzit duke marrë parasysh të gjitha shkeljet flagrante të armëpushimit”, transmeton “BBC”.
Ai ndër shkeljet ka përmendur bllokadën detare amerikane ndaj Iranit – për të cilën thotë se përbën “marje peng të ekonomisë globale”- dhe “nxitjen e luftës” nga Izraeli “në të gjitha frontet”.
Ai në një postim në “X” ka thënë se e vetmja mënyrë përpara “është t’i njihen të drejtat popullit iranian”.
Ghalibaf ishte paraparë të takohej në Pakistan me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, në fillim të kësaj jave, por ende palët nuk kanë udhëtuar dhe s’ka ndonjë njoftim.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën ka njoftuar se ka zgjatur armëpushimin me Iranin.
Greqia konfirmon dëmtimin e anijes në afërsi të Hormuzit, por jo edhe sekuestrimin
Anija greke e mallrave “Epaminondas” është sulmuar pranë Ngushticës së Hormuzit, por nuk është e qartë nëse është sekuestruar nga Irani, ka thënë ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, transmeton “CNN”.
“Mund ta konfirmoj se ka pasur sulm kundër një anije greke të mallrave, por s’mund ta konfirmoj se ajo është sekuestruar nga iranianët”, tha Gerapetritis.
Ai tha se anija ka pësuar dëme të mëdha gjatë sulmit. Por, autoritetet greke kanë mohuar se është ndaluar.
Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se kjo anije, së bashku me atë MSC Francesca, u “sekuestruan” dhe janë shoqëruar drejt bregdetit iranian.
Irani thotë se ka sulmuar tri anije në Hormuz, dy prej tyre i ka sekuestruar
Mediat iraniane raportojnë se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë shënjestruar tri anijet e goditura në Ngushticën e Hormuzit.
Agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me IRGC-në, thotë se një anije e quajtur Euphoria është shënjestruar dhe tani është e bllokuar në brigjet e Iranit.
Media iraniane thotë se anijet MSC Francesca dhe Epaminondas “janë kapur” dhe janë drejtuar drejt bregdetit iranian, duke cituar një deklaratë nga Marina e IRGC-së.
Goditet anija e tretë në Ngushticën e Hormuzit
Një anije e tretë mallrash është sulmuar ndërsa përpiqej të kalonte Ngushticën e Hormuzit, ka thënë firma e inteligjencës detare Vanguard.
Anija, MSC Francesca me flamur të Panamasë, u shënjestrua rreth gjashtë milje detare larg bregdetit të Iranit, ndërsa po shkonte në jug të Ngushticës dhe në Gjirin e Omanit.
Vanguard thotë se MSC Francesca u përshëndet nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe "u udhëzua të hidhte spirancën".
Anija ka raportuar dëme.
Sulmet iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit vijnë vetëm pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se kishte vendosur të zgjasë armëpushimin me Iranin derisa pala iraniane të paraqiste propozime konkrete për fundin e përhershëm të armiqësive.
Ndërkohë, Trumpi ka thënë se bllokada ndaj anijeve iraniane do të vazhdojë.
Tri anije të sulmuara, dy prej tyre të sekuestruara në Hormuz pasi Trumpi zgjati armëpushimin
Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) thotë se dy anije janë qëlluar në Ngushticën e Hormuzit të mërkurën.
Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) qëlloi një anije kontejnerësh, thotë UKMTO, ndërsa një anije e dytë është sulmuar gjithashtu.
Pak më vonë është raportuar edhe për një anije të tretë të sulmuar.
Mediat iraniane kanë raportuar se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë shënjestruar tri anijet e goditura në Ngushticën e Hormuzit, teksa dy prej tyre i ka sekuestruar.
Sulmet vijnë vetëm pak orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi të zgjasë armëpushimin me Iranin, derisa bisedimet midis dy vendeve të kenë përparuar. Trumpi ka thënë megjithatë se bllokada amerikane e porteve iraniane vazhdon.
Statusi i bisedimeve SHBA-Iran është i paqartë. Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance nuk u nis për në Pakistan siç pritej të martën, ndërsa Irani ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht vendimit të ri të Trumpit.
Një këshilltar i kryetarit të parlamentit të Iranit ka thënë se zgjatja e armëpushimit "nuk do të thotë asgjë", duke e quajtur atë "një dredhi për të fituar kohë për një sulm të papritur".
Ndërkohë, në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, korrespodenti i BBC-së raporton se marrëveshjet mbeten në vend për një rund tjetër bisedimesh, por shpresat për një takim këtë javë duket se, për momentin, janë zbehur.
Sulmohet anija e dytë në Ngushticën e Hormuzit pas zgjatjes së armëpushimit
Një anije e dytë është sulmuar të mërkurën në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur ushtria britanike, vetëm pak kohë pasi Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit hapi zjarr ndaj një anijeje kontejnerësh.
Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar nuk ka identifikuar menjëherë se kush ka qëlluar anijen e dytë.
Megjithatë, dyshimet ranë menjëherë mbi Iranin, Garda Revolucionare paraushtarake e të cilit hapi zjarr më parë në anijen kontejnerësh.
Në sulmin e dytë, anija e mallrave ka thënë se ishte qëlluar dhe ishte ndaluar në ujë.
Ajo ka shtuar se nuk kishte dëmtime të raportuara në anije.
Sulmet vijnë disa ditë pasi SHBA-ja ka kapur një anije iraniane kontejnerësh pasi e qëlluan atë fundjavën e kaluar, dhe hipën në një cisternë nafte të lidhur me tregtinë e naftës së Iranit të martën në Oqeanin Indian.

Pse Trumpi vendosi ta zgjasë armëpushimin me Iranin?
Presidenti Donald Trump u mblodh me ekipin e tij të sigurisë kombëtare të martën pasdite në Shtëpinë e Bardhë përballë një vendimi të madh: çfarë të bëjë më tej me Iranin?
Afatit të armëpushimit po i afrohej fundit dhe Air Force Two po qëndronte në pistë në Joint Base Andrews përpara nisjes së planifikuar të zëvendëspresidentit JD Vance drejt Pakistanit për rundin e ardhshëm të bisedimeve.
Por administrata po përballej me një problem: heshtje pothuajse totale nga iranianët.
Në ditët paraprake, SHBA-ja i kishte dërguar Iranit një listë me pika të përgjithshme të marrëveshjes që donte që iranianët t’i pranonin përpara rundit tjetër të bisedimeve. Por kaluan disa ditë pa marrë përgjigje, duke ngritur dyshime se sa mund të arrihej nga Vance dhe të tjerët duke shkuar në Pakistan për bisedime të drejtpërdrejta, sipas tre zyrtarëve të njohur me çështjen të cilët kanë folur për CNN.
Ndërsa Trumpi u takua me Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, kreun e Shtatmadhorisë, Dan Caine dhe drejtorin e CIA-s John Ratcliffe në Shtëpinë e Bardhë të martën, administrata ende nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Irani. Zyrtarët i kishin kërkuar ndërmjetësit kryesor nga Pakistani, mareshalit Asim Munir, të siguronte të paktën një lloj përgjigjeje përpara se Vance të hipte në Air Force Two.
Megjithatë, edhe pas disa orësh, nuk kishte asgjë.

Në Shtëpinë e Bardhë, këshilltarët kryesorë të Trumpit besojnë se një nga arsyet kryesore për mungesën e përgjigjes janë përçarjet brenda udhëheqjes aktuale iraniane, një vlerësim i bazuar pjesërisht në informacionet nga ndërmjetësit pakistanezë, sipas tre zyrtarëve.
Administrata mendon se iranianët nuk kanë një qëndrim të përbashkët ose nuk bien dakord se sa kompetenca t’u japin negociatorëve lidhur me çështjen e pasurimit të uraniumit dhe rezervave aktuale të uraniumit të pasuruar, një pikë kyç e mosmarrëveshjes në bisedimet për paqe.
Një faktor tjetër komplikues, sipas SHBA-së, është nëse udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei po u jep udhëzime të qarta vartësve të tij, apo nëse ata po përpiqen të hamendësojnë dëshirat e tij pa udhëzime konkrete.
Zyrtarët amerikanë besojnë se përpjekjet e tij për të qëndruar i fshehur kanë ndërprerë diskutimet e brendshme në qeverinë iraniane.
Pavarësisht këtyre pengesave të mëdha, një zyrtar ka thënë se ende ekziston mundësia që negociatorët amerikanë dhe iranianë të takohen së shpejti. Por kur dhe nëse do të ndodhë kjo mbetet shumë e pasigurt.
Në vend që të rifillonte sulmet ushtarake, oresidenti Donald Trump vendosi të zgjasë armëpushimin dyjavor me Iranin pak para se ai të skadonte. Këtë herë ai nuk specifikoi një datë përfundimi.
Trumpi, i cili i quajti zyrtarët iranianë “thellësisht të përçarë” në një postim në Truth Social, mbetet i interesuar për një zgjidhje diplomatike të luftës dhe është i kujdesshëm për të mos ringjallur një konflikt për të cilin nuk ka mbështetje nga masa, e që ai pretendon se SHBA-ja tashmë e ka fituar.
Megjithatë, dështimi i negociatave për momentin thekson vështirësitë që Trumpi vazhdon të ketë në përpjekjen për të arritur një marrëveshje që përmbush kërkesat e tij të shumta.
Irani ka këmbëngulur publikisht që Trumpi të heqë bllokadën ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit përpara se Teherani të angazhohet në një rund të ri bisedimesh.
Trumpi e ka refuzuar këtë kërkesë. “Nuk do ta hapim ngushticën derisa të kemi një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë ai në CNBC të martën në mëngjes.
Në një takim pasdite, Trumpi dhe pjesa tjetër e grupit vendosën të zgjasin armëpushimin që ndërmjetësit pakistanezë thanë se do të skadonte brenda disa orësh, megjithëse Trumpi kishte sugjeruar se besonte se do të zgjaste deri të mërkurën në mbrëmje në Uashington.
Kjo, teorikisht, mund t’i jepte Iranit më shumë kohë për të arritur një qëndrim të përbashkët me miratimin e Khameneit, megjithëse zyrtarët kanë thënë se nuk kishte garanci.
Zyrtarët ka theksuar se një udhëtim mund të organizohej shpejt nëse do të kishte sinjale se Irani është gati të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Si SHBA-ja ashtu edhe Teherani përballen me pasoja ekonomike për sa kohë që ngushtica mbetet efektivisht e mbyllur, duke bërë që disa zyrtarë në rajon të shpresojnë se të dyja palët janë të motivuara për të arritur një zgjidhje sa më shpejt.
Zyrtarët pakistanezë, të cilët të martën u përpoqën të bindnin Iranin të merrte pjesë në bisedime, po ashtu po e inkurajonin Trumpin të zgjaste armëpushimin. Ndërsa afati po afrohej, Trump vendosi ta “zgjasë armëpushimin derisa propozimi i tyre të paraqitet dhe diskutimet të përfundojnë, në një mënyrë ose në një tjetër”.
Por zyrtarët iranianë nuk dukeshin të impresionuar nga kjo lëvizje e Trumpit.
“Zgjatja e armëpushimit nga Trumpi nuk do të thotë asgjë”, ka thënë Mahdi Mohammadi, këshilltar i kryetarit të Parlamentit iranian Ghalibaf, i cili ka drejtuar delegacionin negociator iranian.
“Pala humbëse nuk mund të diktojë kushtet. Vazhdimi i rrethimit nuk ndryshon nga bombardimi dhe duhet të përballet me një përgjigje ushtarake”, ka shtuar ai.
Njoftimi i Trumpit se armëpushimi do të vazhdonte e mbylli një ditë të mbushur me pasiguri, e cila kishte nisur me deklaratën e tij se “priste të bombardonte” Iranin përsëri në një afat të afërt.
Megjithatë, pa një afat të ri, këshilltarët e Trumpit kanë paralajmëruar privatisht presidentin se lehtësimi i presionit mund t’i japë Iranit mundësi të zvarrisë negociatat, sipas burimeve të njohura me diskutimet.
Së paku, negociatorët kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje kornizë këtë javë midis SHBA-së dhe Iranit. Zyrtarët amerikanë kishin shpresuar që kjo të çonte më pas në bisedime më të detajuara gjatë javëve në vijim për detajet e marrëveshjes.
Megjithatë, kjo qasje kishte kundërshtarët e saj, të cilët paralajmëruan se Irani mund të jetë duke i zvarritur diskutimet për të fituar kohë ndërsa nxjerr në sipërfaqe disa nga sistemet e tij raketore të fshehura gjatë luftës.
Një numër pikash kritike, përfshirë aftësinë e ardhshme të Iranit për pasurimin e uraniumit, fatin e rezervave të tij të uraniumit shumë të pasuruar dhe se cilat sanksione do të hiqen, mbeten të pazgjidhura, sipas personave të njohur me bisedimet.
Se sa fleksibile do të jetë secila palë në kushtet e saj, do të përcaktojë në fund nëse mund të arrihet një marrëveshje. Për Trumpin, një nga prioritetet është të mos pranojë një marrëveshje që mund të krahasohet me marrëveshjen bërthamore të epokës së Obamës, nga e cila ai u tërhoq në vitin 2018 dhe që vazhdimisht e ka kritikuar si të dobët.
Gjatë ditëve të fundit, Trumpi është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje më të mirë, duke u bazuar në aftësitë e tij negociuese, madje duke pretenduar të martën se do ta kishte “fituar Vietnamin shumë shpejt” nëse do të kishte qenë president në atë kohë.
“Mendoj se do të përfundojmë me një marrëveshje të shkëlqyer”, ka këmbëngulur ai. “Mendoj se ata nuk kanë zgjedhje. Ua kemi shkatërruar flotën detare, ua kemi shkatërruar forcën ajrore, ua kemi eliminuar liderët, gjë që në fakt e komplikon situatën në një farë mënyre”.
Disa orë më vonë, ndërsa po nderonte sportistë universitarë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte jashtëzakonisht i heshtur për luftën gjatë fjalimit të tij, duke përshëndetur gazetarët që u përpoqën t’i bënin pyetje përpara se të largohej nga salla.
Irani sulmon një anije në Ngushticën e Hormuzit pas zgjatjes së armëpushimit nga SHBA-ja
Irani ka sulmuar një anije kontejnerësh në Ngushticën e Hormuzit të mërkurën, duke e dëmtuar anijen dhe duke i komplikuar përpjekjet për bisedime në Pakistan për t'i dhënë fund luftës.
Sulmi në mëngjes nga Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se SHBA-ja po e zgjaste armëpushimin me Iranin për një kohë të pacaktuar, për t'i dhënë Teheranit kohë për të dalë me një "propozim të unifikuar" përpara negociatave të mundshme.
Armëpushimi duhej të përfundonte të mërkurën.
Ndërkohë Irani nuk ka ofruar njohje zyrtare të zgjatjes së armëpushimit nga Trumpi.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, e ka falënderuar Trumpin për zgjatjen e armëpushimit duke thënë se kjo do të blinte kohë për përpjekjet e vazhdueshme diplomatike.
"Me besimin dhe sigurinë që kemi, Pakistani do të vazhdojë përpjekjet e tij të sinqerta për një zgjidhje të negociuar të konfliktit", ka shkruar ai në X.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të vazhdonte bllokadën e porteve iraniane, të cilën Irani e ka quajtur "të papranueshme" dhe për të cilën ka thënë se ishte një arsye pse nuk kishte rënë ende dakord të bashkohej me bisedimet në Islamabad.
Garda Revolucionare është zotuar të mërkurën se do të “japë goditje shkatërruese përtej imagjinatës së armikut ndaj aseteve të saj të mbetura në rajon”.