Botë

Komuniteti LGTB largohet nga Polonia për shkak të homofobisë së qeverisë

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda, i cili vazhdimisht e ka përshkruar lëvizjen për të drejtat e komunitetit LGBT si “ideologji” e rrezikshme, e ka marrë mandatin e tij të dytë të enjten.

Tani shumë polakë që i përkasin këtij komuniteti janë duke emigruar nga ky shtet, sepse ndihen se homofobia po promovohet në nivelet më të larta të qeverisë.

Gjersa anëtarët e komunitetit LGBT asnjëherë nuk kanë pasur të drejtë të martohen, ashtu si mund të bëjnë në shumicën e Evropës, sidoqoftë deri para pak kohe janë ndier që shoqëria në Poloni po bëhet më e pranueshme dhe se të drejtat e tyre një ditë do të respektohen.

Mirëpo në vend të kësaj, kanë përjetuar një goditje të madhe nga Kisha Katolike dhe qeveria. Duda propozoi një ndryshim në kushtetutë për të ndalur adoptimin e fëmijëve nga çiftet me gjini të njëjtë. Vitin e kaluar krye Ipeshkvi i Kishës Katolike të Krakowit paralajmëroi për “murtajën e ylbertë” dhe partia Ligj dhe Drejtësi e Dudas e ka përshkruar LGBT-në si kërcënim ndaj familjeve dhe identitetit katolik të Polonisë, shkruan AP.

Nuk ekzistojnë statistika të sakta se sa njerëz të këtij komuniteti kanë ikur nga Polonia. Aktivistët thonë se shumica ikën kur partia Ligj dhe Drejtësi dhe Duda erdhën në fuqi në vitin 2015 dhe krijuan rrethana armiqësore për liberalët dhe pakicat.

Retorika e Dudas vetëm sa u bë më e vrazhdë, ai e quajti lëvizjen LGBT një “ideologji” më e keqe se sa komunizmi dhe deklaroi se LGBT “nuk janë njerëz”, transmeton KOHA.

Britania, Gjermania, Holanda, Spanja dhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian janë shtetet ku emigrantët LGBT po e paramendojnë të ardhmen e tyre. Ata po vazhdojnë traditën e shumë polakëve të cilët ikën nga shteti i tyre për shkak shtypjes politike, sidomos gjatë periudhës komuniste.

Të drejtat e LGBT kanë vazhduar të jenë temë ndezëse që nga zgjedhjet, ndërsa Ministri i Drejtësisë aprovoi fonde për një projekt të krijuar për luftimin e krimeve “të kryera nen ndikimin e ideologjisë LGBT”.

Tre aktivistë që protestuan kundër homofobisë u arrestuan javën e kaluar dhe u akuzuan për krime të ofendimit të monumenteve dhe ofendimin e ndjenjës fetare duke vënë flamuj me ylber nëpër statuja të Warsawës, përfshirë edhe një statuje të Jezusit. Nëse dënohen, do të përballen me burg.