Botë

Reagimi i ekzagjeruar i Koresë së Veriut ndaj një rasti me koronavirus ngjallë dyshime

Koreja e Veriut është duke izoluar me mijëra njerëz dhe po u dërgon ushqim dhe ndihma tjera në një qytet në jug të shtetit i cili u mbyll për shkak brengave për koronavirus, kanë thënë zyrtarët.

Ky reagim ka rikthyer dyshimet se ky shtet ka qenë pa virus deri tani.

Por në mes të skepticizmit nga jashtë dhe propagandës së madhe që ky shtet po bën kur lavdëron përpjekjet për të ndalur virusin, shkëmbimet në mes Koresë Veriore dhe OKB-së, po japin qartësi të reja si dhe numra aktualë rreth asaj se çka është duke ndodhur në këtë shtet, shkruan AP.

Në fund të korrikut, Koreja Veriore, tha se kishte vendosur “sistemin maksimal të emergjencës” për tu mbrojtur nga përhapja e virusit pasi që kishte zbuluar një person me simptome të Covid-19 në qytetin Kaesong, afër kufirit me Korenë Jugore.

Mediat shtetërore raportuan se udhëheqësi Kim Jong Un kishte urdhëruar mbyllje të tërësishme të Kaesongut, dhe i dyshuari kishte qenë një koreano-verior i cili më parë kishte ikur në Korenë Jugore dhe ishte kthyer sërish në Kaesong muajin e kaluar.

Pranimi publik i Koresë Veriore për rastin e parë potencial, dhe hapat emergjentë që i murr menjëherë ndezi spekulime të jashtme se ky shtet në fakt po brengoset për një shpërthim të madh pas muajve të tërë të deklarimit se nuk ka asnjë rast. Ekspertët e huaj janë shumë skeptik rreth kësaj, kryesisht për shkak kufirit të madh që ka me Kinën, ku virusi u shfaq për herë të parë, por edhe për shkak historisë së fshehjes së shpërthimeve të viruseve në të kaluarën.

Në një raport drejtuar OBSH-së, Koreja Veriore ka thënë se ka izoluar 64 kontakte të para të rastit të dyshuar si dhe 3,571 kontakteve të dyta për një periudhë 40 ditësh, sipas dr Edwin Salvador, përfaqësuesi i OBSH-së për Korenë Veriore, transmeton KOHA.

Salvador tha në një e-mail për AP se Koreja veriore kishte lajmëruar OBSH-në për rastin e parë të dyshuar, duke thënë se personi ishte testuar për Covid-19 por rezultati kishte qenë jo përfundimtar.

Ai gjithashtu ka shtuar se të gjitha kufijtë e Koresë Veriore janë të mbyllura, mbledhjet në grupe janë të ndaluara, maskat janë të detyrueshme në publik dhe të gjitha institucionet shkollore janë në pushime verore. Që nga fundi i dhjetorit, Koreja Veriore ka izoluar dhe lëshuar 25,905 njerëz, 323 nga të cilët kishin qenë të huaj.

Shumë vëzhgues të jashtëm janë të sigurt se virusi tashmë ka hyrë në Korenë Veriore, për shkak kufirit të ngjitur me Kinën, që është edhe partneri kryesor për tregti i këtij shteti. Grupet monitoruese në Seoul të Koresë Jugore kanë raportuar vazhdimisht për raste me virus dhe vdekje në Korenë Veriore.

Një shpërthim i madh i infektimeve mund të shkaktojë një katastrofë humanitare për shkak të sistemit shëndetësor të thyer dhe mungesës të pajisjeve mjekësore.

Sidoqoftë ende nuk dihet se sa serioze është gjendja me pandemi në Korenë Veriore.