Botë

SHBA-ja rrit përkrahjen për Tajvanin, me gjithë presionin nga Kina

SHBA-ja ka bërë të ditur të martën se do të nisë një dialog të ri ekonomik me Tajvanin, një nismë për të cilën ka thënë se synon fuqizimin e lidhjeve me Taipenin dhe përkrahjen e tij, me gjithë presionin gjithnjë e më të madh nga Pekini.

Washingtoni po ashtu ka bërë të ditur se ka deklasifikuar gjashtë garanci të epokës së Reaganit, që i ishin bërë Tajvanit, një veprim ky që sipas analistëve synonte ta dëshmonte vijimësinë e përkrahjes për Taipein.

Paralajmërimet vijnë në kohën e kërcënimecve gjithnjë e më të theksuara kineze ndaj Tajvanit dhe teksa raportet midis Washingtonit dhe Pekinit kanë rënë në nivelin më të ulët të dekadave të kaluara, raporton Reuters, transmeton KOHA. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është duke bërë fushatë për rizgjedhje në nëntor, teksa qasja më e sertë ndaj Kinës përbën një prej platformave kryesore të tij në politikën e jashtme.

Diplomati i lartë për Azinë Lindore i Departamentit të Shtetit, David Stilwell, ka thënë gjatë një forumi virtual se veprimet më të reja amerikane nuk paraqisnin kthesë politike, por pjesë të një “përshtatjeje të konsiderueshme” brenda politikave të kahmotshme të Washingtonit karshi Kinës.

Ëashingtoni është ndier i detyruar t’i bëjë këto përshtatje duke e pasur parasysh “rrezikun gjithnjë e më të madh që paraqet Pekini për paqen dhe stabilitetin”.

“Do të vazhdojmë ta ndihmojmë Taipein që t’i bëjë ballë fushatës së Partisë Komuniste kineze për margjinalizimin e Tajvanit”, ka thënë Stilwell.