Botë

Abazoviqi propozon Krivokapiqin për kryeministër, por e refuzon Fronti Demokratik

Liderët e Frontit Demokratik në Mal të Zi thonë se bartësi i listës “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, më nuk e ka mbështetjen unike të atij koalicioni dhe se nuk mund ta mbështesin atë si mandatar për kryeministër derisa të rishikohet besimi në të nga organet partiake.

Kjo është njoftuar në takimin sot të mbajtur në manastirin Ostrog.

Siç njoftoj “Vijesti”, më herët në takim e kishte propozuar Krivokapiqin për mandatar lideri i koalicionit “E zeza në të Bardhë”, shqiptari Dritan Abazoviq.

Në takim ku kishin marrë pjesë liderët e koalicionit, u bisedua për formimin e Qeverisë së re. Siç mëson “Vijesti”, u bë përpjekje për arritje të marrëveshjes për kryetarin e Parlamentit dhe po ashtu për mandatarin për kryeministër.

Ishte paraparë që vendi i shefit të parlamentit t’i takonte Demokratëve. U propozua po ashtu që anëtarët e koalicionit të ri, që e ka shumicën, t’i japin përkrahjen Krivokapiqit për mandatar.

Kur u mendua se po arrihej marrëveshja, një nga liderët e Frontit Demokratik, tha se Krivokapiq nuk e ka mbështetjen unike dhe se duhet të kalojë nëpër rishikimin e besimit në koalicion.

Në takim u tha se pritet që koalicioni “E zeza në të Bardhë” apo ekspertët që ata propozojnë të kontrollojnë sektorin e Sigurisë (Ministrinë e Mbrojtjes, policinë dhe Agjencinë për Sigurinë Nacionale) dhe se kjo është pritje e komunitetit ndërkombëtar.